Rasti i portierit të Ajaksit, Onana, i pezulluar 12 muaj për doping, sjell në vëmendje shumë raste të tjera analoge, ku justifikimet për përdorimin e substancës së ndaluar kanë qenë nga më të ndryshmet, shpesh edhe absurde…
Gruaja, e fejuara, madje dhe mamaja, tortelinit, bifteku, furça e dhëmbëve, shampoja dhe kremi. Raste të çuditshme nga më të ndryshmet që vijnë në repertorin e "nuk jam dopuar”, apo “gjithçka një gabim mikroskopik”. Shpjegime dhe justifikime nga të gjitha lloje, mbrojtje plot fantazi, disa edhe qesharake. Janë raste të arkivuara dhe sportistë të ndëshkuar, disa të tjerë të pastër.
Justifikimi i fundit është ai i ilaçit të gruas, të përdorur në mënyrë të pavetëdijshme nga portieri i Ajaksit, Onana, por ka edhe histori të tjera shumë të veçanta. E pavetëdijshme ishte edhe tenistja Sara Errani, e cila rezultoi pozitive, pasi një pilulë e nënës së saj kishte përfunduar aksidentalisht te tortelinit që ajo kishte përgatitur.
Për të mbetur te fusha e kulinarisë, është edhe rasti i çiklistit Alberto Kontador. Spanjolli, kur doli pozitiv, u justifikua me faktin se kishte ngrënë një biftek të kontaminuar. Një justifikim që nuk u pranua dhe çiklisti u skualifikua. Mish derri me bazë nandroloni ishte justifikimi që nxorrën rreth 15 vite më parë futbollistët Kristian Buki dhe Salvatore Monako, pasi dolën pozitivë.
Në ato vite nandroloni kishte shkaktuar shumë "viktima” në futboll. Portugezi Fernando Kouto u justifikua, duke thënë se kishte përdorur shampon e gabuar. Edgar Davids tha se kishte përdorur një shurup për kollën, kurse Manuele Blazi nxorri si justifikim një solucion për flokët. Por rasti më i bujshëm në lidhje me nandrolonin ishte ai i atletit gjerman Dieter Bauman, i cili ia vuri fajin furçës së dhëmbëve.
Në kapitullin e "komploteve" është arkivuar edhe rasti i atletit amerikan Xhastin Gatlin. Në 2006-ën, 3 muaj pasi vendosi rekord botëror në 100 metra në Doha, ai doli pozitiv ndaj testosteronit dhe u justifikua, duke akuzuar masazhatorin, me të cilin kishte pasur një përplasje, se kishte përdorur një krem me substanca të ndaluara për hakmarrje.
Një tjetër rast unik është ai i tenistit Riçard Gasket, që në 2009-ën u tërhoq papritur nga turneu i Majemit dhe 2 muaj më pas u skualifikua për 2 vjet për kokainë. Ai u mbrojt me faktin se kishte puthur një vajzë që kishte marrë kokainë dhe ia kishte kaluar edhe atij gjatë puthjes. Një tezë që u pranua. Edhe çiklisti Xhilberto Simoni doli i pastër pas akuzës për përdorim kokaine. Ai shpjegoi se ishte faji i karameleve që tezja murgeshë i sillte nga Amerika e Jugut.
Gjithmonë në botën e çiklizmit, lituanezi Raimondas Rumsas doli pozitiv me një arsenal substancash të ndaluara. Ai u justifikua, duke thënë se i kishte marrë ato ilaçe për të kuruar njerkën e sëmurë dhe ia kishte dhënë bashkëshortes që t’ia jepte.
Shumë justifikme, por mbi të gjitha mbeten dy. Në Shtetet e Bashkuara bëri bujë shpjegimi i atletit Lashoun Merrit, që pasi rezultoi positiv në 2009-ën, u mbrojt duke thënë se kishte përdorur një substancë për të rritur organin gjenital. Në Itali mbetet unik rasti i Marko Borielos në vitin 2006, kur ai doli pozitiv. Në atë kohë shpjegimin e dha e fejuara e tij, Belen Rodriguez, e cila tha se kishte përdorur një pomadë për një raport seksual më të mirë me futbollistin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.