Para

“Gjoba” e Becchetti-t, Malaj: Qeveria ta njohë pa vonesa, të negociojë për të zgjatur shlyerjen

Në një intervistë dhënë për Gazetën “Si”, Arben Malaj thotë se Qeveria duhet ta njohë pa vonesa gjobën e marrë pas padisë së Francesco Becchetti-t dhe të negociojë me investitorin italian që të zgjasë në kohë shlyerjen e 100 mln eurove.

Malaj parashikon disa pasoja afatgjata në vendimin e gjykatës ndërkombëtare, që nga largimi i investitorëve të huaj, deri tek rritja e borxhit në nivele që do të dëmtonin rritjen ekonomike të vendit. Ai thotë se këto borxhe rrezikojnë që të rrisin taksat dhe cenojnë ndihmën financiare për personat në nevojë dhe të papunët.

LEXO EDHE:
“Rasti Beccheti s’është surprizë, interesante pse Austria u përcaktua për konfiskim”
Becchetti, edhe dy gjyqe të tjera ndaj Shqipërisë
Der Standard: Shqipëria nuk po paguan Becchetin, kërkohet bllokimi i aseteve në Austri
Si u përplas Qeveria shqiptare me Becchetti-n

Zoti Malaj, si e shihni ju lajmin e publikuar nga gazetat austriake, sipas të cilave asetet shqiptare në Austri rrezikojnë të konfiskohen për llogari të investitorit italian Francesco Becchetti, sepse Qeveria shqiptare nuk ka respektuar vendimin e Arbitrazhit? Pse Qeveria shqiptare, sipas jush thyen kontratat me investitorët e huaj dhe nuk paguan dëmet?

Sepse rezulton thellësisht e korruptuar dhe e kapur dhe sepse modeli i saj qeverisës është arrogant dhe i babëzitur. Ky konkluzion i hidhur mbështetet në faktin që të gjithë indekset ndërkombëtare, të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, BB, EBRD, por edhe BE, qeveria amerikane, qeveria gjermane e vlerësojne qeverisjen e “Rilindasve të oligarkuar” të përkeqësuar dhe të dëmshme për shqiptarët. Ata u kanë kërkuar publikisht rilindasve të babëzitur të ndalojnë partneritetet publike-private preferenciale (4P), ku shpërdorohen dhe vidhen deri në 35% e miliarda lekë të 4P dhe koncesioneve.

A mund të hidhen hije dyshimi se këto kontrata janë të qëllimta?

Një gjë është e qartë, që nuk është vetëm mungesa e profesionalizmit, por është thelbi i qeverisjes antiligj, sepse në kushtet e demokracive funksionale shteti ligjor, ku qartësohen të drejtat dhe detyrimet në çdo fushë të jetës është jetik për një zhvillim që respekton detyrimet kontraktuale.

Cilat janë efektet tani e në vazhdim?

Efektet negative janë të rënda dhe afatgjata në dy aspekte kryesore; një barrë e rëndë borxhesh nga shkelje e kontrave dhe penalitetet jashtëzakonisht të rënda për taksapaguesit e varfër shqiptarë. Qeveritë do të detyrohen që të rritin taksat, ose të shkurtojnë mbështetjen sociale për të varfërit, për të papunët dhe shtresat në nevojë. E dyta do të përballemi me rënien e investimeve private të huaja dhe vendase, që pengohen nga mosfunksionimi i shtetit ligjor. Qeverisja në Shqipëri është përkeqësuar dhe kjo përbën një kosto shtesë përballë varfërisë dhe papunësisë së rritur nga tre faktorë; tërmeti i 26 nëntorit, pandemia dhe sidomos keqqeverisja.

A penalizohet vendi në këtë rast, ku investitorët e huaj nuk do të duan të vijnë në Shqipëri?

Patjeter penalizohet nga efektet negative të pasigurive edhe ligjore, efekti negativ është tek konsumi dhe investimi privat, ku përfshihen edhe investimet e huaja. Penalizohet edhe nga cilësia e investimeve të huaja, ku qeveritë jodemokratike favorizojnë kompani me interesa personale që pengojnë dhe deformojnë konkurencën e lirë me kompanitë që kanë kredibilitet të lartë teknologjik dhe garanci financiare për implementimin projekteve të tyre. Shikoni rastet e inceneratorëve dhe të kuptoni se “sa lehtë” konkurohen investitorët e huaj kur një person ngryset si individ, gdhihet si pronar i një kompanie 100.000 lekë kapital dhe shkon të flejë në fund të ditës (me 16 procedura të firmosura brenda 8 orëve), si pronar i bizneseve të rilindasve të oligarkuar me disa qindra milionë euro fitim abuziv.

Kjo faturë shtesë sa do ta dëmtonte buxhetin e vendit dhe si duhet të reflektojë Qeveria, sipas jush?

Këto vendime të gjykatave ndërkombëtare, por edhe shqiptare ku keqqeverisja ka krijuar kosto disa qindra milionë euro dhe qe penalizojnë taksapaguesit shqiptarë duhet të shkojnë për hetim te SPAK për të qartësuar përgjegjësit, që me veprim, ose me mosveprim kanë krijuar këto kosto marramendëse për buxhetin dhe taksapaguesit shqiptarë. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin skllavërues që qeveritarët e babëzitur u krijojnë vendeve dhe popujve të tyre. E dyta - Qeveria duhet ta njohë vendimin pa asnjë vonesë. E treta, Qeveria mund të negociojë me fituesin e gjyqit për shtrirjen në kohë të pagesave që të ulë riskun e madh të rritjes së borxheve në nivele që vrasin rritjen ekonomike, dëmtojnë rëndë burimet buxhetore për gjeneratat e ardhshme.

Intervistoi Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë