Para

Becchetti, edhe dy gjyqe të tjera ndaj Shqipërisë

Dëmshpërblimi prej më shumë se 100 mln euro që Francesco Becchetti fitoi ndaj Shqipërisë në gjykatat ndërkombëtare mund të mos jetë i vetmi. Biznesmeni kontravers italian ka ngritur ndaj Shqipërisë edhe dy padi të tjera, këtë herë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Njëra padi është e ngritur në emër të kompanisë “AgonSet”, si kompania mëmë e televizionit “Agon Channel” të mbyllur në vitin 2015, ndërsa tjetra është në emër të vetë Francesco Becchetti-t dhe tre personave të tjerë, dy shtetas italianë dhe një shqiptarë.

Në padinë e parë, që mban numrin 33104/15 dhe të regjistruar në Gjykatën e Strasburgut më 27 qershor të 2015-ës thuhet se Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA bllokoi qëllimisht “Agon Channel” për të aplikuar dhe marrë licencën për transmetimet digjitale.

Sipas padisë në fjalë, AMA e skualifikoi “Agon Channel” nga gara për këtë licencë duke cituar mungesën e kapaciteteve teknike pa kryer më parë një verifikim mbi këto pretendime dhe se AMA ka shkelur ligjin duke mos e ftuar për shfaqje interesi për këtë licencë. “AgonSet” thotë se është diskriminuar si televizion i ri në treg dhe për këtë arsye kërkon nga Gjykata e Strasburgut që në bazë të artikullit 35 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut të përfitojë dëmshpërblim.

Edhe në padinë e dytë me numër 53488/15 kërkohet dëmshpërblim, por këtë herë mbi të tjera pretendime të ngritura personalisht nga Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro De Renzis dhe Erjona Troplini. Katër paditësit pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e njeriut që u garantohen nga artikulli 6, që ka të bëjë me prezumimin e pafajësisë.

Padia bazohet në disa deklarata të Kryeministrit Edi Rama në lidhje me burimin e financimit të “Agon Channel”, ndërsa veç prezumimit të pafajësisë, shtetësja shqiptare Troplini pretendon se është shkelur edhe neni 3 i Konventës së të Drejtave të Njeriut, duke e prangosur gjatë vendimit të gjykatës që i caktoi arrest shtëpie në 2015.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë