Para

Der Standard: Shqipëria nuk po paguan Becchetin, kërkohet bllokimi i aseteve në Austri

Bankat dhe kompanitë që veprojnë në fushën e energjitikës në Austri dhe që kanë aktivitet, ose lidhje financiare me Qeverinë shqiptare kanë marrë një mesazh përmes postës elektronike nëse kanë asete, apo llogari në emër të Republikës së Shqipërisë, të cilat mund të jenë objekt sekuestrimi.

Lajmi bëhet publik nga gazeta më e madhe austriake “Der Standard”, që thotë se arsyeja e mesazhit lidhet me një vendim të gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit, ku Qeveria e Shqipërisë u padit nga investitorë italianë.

“Arbitrazhi ndërkombëtar u dha të drejtë atyre (italianëve) duke i shpërblyer me rreth 100 mln euro kompensim përmes një vendimi të marrë në muajin prill të 2019-ës. Për shkak se Qeveria në Tiranë ka refuzuar të zbatojë këtë vendim, asetet e Shqipërisë që nuk janë të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me diplomacinë tashmë mund të konfiskohen në të gjithë botën”, thotë gazeta austriake, “Der Standard”.

I njëjti burim sqaron në të njëjtin artikull këtë të enjte se bëhet fjalë për Francesco Becchetin. Kompania e kontraktuar prej këtij të fundit për të mbledhur paratë e fituara në arbitrazhin ndërkombëtar quhet “Dorda Partners”.

“Firma ligjore Dorda ka marrë përsipër detyrën për të mbledhur mbi 25 mln euro për Francesco Becchetin, një prej tre paditësve të Shqipërisë. Kjo do të thotë se llogaritë në shtatë banka, gjithashtu edhe pagesat për koncesionet dhe të tjera asete që Shqipëria ka me Verbund dhe EVN për projektet e prodhimit të energjisë vihen në diskutim”, vijon më tej artikulli.

Si Verbund, ashtu edhe EVN janë kompani që kanë fituar koncesione të ndërtimit të hidrocentraleve në vendin tonë, mes të cilëve edhe HEC-i i Ashtës. Kjo do të thotë se pagesat e këtyre kompanive si detyrim i koncesioneve të përfituara mund të sekuestrohen.

E njëjta procedurë edhe në shtete të tjera

“Der Standard” thotë se sipas vendimit të gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit, “ICSD” dhe Konventës mbi bazën e të cilës ajo funksionon dhe që është e ratifikuar si nga Austria, ashtu edhe nga Shqipëria vendimi i kësaj gjykate duhet të zbatohet përmes urdhrave të gjykatave vendore. Në rastin e Austrisë, ekzekutimi i vendimit është dhënë më datë 10 nëntor nga Gjykata e Vjenës.

Gazeta austriake citon Florian Kremslehner, përfaqësues i kompanisë së ekzekutimit të borxheve, “Dorda Partners”. Ai thotë se kompania është ende në pritje të përgjigjeve për identifikimin e aseteve të Shqipërisë nga palët e treta dhe veç Austrisë e njëjta procedurë po ndiqet paralelisht edhe në vende të tjera.

“Deri kur shuma totale e borxhit të jetë mbledhur dhe detyrimi të konsiderohet i shlyer. Këto procedura janë të rralla, sepse zakonisht shtetet nuk guxojnë të refuzojnë një vendim të arbitrazhit”, thotë ai.

Kremslehner thotë se pengesa më e madhe ngrihet në rastet kur shtetet thërrasin të ashtuquajturën të drejtë “sovrane”. Sipas tij, Shqipëria refuzon që të paguajë, duke cituar një proces apelimi që vazhdon. “Megjithatë, Ministria e Financave në Tiranë ka ndarë një fond prej 110 mln eurosh për këtë çështje”, thotë Kremslehner.

Çështja e lirisë së medias

Der Standard thotë se rasti i Shqipërisë është i veçantë, sepse përfshin edhe lirinë e medias dhe të shtypit, përkatësisht kompaninë Agonset, që sipas vendimit të arbitrazhit u “shtetëzua sepse ishte shumë kritike ndaj Qeverisë”.

Der Standard thotë se mbyllja e këtij televizioni ishte kulmi i një fushate politike kundër paditësve të Qeverisë shqiptare, të cilët u përballën me akuza penale të dyshimta.

“Shqipëria zakonisht ka vlerësime pozitive sa i përket klimës së biznesit, por së fundmi ka humbur një sërë gjyqesh në arbitrazhet ndërkombëtare kundër investitorëve. Në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, drejtësia vlerësohet si pika e dobët. Për këtë arsye investitorët nuk u drejtohen gjykatave vendase, por arbitrazheve ndërkombëtare”, mbyllet artikulli i “Der Standard”.

Burimi: Der Standard / Përshtati në shqip Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë