Para

Gjykata holandeze rrëzon Becchetti-n, zhbllokohen zotërimet e Shqipërisë te kompania Shell

Vendimi i marrë në mes të janarit nga një gjykatë holandeze për të bllokuar aksionet e Shqipërisë në kompaninë e naftës Shell për llogari të Francesco Becchetti-t u rrëzua nga një gjykatë tjetër.

Lajmi njoftohet nga “Global Arbitration Review”. Investitori italian ka aktivizuar zyra private juridike në disa vende të Europës për të detyruar Shqipërinë që të paguajë rreth 110 milionë euro, të fituara nga procesi gjyqësor në Arbitrazhin e Bankës Botërore.

Mes tyre ishte edhe Holanda, ku çështja e konfiskimeve u përshkrua nga gazeta vendase “Het Financieele Dagblad” si tejet e ndjeshme, pasi përfshinte në një masë të madhe vetë interesat holandeze.

Por çfarë ndodhi? Becchetti kërkoi në gjykatë që të sekuestrojë aksionet e Shqipërisë në kompaninë holandeze të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës, Shell, që ka përfituar kontrata koncesionare për kërkim nafte në Shqipëri. Po ashtu u kërkua që të sekuestrohen pasuritë shqiptare edhe te kompania tjetër e njohur, ENI.

Kërkesa për të bllokuar pasuritë e Shqipërisë te kompania Shell ka aktivizuar vetë shtetin holandez, pasi në vlerësim të tij në mes nuk ishin më vetëm paratë e taksapaguesve shqiptarë, por edhe ato të qytetarëve holandezë.

Vendimi i sekuestrimit u apelua nga avokatora e shtetit holandez, që në shkallën e dytë ja doli mbanë që të heqë masën e sekuestros në rastin e kompanisë Shell, ndërsa mbeten të bllokuara pasuritë e Shqipërisë në kompaninë tjetër, ENI.

Në analizën e gazetës holandeze thuhet se në mënyrë të tërthortë, duke mbrojtur pasuritë e këtyre kompanive, Holanda po mbron shtetin shqiptar.

Ministria e Drejtësisë në Holandë tha se e ka detyrim të bazuar në ligjet ndërkombëtar që të dalë në mbrojtje të kompanive. “Në parim, nuk mund të sekuestrohen fonde nga kompanitë nëse paratë kanë një qëllim publik”, tha ajo.

Procese të ngjashme gjyqësore të nisura nga Becchetti për të bllokuar pasuritë shqiptare po zhvillohen në Austri dhe Belgjikë. Në Belgjikë ai ka konfiskuar paratë e Shqipërisë në kompaninë e kontrollit ajror, Eurocontrol.

Ndërkohë, në Austri, bankat dhe kompanitë që veprojnë në fushën e energjitikës dhe që kanë aktivitet, ose lidhje financiare me Qeverinë shqiptare kanë marrë një mesazh përmes postës elektronike nëse kanë asete, apo llogari në emër të Republikës së Shqipërisë, të cilat mund të jenë objekt sekuestrimi për llogari të investitorit italian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë