Para

Si u përplas Qeveria shqiptare me Becchetti-n

Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID – International Centre for Settlement of Investment Disputes) vendosi më 24 prill të 2019 që t’u japë të drejtë pretendimeve të biznesmenit italian, Francesco Becchetti në padinë e ngritur prej këtij të fundit kundër Qeverisë shqiptare.

Në atë kohë, shuma që arbitrazhi ndërkombëtar detyron Shqipërinë që t’i paguhej Becchetti-t nuk u bë publike prej ICSID-së, për shkak se rregullorja e kërkon që zbulimi i saj mund të bëhet publik vetëm me miratimin e të dyja palëve, sipas përcaktimit të bërë në pikën 5 të nenit 48 të Konventës së ICSID-së. Në këtë rast, gjasat janë që pala e shtetit shqiptar ka refuzuar këtë pjesë.

Por, sektreti do të zgjaste pak muaj dhe më vonë do të mësohej se Becchetti kishte fituar rreth 110 mln euro në Arbitrazh.

Përplasja mes investitorit italian dhe Qeverisë shqiptare zë fill pas 2013. Me të marrë pushtetin, Qeveria e re e përbërë nga PS dhe LSI anuluan si korruptivë dy koncesione që Francesco Becchetti kishte fituar që nga koha e Kryeministrit Fatos Nano dhe që ishin rinegociuar gjatë qeverisjes së Kryeministrit Sali Berisha. Bëhej fjalë për koncesionin e ndërtimit të Hidrocentralit të Kalivaçit dhe koncesionin për ndërtimin dhe operimin e një fushe riciklimi mbetjesh.

Në 2015-ën përplasja mori përmasa të tjera, kur u përfshi edhe Prokuroria. Organi i akuzës nisi fillimisht një hetim për evazion fiskal, falsifikim dokumentacioni dhe pastrim parash në vlerën e 39 mln eurove. Më vonë, dy akuzat e fundit ranë dhe qëndroi vetëm akuza e evazionit.

Në bazë të kësaj akuze, në qershor të 2015-ës, Gjykata e Tiranë urdhëroi bllokimin e aseteve të Francesco Becchetti-t, përfshirë këtu kompanitë “Cable System”, “400KV”, “Fuqi” dhe “Energji”. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, me pronar investitorin kontravers italian.

Tre ditë pas këtij vendimi të Gjykatës së Tiranës, Shqipëria nxorri një urdhër-arrest ndërkombëtar për Francesco Becchetti-n që akuzohej për shmangie taksash dhe mashtrime. Becchetti akuzonte se sulmi ndaj tij kishte prapavijë politike për shkak të qëndrimit kritik të televizionit Agon Channel.

Në atë kohë, Kryeministri Edi Rama deklaronte se Agon Channel financohej nga para të pista. Ai mohonte pretendimet e Becchetti-t se sulmi ishte i nxitur politikisht. Në fund të qershorit të 2015, Francesco Becchetti iu drejtua ICSID me një padi ndaj shtetit shqiptar, ndërsa vetë jetonte në Londër.

Ai u arrestua në nëntor të 2015 nga policia britanike në bazë të urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Shqipëria. Fill pas kësaj, autoritetet shqiptare plotësuan dokumentacionin për ekstradimin e tij. Pas një beteje ligjore që zgjati disa muaj, gjykatat britanike rrëzuan në korrik të 2016 kërkesën e Qeverisë shqiptare, duke e cilësuar si të pabazuar në prova.

Në kohën që shteti shqiptar dështonte në përpjekjet e tij për ta vënë Becchetti-n para përgjegjësisë për akuzat e ngritura ndaj tij, investitori italian avanconte në betejën financiare në Arbitrazhin e ICSID-së, i cili vepron nën ombrellën e Bankës Botërore dhe që pranverën e kaluar ndëshkoi Shqipërinë me mbi 100 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë