Taksa

Gjoba dhe kamatëvonesa për mosdeklarimin e të ardhurave personale

Nëse brenda datës 30 prill nuk plotëson Deklaratën e të Ardhurave Personale dhe mandej nuk paguan detyrimet që rrjedhin prej saj, do të penalizohesh për vonesë plotësimi të Deklaratës 5000 lekë në vit dhe interes 0,06% për çdo ditë vonesë pagese të detyrimeve. Por penaliteti nuk duhet të kalojë 100% pagesën totale.

Alketa Cabej, punonjëse pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve thotë për Gazetën “Si” se individët që kanë të ardhura personale më shumë se 2 mln lekë në vit, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në plotësimin e kësaj deklarate.

Ajo thekson se kjo deklaratë nuk plotësohet vetëm për persona që do të tatohen me këtë deklaratë, por është edhe për të ardhurat që kanë qenë të tatuara përgjatë vitit fiskal 2018.

Të ardhurat që duhet të deklarohen nuk janë vetëm ato që vijnë nga paga, por edhe nga burime të tjera, si qiratë, interesat bankare, shitjet e pasurive, shërbimet që ofrohen jashtë Republikës së Shqipërisë apo bonuset që punonjësi merr në punë.

Cabej shpjegon se ata që ushtrojnë më shumë se një punë të siguruar, sipas ligjit mbi të ardhurat personale, përfitojnë nga tatimi zero për fashën 0-30 mijë lekë vetëm një herë. Për pjesën tjetër iu lind detyrimi të paguajnë tatim. Për këtë do t’u duhet të bëjën shumatoren e pagave dhe të zbresin tatimin në burim që u është mbajtur nga punëdhënësit.

Cabej sqaron edhe personat që kanë bërë rivlerësim të pasurisë: “Duhet pasur parasysh edhe një gjë tjetër; për individët që kanë qenë subjekt rivlerësimi për pasurinë e paluajtshme në kohën e amnistisë fiskale dhe kanë paguar 1% dhe 2% në momentin e rivlerësimit të pasurisë, në rast se ata gjatë 2018-ës e kanë transferuar të drejtën e pasurisë; e kanë shitur, dhuruar, ata nuk janë objekt i deklarimit për të ardhurat e përfituara në DIVA në rast se vlera e shitjes ose e dhurimit nuk e kalon vlerën me të cilën është shitur pasuria. Nëse vlera e transferimit, shitja apo dhurimi do të jetë më e lartë se vlera e rivlerësuar, diferencën duhet ta vendosë në deklaratën DIVA.”

Edhe një kategori individësh që japin shërbim jashtë kufijëve duhet të kenë kujdes në plotësimin e Deklaratës së të Radhuarve Personale.

Për shembull; nëse je pedagog dhe jep leksione apo trajnime në Kosovë, apo Itali duhet të deklarosh dhe të paguash tatim mbi të ardhurat personale.

Në rastin e Kosovës, ky shtet tatimin mbi fitimin e ka 10 % dhe pedagogu i Shqipërisë atje ka paguar 10% mbi të ardhurat nga pagesa. Ndërsa Shqipëria këtë nivel tatimi e ka 15%. Pedagogut në fjalë i duhet të paguajë diferencën prej 5%.

Nëse pedagogu jep mësim në një vend i cili nuk ka marrëveshje me Shqipërinë, i duhet të paguajë tatim mbi të radhurat personale dy herë.

“Për 2017-ën ka pasur disa raste që kanë gabuar gjatë plotësimit të Deklaratës. Nëse individi kapet nga administrata që ka gabuar, është i detyruar të paguajë të gjitha penalitet. Por ka një klauzolë për vetërregullim deri në dy herë të plotësimit të DIVA-s. Deri në 30 prill është afati përfudnimtar, por mbas 30 prillit individi mund të korrigjojëdeklaratën deri në 2 herë brenda një periudhe tatimore 3 mujore.” Sqaron Cabej.
DIVA ka nisur të plotësohet për të ardhurat personale më 2011-ën teksa deklariomi duhej bërë deri në 30 prill të 2012-ës. Meqënëse individët nuk ishin të mirëinformuar, afati u shty deri në shtator të 2012-ës.

Ka qenë numër shumë i vogël në atë kohë, thotë Cabej, sepse individët nuk e kuptojnë që kjo është deklarata më e rëndësishme për ta. Kurse për deklarimin e 2017-ës që u bë në 2018-ën, duke patur edhe një informim më të mirë mbi ligjin, pati një rritje të numrit të deklaruesve.

“Edhe në 2019-n individë të ndryshëm që kanë detyrimin për të deklaruar për 2018-n thonë se ‘prit se nuk kemi deklaruar as në 2017-n’, duhet të marrin një penalitet për deklarime të vonuara, por do të deklarojnë të dy vitet sëbashku”, shpjegon Cabej.

Këtë vit plotësimi i deklaratës së të ardhurave personale nuk do të reflektojë mënyrën e re të taksimit të pagave të larta, për të cilën parlamenti vendosi që të rritë pragun e tatueshëm në 150 mijë lekë për taksën 23%.

Efektet e skemës së re do të zbatohen vitin tjetër, për të ardhurat e realizuara gjatë këtij viti.

Vitin që shkoi ishin 8700 individë që në fund të prillit dorëzuan Deklaratën e të Ardhurave Personale. Kjo shifër ka rezultuar 5 % më e lartë se e vitit paraardhës. Për 2017-ën vlera e paguar nga individët të cilët bën deklarimin u rrit me 118% krahasuar me 2016-ën. Vlera e derdhur në buxhetin e shtetit ka rezultuar 275 mln lekë.

 

Më Shumë