Interviste

Gjipali: Propozimi i Macron dhe rreziqet e rajonit të Ballkanit

Bledar Hoti- Propozimi i presidentit francez Emmanuell Macron për stopim të procesit të zgjerimit duke penalizuar shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku preket Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për Gledis Gjipalin shihet si diçka që mund të shkurajojë qeveritë e Tiranës dhe Shkupit në kryerjen e reformave. Në intervistën për Gazeta Si, drejtori i qendrës EMA (Lëvizja Europiane për Shqipërinë) shprehet se qeveria duhet të reagojë, pasi kjo ide e Macron mund të kristalizohet, ndërsa jep alarmin se kjo zgjatje e këtij procesi apo stopim i anëtarësimit mund të sjellë edhe forcim të aktorëve të tjerë që janë të interesuar për një situatë krejt të ndryshme në rajonin e Ballkanit, duke nënkuptuar destabilizim.

Z. Gjipali, si e gjykoni ju propozimin e Francës, ku sipas medieve presidenti Macron do të ofrojë mbështetje ekonomike në këmbim të stopimit të procesit të integrimit, të çeljes së negociatave. Sa i dëmshëm mund të jetë një propozim i tillë për shtetet e Ballkanit që mund të sjellë edhe një bllokim të procesit të anëtarësimit?

Në fakt ende nuk është i qartë propozimi, nuk është kristalizuar plotësisht se çfarë alternative propozon kundrejt asaj ekzistuese, asaj të zgjerimit dhe të anëtarësimit të plotë për të gjithë vendet që janë në proces zgjerimi. Por ideja e tij që vjen të ofrojë diçka më pak se anëtarësimi, pra tregtinë e lirë, zonë ekonomike europiane dhe benfite të tjera, në fakt nuk është diçka pozitive për rajonin, sepse nuk mundet t’i motivojë këto vende, elitat politike, por edhe qytetarët  vendeve të Ballkanit, ku që tani një pjesë e tyre janë skeptikë ndaj procesit të zgjerimit, flasim për vende si Serbia, por edhe Maqedonia e Veriut, që nuk kanë mbështetje aq të madhe siç kanë p.sh Shqipëria apo Kosova, duke ofruar diçka më pak se sa anëtarësimi, seç iu është ofruar vendeve të tjera, apo siç është ofruar me këtë proces që kemi nisur të gjithë, do të krijojë pakënaqësi dhe situata të reja në rajon. Kjo është njëra anë e medaljes, pra ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ana tjetër është e BE-së, që të paktën deri më tani ky propozim të paktën deri tani nuk ka gjetur mbështetje nga vendet e tjera anëtare, po ashtu edhe kundërshtimi që i bëri Macron për hapjen e negociatave për dy vendet nuk gjeti mbështetje nga shtetet e tjera anëtare, dhe do të duket në javët në vazhdim në rast se do të gjejë ndonjë mbështetje apo kjo alternativë do të influencojë procesin e deritanishëm të zgjerimit.

Presidentët Pendarovski dhe Meta, por edhe kryeministri maqedonas Zaev e kanë kundërshtuar një propozim të tillë të hedhur paraprakisht nga Macron. A mendoni se edhe Tirana zyrtare duhet të mbajë një qëndrim publik më të prerë, e kundër kësaj nismeje nëse shtrohet zyrtarisht për diskutim?

Besoj se duhet të ketë një qëndrim më të prerë, por në momentin kur të ketë një propozim më të qartë. Po ashtu presidenti Macron ka përmendur se do të bëjë një tur të shpejtë në vendet e Ballkanit Perëndimor për të ndarë këtë propozim dhe idetë e tij për zgjerimin, mbi reformimin e procesit të zgjerimit. Besoj se do të ketë më qartësi se çfarë ofrohet dhe se çfarë mund të përfitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse ndoshta mund të jetë një propozim me faza, pra që të mos ketë një anëtarësim për një periudhë afatmesme po themi, anëtarësimi të vijë më vonë, por ndërkohë mund të përfitohen benefitet që ka tregtia e përbashkët, Dhoma Ekonomike Europiane e përbashkët, etj. Pra nuk dihet është ende e turbullt se çfarë propozimi do të jetë. Ajo që dihet është se Franca është kundër një procesi zgjerimi që po zbatohet deri më sot, vendet e tjera nuk kanë ofruar mbështetje deri më tani dhe do të shohim se si do të zhvillohet kjo dinamikë në javët e muajt në vazhdim.

Mendohet se është një ide e vjetër e Francës kjo ideja e pranimi me faza apo me shkallë mendoni se nëse zbatohet kjo ide mund të sjellë problemet të brendshme në vendet e Ballkanit dhe mund t’i shkurajojë ato në procesin e integrimit dhe mund të ngadalësojë reformat e kërkuara?

Po, sigurisht që mund t’i shkurajojë. Jo vetëm Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, sepse presidenti Macron ka bërë fjalë për të gjithë procesin e zgjerimit për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, gjashtë shtetet, edhe ato që kanë hapur negociatat, apo janë në pragun e hapjes së negociatave, si Bosnja dhe Kosova. Sigurisht që mund të shkaktojë dekurajim apo forcim të aktorëve të tjerë në rajon, të cilët janë në drejtime jo të njëjta, por të mos thënë të kundërta me demokratizimin e vendeve, me frymën liberale, europiane perëndimore të modelit të zhvillimit të vendeve. Dhe kjo sigurisht do e çonte Ballkanin në një drejtim tjetër dhe nuk dihet se si do të ishin rezultatet.

Propozimi i Macronit i ndryshon rregullat brenda BE-së. Tendenca e presidentit Macron për t’u shfaqur si lider i BE-së mund të zgjasë pafund procesin e integrimit dhe të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?

Sigurisht po, që tashmë ekziston ky rrezik për shkak se edhe deri më sot ne shohim një proces që ka zgjatur shumë, ne ende jemi larg për të parë në mënyrë realiste situatën në të gjithë vendeve e Ballkanit. Pra nuk bëhet fjalë për një anëtarësim për 5 apo 6 vite dhe me procesin siç ndoshta duhet një dhjetëvjeçar, nëse gjëra ecin mirë. Prandaj problemi i shkurajimit është i madh, sigurisht që ka edhe një lodhje nga reformat, sigurisht që nuk ka prodhuar rezultatet e duhura dhe në qoftë se nuk ekziston kjo tërheqje, pra BE e institucionet europiane kjo shtytje e vazhdueshme, do të mund të bëjë që edhe popullsia të mos ketë më mbështetje e të mos jetë i qartë orientimi pro europian. Gjë që hap alternativa të tjera, të cilat siç kemi parë edhe nga historia jo shumë e largët nuk ka qenë shumë pozitive.

Samiti i ardhshëm i Kroacisë, në maj të 2020 në Zagrab mund të ketë sjellë sipas jush një ndryshim të qëndrimit të Francës për sa i përket çështjes së çeljes së negociatave?

Do të ketë mundësi për të ndryshuar. Kjo për shkak se Franca me këtë propozim ka qenë disi e sforcuar, pasi nuk ka gjetur mbështetjen e mjaftueshme. Do të duhet që ta verifikojmë këtë propozim me të gjithë vendet anëtare, në rast se do të ketë mbështetje ose jo. Në rast se një pjesë e tyre kanë bërë të qartë se nuk kanë mbështetje të tillë për këtë propozim, në rast se nuk arrijnë dot që të ketë një farë mbështetje do të jetë e vështirë për të këmbëngulur kundër 26 apo 27 vendeve të tjera, në varësi të daljes së Britanisë së Madhe, për të këmbëngulur në bllokimin e procesit. Mendoj se mund të kemi një rezultat të qartë në Zagreb dhe duke parë se çfarë mund të ndodhë në këto muaj dhe sa vend do të zërë ky propozim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë