Futboll

Gjici hap “thesin”, Kukësi gati për të marrë stafetën e Skënderbeut

Kur një kapitull mbyllet, një tjetër hapet. Nëse Skënderbeu po bie dhe është në prag të mbylljes së një prej kapitujve më të lavdishëm të futbollit shqiptar, një tjetër po fillon të hapet. Përsëri në skajet e Shqipërisë qëndrojmë, por këtë herë nga juglindja spostohemi në verilindje. Është Kukësi, që duket se po përgatitet të marrë stafetën e Skenderbeut, për ta dominuar futbollin shqiptar në vitet e ardhshme.

Dënimi i Skënderbeut dhe “përfitimet” për Kukësin

Gjithçka zuri fill në janar. Në fillim ishte hetimi nga agjencitë antikorrupsion pranë UEFA-s që supozonin se klubi korçar kishte qenë pjesë e një rrjeti për trukimin e ndeshjeve në nivel ndërkombëtar. Në janar në kampionatin shqiptar për herë të parë do të zbarkonte një trajner austriak. Austraiku i njohur për drejtimin e disa skuadrave mesatare në disa liga të rëndësishme në Europë, (Austri dhe Gjermani), erdhi në Kukës me një premtim të thjeshtë, të marrim sa më shumë të mundemi nga ky sezon (sezoni 2017-2018).  Fjalët e tij në fillim dukeshin disi të abstrakte, por tanimë çdo ditë që kalon marrin akoma më shumë kuptim.

Pakult kishte ardhur në Shqipëri për diçka të madhe dhe jo thjesht ta kualifikonte skuadrën  verilindore në Kupat e Evropës. Në krah kishte një gjeni në fushën e lojës dhe nuhatës shumë i mirë talentesh, si Nderim Nexhipi.

Pjesa e dytë e kampionatit për Kukësin ishte më shumë se e shkëlqyer. Skuadra siguroi vendin e dytë në renditje dhe ajo që ishte më e rëndësishme, niveli i lojës vinte në përmirësim ndeshje pas ndeshje. Kampionati u mbyll me titullin e nënkampiones, por në Kukës nuk ishin të shqetësuar. Verilindorët edhe pse të dytët, do të luajnë në Champions League, pasi Uefa nuk e ndryshoi vendimin e saj për ta përjashtuar Skënderbeun me 10 vite nga kompeticionet Evropiane.

Kukësi duke u përgatitur për sezonin e ri me grupin e lojtarëve të ardhur në merkato

Merkato si asnjëherë më parë

Safet Gjici me Nderim Nexhipin dhe Peter Pakult duket se i kishin menduar të gjitha, deri në detaje. Me shitjen e Sindrit Gurit, Kukësi për herë të parë e fut emrin e tij në listën e ekipeve që shesin dhe evidentojnë lojtarë, të cilët më pas mund të kalojnë në kampionate më të rëndësishme.

Kjo ishte vetëm faza e parë, pasi në Kukës shenjat se një epokë e re po vinte,  bëheshin gjithmonë e më të dukshme. Si zakonisht gjithçka nisi me merkaton, aty ku Kukësi ka bërë një punë shumë të madhe dhe gati revolucionare. 12 lojtarë në vetëm 6 javë janë afruar tek Kukësi, duke i prekur të gjitha repartet. Që nga porta e deri tek sulmi, Kukësi, ka marrë të paktën nga një futbollist për çdo pozicion, teksa reparti që ka patur numrin më të madh të afrimeve ka qenë sulmi, aty, ku edhe largimet kanë qenë më të mëdha më herët.

Mes këtyre 12 futbollistëve të afruar nga Kukësi këtë verë shumë prej tyre janë të huaj që nuk njihen shumë dhe do të mbetet për t’u parë se çfarë do mund të tregojnë në kampionatin shqiptar. Me përjashtim të Plakut, Çyrbes, Kalasë apo Zguros të gjithë lojtarët e tjerë do të jenë një eksperiment tek Kukësi dhe vetëm koha do e tregojë se çfarë do japin në fushën e lojës.

Por gjithësesi nëse do të kemi parasysh që merkato e kësaj verë është dirigjuar nga një ekspert, si Nderim Nexhipi që pas krahëve të tij ka pasur trajnerin Pakult, mund ta themi se nga këto afrime pritet shumë.

Peter Pakult dhe Nderim Nexhipi

Staf me përvojë ndërkombëtare

Për një trajner që në karrirën e tij ka punuar me ekipe si Austria e Vienës, 1860 Mynih, apo Rapidi i Vienës nuk është një gjë e lehtë që të vij të punoj në Shqipëri. Por Pacult e bëri dhe deri më tani nuk e kanë zhgënjyer dhe nuk i ka zhgënjyer. Austriaku ka respektuar pritshmëritë e presidentit Safet Gjici, që në prezantimin e tij pati thënë se kemi sjellë një trajner të nivelit ndërkombëtar, por edhe të tifozëve, që me të në panikë kanë gëzuar më shumë. Gjithashtu Pakult nuk është zhgënjyer nga Kukësi deri më tani, pasi fjala apo dëshira e tij ka qenë ligj dhe është respektuar pa asnjë hezitim në çdo aspekt të menaxhimit të skuadrës. Por, në këtë ekip të ri te Kukësi që filloi punën në janar, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes edhe drejtori teknik Nderim Nexhipi. Një futbollist gjeni që luajti për disa vite edhe në kampionatin shqiptar me Partizanin dhe Flamurtarin, po tregon që edhe në fushën e menaxhimit të futbollit mund të jetë njësoj i suksesshëm. Deri tani ky binom tek Kukësi ka qenë shumë i suksesshëm, por prova e vërtetë do të jetë fushata evropiane këtë verë dhe kampionati i ardhshëm.

Projekti i stadiumit të ri të Kukësit

Problemet me stadiumin

Nëse do të flisnim për diçka negative në këtë projekt të ri të Kukësit, që synon të dominojë futbollin shqiptar, ka të bëjë me infrastrukturën. Për të kaluar fare pak në historinë e 20 viteve të fundit në futbollin shqiptar do të shohim që ekipet, të cilat kanë patur suksese afatgjata kanë pasur edhe infarastrukturën në të njëjtat nivele. Për të filluar që nga Tirana e egjiptianit  El-Sayed, Dinamo kampione e viteve 2008 – 2010, e deri tek Skënderbeu që rinovoi stadiumin në Korçë dhe që kishte një kompleks stërvitor shumë komod në Durrës, të gjithin në dispozicionin e tij.

Ndërsa tek Kukësi kjo është një mangësi shumë e madhe, pasi nuk ka as stadium në parametra ideal, por asnjë qendër stërvitore ku skuadra mund të punojë e qetë, pa presionin e kohës. Disa muaj më parë, në media të ndryshme qarkulloi një projekt për stadiumin e ri të Kukësit, që në maket ishte një nga më modernit në vend, i gjithi i mbuluar, tipik i stilit të stadiumeve angleze.

Por nga projekti deri tek emplementi po duket se janë shumë hallka për tu kaluar dhe Kukësi ende nuk e ka një shtëpi të denjë, ku mund të presë ndeshjet e kompeticioneve evropiane. Për ndeshjet e Champions League, Kukësi ka vendosur që të luaj në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”.

Ndeshja e parë në 12 korrik do të tregojë shumë për këtë erë të re që ka fryrë në Kukës dhe të gjithë do të shohim nëse stafeta e “mbretit” të futbollit shqiptar për sezonin e ardhshëm do të kalojë në Kukës, apo jo. Deri më tani shenjat kanë qenë pozitive, duke filluar që nga faza përgatitore, tek stafi, apo edhe shpenzimet e mëdha, për të cilat Safet Gjici nuk është kursyer. Por fundja, futbolli luhet në fushë e jo në zyra apo letra dhe aty do të duket  fytyra e vërtetë e këtij projekti të ri të nisur në klubin e Kukësit.

 

Më Shumë