Rend dhe Ligj

Gjetjet e SHÇBA, policia me mangësi burimesh njerëzore, logjistike e mjete difektoze për ruajtjen e kufirit

“Të gjithë jemi dëshmitarë që cilësia e shërbimeve në pikat e kalimit kufitar është e një niveli shumë më të lartë tashmë dhe padiskutim kjo e ka bërë Shqipërinë që të jetë ndër vendet me siguri më të lartë për sa i takon ruajtjes së kufijve dhe vend që ofron një shërbim ndaj qytetarëve në cilësinë më të lartë të standardeve, qofshin këto edhe në nivelet ndërkombëtare”.

Këto ishin fjalët e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë inspektimit të punës në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në prani të Ambasadores së SHBA, Yuri Kim dhe Ambasadores greke, Sophia Philippidou.

Por, një raporti i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, një strukturë në varësi të Ministrisë së Brendshme e ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes së strukturave të Policisë nuk nxjerr në pah problematika të qënësishme në mbrojtjen e kufirit, si atij detar, ashtu edhe atij tokësor.

“Nga inspektimet janë hasur problematika në lidhje me monitorimin dhe kontrollin e vijës kufitare (blu/gjelbër), duke nisur nga mungesa e burimeve njerëzore, infrastrukturë logjistike, radarëve lokalë e deri tek mjetet difektoze në dispozicion”, thuhet në raportin e SHÇBA.

SHÇBA thotë se përgjatë 2020-s ka ndërmarrë 8 inspektime te strukturat e Kufirit dhe Migracionit, ku ka dhënë 13 rekomandime se si mund të përmirësohet puna dhe 22 rekomandime për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj efektivëve të kësaj strukture.

Kaq është pjesa e raportit në lidhje me strukturat e emigracionit dhe ruajtjes së kufirit, pa dhënë më tepër detaje në këtë pjesë. Ndërkohë, sa i takon bilancit të përgjithshëm, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat thotë se ka referuar materiale proceduriale në Prokurori për dy raste, nga 9 të tilla që dorëzoi në vitin 2019. Ka pasur një rritje të numrit të rekomandimeve në krahasim me vitin 2020, ndërsa është propozuar fillimi i hetimit disiplinor për 83 punonjës të policisë.

Më shumë se gjysmën e rekomandimeve për hetim disiplinor e zënë punonjës me gradën nën/komisarë, plot 47 në këtë listë, 34 janë rekomandimet për hetimin e inspektorëve dhe 2 rekomandime për punonjës me gradën komisar.

Raporti thekson se në vitin e kaluar ka dorëzuar pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar një listë me 115 emra punonjësish të Policisë së Shtetit, që në vlerësim të SHÇBA-së përbënin rrezik për pajisjen me certifikatë sigurie dhe aksesi në informacionet e klasifikuara. Nga këta 115 raste, DSIK u ka refuzuar certifikatën 75 punonjësve.

SHCBA thotë se në 2020 ka referuar në prokurori 317 punonjës të policisë, gardës dhe shërbimit zjarrfikës. Nga këta vetëm një punonjës është i nivelit drejtues të mesëm, 98 të tjera janë të nivelit të parë drejtues, 208 janë punonjës policie të nivelit zbatues, 5 efektivë të Gardës, 4 të zjarrfikëseve dhe 1 punonjës administrativ. Nga këto referime janë arrestuar e ndaluar 84 punonjës, 23 të nivelit zbatues, 17 të nivelit të parë drejtues, dy të Gardës dhe një punonjës i nivelit të mesëm drejtues.

Në total, raporti thotë se përgjatë 2020 ka marrë rreth 1400 ankesa ndaj punonjësve të policisë, ku rreth 35 për qind e tyre janë ankesa të ngritura ndaj strukturave të policisë së Qarkut Tiranë, ndërsa qarku me më pak ankesa ndaj policisë është ai i Beratit.

Sipas objektit të ankesave, pjesa më e madhe e tyre lidhen me mosveprimin e policisë gjatë një denoncimi të qytetarëve, pasuar nga shkelja e procedurave standarde të punës, gjobitje të padrejtë, shkelje e Kodit Etik dhe shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë