Analize

Gjermania kërkon mos përfshirjen e kufijve të Kosovës në dialog

Brenda tri ditësh Kosova është vizituar nga dy delegacione me përfaqësues të lartë politikë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Gjermania. Por edhe pse detajet e këtyre takimeve janë mbajtur larg syve të publikut, Berlini zyrtar mësohet se ka kërkuar që kufijtë mos te jenë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Pas vizitës së ndihmëssekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, David Hale, të hënën në Prishtinë mbërritën dy këshilltarët politikë të kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker dhe Mathias Luttenberg. Por ndryshe nga Hale, i cili ka kërkuar pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake dhe rikthimin në tryezën e dialogut, delegacioni gjerman duket se ka patur një qëndrim më pozitiv ndaj vendimeve të fundit të Prishtinës zyrtare.

Mediat në Prishtinë thonë se gjatë takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj, këshilltarët e Merkel e vunë theksin tek procesi i dialogut, konsolidimi i brendshëm i Kosovës, si dhe rruga euroatlantike e saj.

Haradinaj takon këshilltarët politikë të Angela Merkel

Ndryshe nga SHBA, Gjermania kërkon që gjatë bisedimeve mos të preken kufijtë aktualë të Kosovës. Pas përfundimit të takimit me dy këshilltarët e Merkel, Haradinaj nuk ka dhënë detaje, por ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë .
“Bisedë e hapur me këshilltarët politikë të Kancelares gjermane, Angela Merkel… Shteti gjerman është partner i rëndësishëm ekonomik dhe politik i Kosovës dhe zë i fuqishëm i saj në strukturat euroatlantike”, ka shkruar Haradinaj

Në anën tjetër analistët politikë në vend thonë se Haradinaj po ballafaqohet me kërkesë të vazhdueshme të amerikanëve për heqje të taksës, përderisa për të njëjtën masë tregtare ka mbështetje të heshtur nga gjermanët dhe nga anglezët.

Këshlltarët i kanë thënë Haradinaj se duhet të gjejë një zgjidhje rreth tarifës ndaj mallrave serbe, duke kërkuar të dinë nëse Kosova ka një plan për arritjen e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me Serbinë.

Pos sipas burimeve, këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të Gjermanisë kanë pasur prioritet bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Takimi, i cili nuk zgjati më shumë se një orë , duket të këtë më i lehtë se takimi me delegacionin amerikan për kryeministrin Haradinaj, i cili është përballur më një presion të pashembullt nga SHBA-ja për terheqjen e taksës.

Pas kryeministrit të Kosovës, këshilltarët e Angela Merkel janë takuar me presidentin Aleksandër Vuçiç në Beograd, takim i cili zgjati deri në mesnatë dhe raportohet të ketë qenë mjaft i tensionuar.

Edhe pse detajet dhe çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi mbeten ende mister, mediat serbe shkruajnë se shteti gjerman është duke mbështetur kryeministrin Ramush Haradinaj, duke mos bërë presion për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

“Gjermania mbështet drejtpërdrejt kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj”, shkruan gazeta serbe “Demostate” duke cituar burime diplomatike perëndimore."Haradinaj dhe gjermanët këmbëngulin në ruajtjen e integritetit të Kosovës, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërkojnë me ngulm arritjen e një marrëveshjeje”.

Pas takimit të këshilltarëve të kancelares Merkel me presidentin serb, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçic ka lënë të kuptohet se Beogradi është i pakënaqur me qendrimin e Berlinit. “Disa vende po luajnë një lojë të dyfishtë rreth Kosovës dhe më besoni kur them se nuk po flas për Shtetet e Bashkuara”, deklaroi ai.

Gati dy dekada pas luftës së përgjakshme për pavarësi, ndryshimi i kufijve të Kosovës nuk është më një tabu për Perëndimin. Diskutimet për një shkëmbim të mundshëm territorial mes dy vendeve duket se kanë tanimë “dritën jeshile” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Europian.

Angela Merkel dhe Donald Trump

E vetmja që qëndron e palëkundur, nga ana tjetër e “murit të rezistencës” për mbrojtjen e kufijve të Kosovës, duket se është Kancelarja gjermane , Angela Merkel, e cila këmbëngul se “kufijtë janë të shenjtë.” Teza Thaçi-Vuçiç për shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve duket se ka “trokitur” fillimisht në Uashington, ku Shtëpia e Bardhë është shprehur e hapur për çfarëdolloj zgjidhjeje.

Por si Haradinaj ashtu edhe, Angela Merkel janë kundër çdo skenari që përfshin ndryshimin e kufijve të Kosovës, duke paralajmëruar se kjo do të çonte jo vetëm në cënimin e sovranitetit të Kosovës, por edhe në një efekt domino në Ballkan.

SHBA dhe BE-ja kanë ecur gjithnjë krah për krahu në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas intervenimit të NATO-s për t’i dhënë fund luftërave të viteve 1999. Por kancelarja doli kundër shkëbimit të territoreve, duke thënë se një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve do të krijonin një precedent dhe të çonte në negociata të ngjashme në vende të tjera në Ballkan. “Duhet të jemi të kujdesshëm që negociatat mes Kosovës dhe Serbisë të mos çojnë në negociata në vendet e tjera të Ballkanit,” .


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë