Analize

Analistët perëndimorë: Thaçi po mashtrohet nga Vladimir Putin

“Hashim Thaçi po mashtrohet nga Vladimir Putin”. Ky është alarmi i ngritur së fundmi nga një ekspert i njohur amerikan. David Phillips, analit i njohur i politikës së jashtme, i cili ka deklaruar për mediat në Prishtinë se Rusia kundërshton çdo marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, me përjashtim, të një ujdie që do ta transformonte Kosovën në një shtet të cunguar nëpërmjet ndryshimeve të konceptuara keq të kufijve.

Edhe pse shumë zyrtarë në deklaruan se pas takimit mes presidentit Hashim Thaci dhe Vladimir Putin në Paris deklaruan se Rusia do ta përkrahte një marrëveshje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, eksperti i njohur amerikan Phillips thotë se Moska po luan me Prishtinën.

Ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka deklaruar për “Zërin” se Rusia do të pranonte vetëm një marrëveshje që do ta transformonte Kosovën në një shtet të cunguar dhe të përçarë. Sipas Phillips mbështetja e idesë për ndarjen e Kosovës gjithashtu i përshtatet qëllimit strategjik më të gjerë të Rusisë” Ky skenar do të nxisë përçarje të thella në shoqërinë e Kosovës, të cilat mund të rezultojë edhe në dhunë, duke diskredituar kështu projektin e Kosovës”, thotë eksperti.

“Presidenti Thaçi është mashtruar nga Vuçiçi dhe Putini duke menduar se ndryshimi i kufijve është një opsion i mundshëm. Kjo nuk është zgjidhje. Ndryshimi i kufijve do ta dobësojë Kosovën dhe do të krijojë përçarje të thella në shoqërinë kosovare”, shprehet Phillips.

I të njëjtit mendim duket se është edhe Pedi Eshdaun, një analist ndërkombëtar që studioi pasojat e luftës së Bosnjes. Ai ka bërë thirrje publikisht Bashkimit Europian që të ndalojë shkëmbimin e territoreve. “Kalimi i kufijve të Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhë konfliktet, por do t’i përkeqësojë edhe më tepër marrëdhëniet”, thotë ai. “Paqja mund të vijë vetëm kur mësojmë si të jetojmë në bashkësi multietnike dhe jo kur rishkruajmë kufijtë. Nuk ka asnjë politikë që ka më shumë gjasa të na çojë drejt luftës dhe konflikteve në Ballkan, sesa ajo që po mbështesim tani”.

David Phillips

Ideja për ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është bërë publike këtë verë dhe ka marrë bekimin e shumë fuqive ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Rusisë, por ka ngritur shqetësime të thella mes ekspertëve. Por kush e ka dha dritën jeshile dhe përse mbështet ky skenar nga Kremlini?

Qëndrimi “paqësor” i Putinit ndaj perspektivës së arritjes së një marrëveshjeje ishte një lëvizje e papritur politike nga ana e Kremlinit, i cili përkrahësi kryesor i Serbisë për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Moska duket se është duke u përpjekur të luajë një rol në zhvillimet e rëndësishme të politikës ballkanike, duke u përqendruar sidomos tek tensionet e fundit rajonale që rrethojnë Serbinë dhe Kosovën.

Për shumë analistët perëndimorë dialogu Serbi-Kosovë është një mundësi e mirë për faktorizimin e Rusisë, e cila mund të ulet në tryezën e bisedimeve si një aktor i barabartë me SHBA-në për shkak të ndikimit që ka mbi Beogradin. Presidenti serb ka paralajmëruar tanimë se nëse Prishtina përfshin SHBA-në në dialog, Beogradi nuk do të ngurojë të thërrasë përkrah saj Rusinë.

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Përfshirja e Rusinë në dialogun Prishtinë-Beograd duket se erdhi pas takimit të parë mes Vladimir Putin dhe Donald Trump dhe raporteve se dy presidentët kishin folur për Kosovën. Në atë kohë, analistët më të zëshëm britanikë, nuk përjashtonin në atë kohë as konfliktet e mundshme në Ballkan.

“Kosova do të mund të përdoret si një koncesion në një epokë të re të pajtimit të SHBA-së dhe Rusisë”, deklaronte ish-ministri britanik Denis MacShane. Sipas tij, Moska mund të jetë duke bërë një lëshim të madh për njohjen e Kosovës, si pjesë e vendosjes së marrëdhënieve të reja ndërmjet Amerikës dhe Rusisë.

Ai deklaronte se Moska mund të njihte Kosovën si pjesë e një marrëveshjeje të plotë qëllimi i së cilës do të ishte mbyllja e problemet e ndryshme diplomatike të periudhës së pas luftës së ftohtë mes Uashingtonit dhe Moskës.

Ndërkohë, Igor Pshenichnikov, këshilltar i drejtorit të Institutit rus të Kërkimeve Strategjike, nuk e përjashton mundësinë që Shtetet e Bashkuara mund të “ofrojnë” Krimenë për Kosovën. Por ai është i bindur se Moska nuk do të pajtohej në asnjë rrethanë.

“Me njohjen e Kosovës, ne do të kishim humbur aleatin tonë kryesor në Ballkan, por kjo do të ishte edhe një sinjal për të gjithë ata që kanë pretendime separatiste në Serbi. Për më tepër, njohja e Kosovës nga Rusia do të thoshte shkelje e sistemit ekzistues të së drejtës ndërkombëtare, kjo do të ishte një akt imoral, dhe për këtë arsye Rusia kurrë nuk do ta bënte”, deklaro ai për mediat serbe.

Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi

Për ekspertët ndërkombëtarë asnjë marrëveshje që mbështetet nga një anti-shqiptar Putin nuk është një ogur i mirë për Kosovën. Por për çudinë e të gjithëve, një nga kundërshtaret më të mëdha të pavarësisë së Kosovës është më e angazhuar se kurrë për arritjen e një marrëveshjeje, e cika do t’i mundësonte Prishtinës anëtarësimin në OKB.

Së fundmi ishte kryeministri Ramush Haradinaj ai hodhi akuza të forta duke deklaruar se në Shqipëri dhe Kosovë janë paguar pará nga Moska në favor të projektit të ndarjes së Kosovës. Sipas kryeministrit kosovar, Rusia, e cila ka arritur të “shtijë në dorë media dhe pushtetarë”.

“Në Shqipëri është lobuar edhe më parë për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë me shumë para në Shqipëri. Rusët kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë hedhur shuma të mëdha parash për të ndarë Kosovën duke lobuar në media, televizione dhe pushtetarë”, deklaroi Haradinaj, duke theksuar se kushdo në Shqipëri që del publikisht dhe thotë t’i japin Serbisë Veriun e Kosovës, së bashku me minierën e Trepçës, është duke folur me paratë e rusëve.

“Nëse u themi shqiptarëve ‘shkëmbeni Veriun për 500 miliardë euro, ndërkohë që Shqipëria buxhetin vjetor e ka 4 miliardë dhe Kosova 2 miliardë, shumë zyrtarë në Kosovë dhe në Shqipëri do të pranonin”, deklaroi Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë