Lajme

Gjendja e fatkeqësisë natyrore, Rama: Të zgjatet deri në mars

Qeveria zgjat me tre muaj afatin i gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka paraqitur kërkesën në parlament për të marrë vendimin për dhënien e pëlqimit të zgjatjes së fatkeqësisë natyrore deri në mars të 2020. Një nismë e tillë është marrë pas kërkesës së paraqitur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Fillimisht qeveria kishte marrë vendimin për caktimin një afati 30 ditor për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme të pjesshme për qarqet e prekura nga tërmeti, si në Durrës, Tiranë dhe Kurbin. Kjo gjendje e jashtëzakonshme e shpallur përfundonte me 28 dhjetor të këtij viti. Nisur nga fakti se situata është akoma në një emergjencë, qeveria ka menduar të shtyjë këtë afat, por kësaj here një vendim i tillë nuk mund të merret me anë të Këshillit të Ministrave.

Faksimile e kërkesës së kryeministrit Rama për Parlamentin. Gazeta "Si", 16 dhjetor 2019

Neni 174 i Kushtetutës parashikon se “Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit”. Ndërsa në pikën dy të kësaj dispozite përcaktohet se zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.
Pikërisht ky propozim pritet që të miratohet në komisionin parlamentar të Sigurisë. Deputetët do ta miratojnë një propozim të tillë dhe së shpejti pritet që të votohet në seancë parlamentar. Pas tërmetit të 26 nëntorit, pati shumë thirrje nga opozita për shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare për zonat e prekura nga tërmeti. Këto kërkesa u bënë edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Fillimisht qeveria shpalli si zona emergjente për Durrësin e Tiranën, ndërsa opozita insistonte që një gjë e tillë të bëhet edhe për qarkun e Lezhës. Kryeministri Edi Rama, e pranoi që të shpallte këtë gjendje për zonën e Kurbinit. Me shpalljes e kësaj gjendje të jashtëzakonshme, qeveria ka detyrimin për rimëkëmbjen e zonave të prekura nga tërmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë