Politike

PD kundër zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme: Rama fsheh krizën politike

Partia Demokratike del kundër vendimit të qeverisë për zgjatjen e afatit me tre muaj të gjendjes së jashtëzakonshme në tre qarqet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në një deklaratë për median, PD-ja e cilëson jo në funksion të qytetarëve të prekur nga tërmeti, por të axhendës politike të Edi Ramës.
“Për një qeveri, e cila nuk ka si prioritet përfitimet politike dhe financiare nga fatkeqësia e mijëra njerëzve, 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe spitaleve të dëmtuar. Këtë afat Edi Rama e përdori për show dhe jo për ofrimin e zgjidhjeve në dobi të qytetarëve të prekur nga tërmeti. Asnjë plan i prezantuar, asnjë masë konkrete e marrë, vetëm fjalë boshe, identike me fjalët boshe pas tërmetit të Qershorit 2019 në zonën e Korçës dhe tërmetit të 21 Shtatorit”, thuhet në deklaratën e selisë blu.
Për partinë më të madhe të opozitës, qeveria ka treguar paaftësi se 30 ditë pas gjendjes së jashtëzakonshme nuk arritur të bëjnë planin nevojshëm për marrjen e masave që përballojnë fatkeqsinë natyrore.
“Propozimi i Edi Ramës që gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjasë deri në mars 2020 nënkupton që qytetarët do të mbahen peng dhe deri atëherë Qeveria nuk do t’i ofrojë asnjë zgjidhje. Qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kanë nevojë urgjente për zgjidhje. Për Partinë Demokratike është e rëndësishme që qytetarët të qartësohen sa më parë, që Qeveria të prezantojë menjëherë masat për mënjanimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, që Qeveria të mos shtyjë zgjidhjen e situatës, por të planifikojë fondet e mjaftueshme financiare për t’i dhënë zgjidhje qytetarëve. Kjo duhet të bëhet tani, pa asnjë shtyrje, pa asnjë zgjatje”, thuhet në reagimin e PD-së.
Por në të njëjtën kohë, PD-ja e lidh edhe në aspektin politik, duke theksuar se synimi i Ramës është për të mos zgjidhur krizën politike dhe për të mos realizuar reformat.
“Duke shtyrë me 3 muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore, Edi Rama kërkon të fshehë krizën e rëndë politike në vend, duke keqpërdorur krizën pas tërmetit, të shkaktuar, në një masë të madhe, nga korrupsioni shtetëror dhe paaftësia për të menaxhuar situatën. Duke shtyrë edhe me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme, Edi Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, për sa kohë vendi është në një situatë të tillë”, thuhet në reagimin e PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë