Futboll

Futboll dhe libra, kush tha që lojtarët dinë vetëm topin?

Futboll dhe libra. Dikur ishte ndoshta e paimagjinueshme, sepse janë dy gjëra që nuk mund të rrinë bashkë. Sokrates, kampioni i famshëm brazilian i viteve ‘80, përveç aftësive në fushë, njihej nga i gjithë opinioni për faktin se ishte i diplomuar në Mjekësi. Rast shumë i rrallë për kohën. Por tani jo të gjithë futbollistët kanë vetëm topin në kokë. Përkundrazi, janë të shumta ata që vitet e fundit po rrëzojnë gradualisht mitin e sportistëve të pashkolluar. Në listën e të diplomuarve është edhe Erjon Bogdani ynë, ish-lojtar i Kombëtares dhe disa skuadrave në Itali, tashmë trajner i Kombëtares U-19. Pas stërvitjes, shumë lojtarë, mes tyre edhe emra nga më të njohurit, u dedikohen studimeve dhe kanë rezultate shumë të mira.

Doktori dhe kampioni i madh brazilian, Sokrates

Kush tha që lojtarët kanë vetëm muskuj? Vite më parë, një thënie e paharrueshme e Vujadin Boshkov mbeti në histori: “Koka e lojtarëve është e mirë vetëm për të mbajtur kapelën”. Por që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar. Shumë kampionë të topit kanë zgjedhur të studiojnë edhe për faktin se futbolli modern është një imazh tjetër dhe ka një mënyrë tjetër sjellje në krahasim me të kaluarën. E thënë thjeshtë: stereotipi i futbollistit injorant po zhduket. Dhe janë të shumë ata që e vërtetojnë këtë gjë, duke nisur nga sulmuesi i Polonisë dhe Bajernit të Mynihut, Robert Levandovski, i diplomuar në Edukim Fizik.

Kuptohet, futbollistët nuk e marrin diplomën e pjekurisë në moshën 18-vjeçare, si gjithë të tjerët. Ata i vazhdojnë studimet në moshë më të madhe, sepse impenjimet me futbollin i pengojnë. Ky është rasti i kapitenit të ardhshëm të Juventusit, Xhorxho Kielinit, i diplomuar shkëlqyeshëm në Administrim Biznesi me një tezë që mund të merret lehtë me mend: administrimin e një klubi futbolli. Cili klub? Juventusi, natyrisht. Vazhdon të luajë, por ka edhe një të ardhme të garantuar si drejtues klubi.

Mbrojtësi i Juventusit, Xhorxho Kielini, në momentin e marrjes së diplomës

Ekonomisti ynë, Erjon Bogdani

Profesionet që shumë lojtarë kanë zgjedhur janë të ndryshme. Erjon Bogdani, ish-lojtari i Kombëtares dhe disa skuadrave në Itali, si Rexhina, Verona, Siena, Salernitana, Kievi, Çezena dhe Livorno, zgjodhi të vazhdonte studimet në Fakultetin Ekonomik. Para se të tërhiqej nga futbolli i luajtur, ai ishte ndër të paktët futbollistë të diplomuar në Serinë A dhe shumë e thërrisnin “Doktor Bogdani”. Fakti që ish-sulmuesi kuqezi ishte e i diplomuar, i çudiste jo pak italianët. Bogdani tani drejton Kombëtaren e 19-vjeçarëve të Shqipërisë. Pas tij janë diplomuar në Itali edhe lojtarë të tjerë të njohur si Juto Nagatomo, Fabio Pekia, Adrian Mutu, Gulielmo Stendardo etj.

Ish-sulmuesi i Kombëtares, Erjon Bogdani, kur luante në Itali

Spanjollët  “e zgjuar”

Andres Injiesta është nga ata lojtarë që kanë vuajtur shumë nga dëmtimet dhe për të kuptuar më shumë rreth problemeve fizike ai ka vendosur t’u hyjë me themeli studimeve. Është diplomuar në Shkencat e Sportit dhe është profesor i Edukimit Fizik, edhe pse të gjithë dëshirojnë të quajnë “iluzionistin” e topit. Kurse ish-shoku i tij te Spanja, Ksabi Alonso, ka menduar për një të ardhme alternative dhe është diplomuar për Ekonomi dhe Tregti. Ndoshta e ka menduar veten larg futbollit. Zherard Pike dhe Huan Mata janë dy lojtarë të tjerë spanjollë të diplomuar. Lojtari i Barcelonës ka përfunduar tashmë masterin për Biznes, Media dhe Sport në Harvard. Kurse Mata, ashtu si Injesta, është diplomuar për Edukim Fizik.

Mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, në Harvard

Profesor Arsen Vengeri

Skuadra, apo klasa, quajeni si të doni, mund t’i besohet pa dyshim Arsen Vengerit, i cili jo rastësisht është quajtur nga të gjithë “Profesori”. Ish-trajneri i Arsenalit për shumë vite është diplomuar për Inxhinieri në Strasburg, ndërsa më vonë ka ndjekur studimet për specialist në Ekonomi. Flet shumë mirë disa gjuhë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, por ka njohuri të bollshme edhe për gjuhë si italishtja, spanjishtja dhe japonishtja. Mëkat që nuk drejton më një skuadër, por shumë mirë mund të ulet në një katedër.

Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, Arsen Venger, i diplomuar për Inxhinieri

Përjashtimi Najxhëll de Jong

Kush e mendonte që edhe holandezi “i egër” do të bënte pjesë në këtë kategori. Najxhëll de Jong, i njohur më shumë për ndërhyrjet e tij prej “killeri” në fushë,  ia ka dalë që përveç futbollistit të bëhet edhe ekonomist. “Kur je futbollist, nuk ke një të ardhme të sigurt dhe duhet të kesh një kartë tjetër në dorë për të mos përfunduar keq pas tërheqjes nga futbolli”, - ka thënë De Jong, i vetëdijshëm se nëse ndeshesh me një si ai në fushë, mund ta mbyllësh karrierën para kohe.

De Jong dhe Ksabi Alonso, dyluftim "normal" mes dy të diplomuarish


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë