Politike

“Ftesa e munguar për Ramën, ‘Mesazhi’ i Greqisë për çështjen Beleri”

Vendimi i kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për të ftuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në një darkë jozyrtare të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë të hënën në vend të kryeministrit të vendit fqinj, Edi Rama, shihet si një reflektim i shqetësimit të Greqisë me Tiranën. Media greke Ekathimerini shkruan se ndalimi i vazhdueshëm i Fredi Beleri, i cili nuk është lejuar të marrë detyrën si kryebashkiak i Himarës është bërë shkas i shqetësimit.

“Beleri u arrestua më 12 maj me akuza për ryshfet ndaj votuesve, një akuzë që ai e mohon dhe u zgjodh kryetar bashkie më 14 maj të Himarës, një qytet në Shqipërinë jugore të populluar kryesisht nga grekë etnikë”, shkruan Ekathimerini.

Apelimet e tij të përsëritura të paraqitura në gjykatat e Tiranës janë rrëzuar dhe Greqia ka protestuar vazhdimisht për ndalimin e tij të vazhdueshëm.

Burime diplomatike i thanë Kathimerini se vendimi i kryeministrit grek është një mënyrë diplomatike për t'i treguar jo vetëm Ramës, por edhe liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, se Greqia nuk negocion për çështje parimore, siç është respektimi i të drejtave të njeriut dhe në rastin e Belerit konsideron se po dhunohen nga Shqipëria.

Ajo që i përkeqësoi gjërat ishte qëndrimi i Ramës katër ditë më parë, me rastin e protestës në Himare në mbështetje të kryebashkiakut të burgosur, që nuk i ka pëlqyer Athinës.

Ndër të tjera, Rama akuzoi Greqinë për ndërhyrje në procesin gjyqësor dhe e përshkroi përpjekjen e Athinës si “surreale”, ndërsa sulmoi edhe nënpresidentin e Komisionit Europian Margaritis Schinas për ndërhyrjen e tij të fundit në favor të lirimit të Belerit.

Grekët në Athinë dhe në Bruksel, tha Rama, po përpiqen “ta paraqesin këtë çështje që është marrë nga gjyqësori si një çështje e minoritetit grek”. Ai pohoi gjithashtu se Athina e ka përshkallëzuar çështjen në një mënyrë të paprecedentë.

Pala greke ka një qëndrim krejtësisht të kundërt, duke këmbëngulur se është qeveria Rama ajo që po ndërhyn në punën e drejtësisë sepse rezultati në Himare me fitoren e Belerit nuk ishte ai që priste.

Darka joformale të hënën me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së të rajonit për një diskutim mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit synon të nxjerrë në pah rolin udhëheqës të Greqisë si një shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore.

Burimi: Ekathimerini. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë