Ngjarje

Foto / Tërmeti, me dhjetëra pasgoditje. Rreth 22 shtëpi të dëmtuara në Klos dhe Bulqizë

Gazeta Si - Gjatë gjithë natës së 16 janarit, disa dhjetëra pasgoditje të tjera tërmeti me magnitudë 2 ose pak mbi 2 ballë janë regjistruar në territorin shqiptar.

Rreth 22 banesa rezultojnë të dëmtuara në Klos, Gurrë dhe Xibër nga tërmeti me magnitudë 4.7 ballë që ra mbrëmjen e së dielës me epiqendër në Xibër.

Kështu, 12 banesa në fshatrat e Klosit, por dhe në qytet janë raportuar të dëmtuara. 8 të tjera janë raportuar të dëmtuara në Xibër dhe 2 në Gurrë. Por edhe në Bulqizë raportohet për dëmtime, ku një pallat ka pësuar plasaritje të mëdha.

Banesat kanë pësuar çarje të lehta. Kryesisht kanë shfaqur problematika ato banesa të amortizuara që kanë pasur dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. 

Sakaq, dy lëkundje me magnitutë njëra prej të cilave 3.4 ballë e shkallës Rihter me epiqendër 9 km nga Burreli janë regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në orën 10:07.

Goditja e madhe dhe e fortë u regjistrua në orën 22:37 të mbrëmjes së 15 janarit, ku u ndje në 4 shtete, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe Mal të Zi.

Në të vërtetë, tërmeti, 4.7 ballë i shkallës Rihter, ka shkaktuar shqetësime te qytetarët, kryesisht në veri dhe në Tiranë.

Epiqendra e tërmetit ka qenë 25 kilometra në veri-lindje të Tiranës, ku intensiteti mësohet të ketë qenë rreth 6 ballë.

Lëkundjet janë ndjerë më shumë në zonën e Klosit dhe Bulqizës, por nuk kanë kursyer as kryeqytetin dhe qytete të tjera si Pogradeci, Durrësi, Lezha, Durrësi, Elbasani dhe Shkodra.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bëri të ditur se janë raportuar dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos, në disa banesa ku ka pasur plasaritje të mureve.

Problemet e para janë raportuar në disa fshatra në Klosit, por gjithashtu dhe në Bulqizë, ku raportohet për 22 shtëpi të dëmtuara.

Një pallat në Bulqizë që ka pasur shumë dëme që nga tërmeti i fortë i nëntorit, është plasaritur edhe më shumë.

“U trembëm sa të duash. Ishte shumë i fortë. Frikë kemi, sepse nuk dihet. Ndoshta ka dhe goditje të tjera. Pallati është me probleme që në 2019“, thanë banorët të frikësuar.

Njëri prej tyre tregoi disa nga dëmtimet që ka pësuar në shtëpi. “Ky pallat ka shumë dëmtime dhe plasaritje. Janë shtuar shumë. Kemi frikë të rrimë këtu”, u shpreh banori.

Pas goditjes së parë të fortë, në kryeqytet qytetarë të shumtë dolën nga banesat e tyre. Brenda pak minutash qendra e kryeqytetit u popullua nga automjete të shumta.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se “të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha Bashkitë e vendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë