Ka ndodhur

Kosova në krah të Shqipërisë pas tërmetit 4.7 ballë: Të gatshëm t’iu ndihmojmë

Gazeta Si - Ministri i Mbrojtjes së Kosovës ka kontaktuar homologun e tij në Shqipëri, Niko Peleshi pas tërmetit 4.7 ballë, të cilit i ofroi gtaishmërinë e plotë të FSK-së për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në zonat ku mund të ketë nevojë.

Mehaj, nëpërmjet një postimi në facebook, bën me dije se gjatë një bisede telefonike me Peleshin i ka ofruar këtij të fundit të gjithë ndihmën dhe kapacitetet specialiste të FSK-së në mbështetje të qytetarëve të Shqipërisë.

“Nga autoriteti im zyrtar dhe përgjegjësia vëllazërore, i shpreha gatishmërinë e plotë dhe të menjëhershme për mbështetje në reagim me të gjitha kapacitetet tona specialistike operacionale të FSK-së. Përveç mirënjohjes vëllazërore, Ministri Peleshi më gëzoi me informacionin se aktualisht gjendja është nën menaxhim dhe kontroll të strukturave të Mbrojtjes Civile të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Klosit. Së bashku me Ministrin Peleshi do të jemi në komunikim intenziv, si gjithmonë, për monitorim të situatës në vazhdim. Në të mirë e në vështirësi jemi bashkë si gjithmonë!”, ka shkruar Mehaj në facebook.

Tërmeti i fortë një natë më parë ka shkaktuar panik te banorët në disa qytte të vendit, duke dalë jashtë shtëpive.

Lëkundjet janë ndjerë në të gjithë vendin. Pas tërmetit 4.7, janë regjistruar disa pasgoditje, intensiteti i të cilave ka qenë në ulje të vazhdueshme.

Sipas informacioneve të para, janë raportuar disa dëme të lehta në disa fshatra të Klosit dhe Bulqizës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë