Menaxhim

Tërmeti/ Balluku: Duhet ndërhyrë me ndihmë sociale. Mos të lejohet qëndrimi i familjeve brenda ndërtesave të dëmtuara

Pas tërmetit me magnitudë 4.7 righter i cili shkaktoi dëme në disa banesa në Klos, zv/kryeministrja njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në mbledhjen e shtabit të emergjencave, ngritur në bashkinë e Klosit.

Balluku theksoi se kanë hasur vështirësi me disa familje të cilat nuk duan të largohen nga banesat e tyre edhe pse këto të fundit janë dëmtuar nga tërmeti.

“Nuk duhet lënë pas dore asnjë kërkesë e qytetarëve. Është e rëndësishme që nuk kemi të lënduar, apo jetë jetë të humbura. Pallatet e Bulqizës janë të identifikuara prej kohësh janë shpallur të pabanueshme. Po punojmë për të gjetur një zgjidhje, duke qenë se nuk është përfshirë në rindërtim, po gjejmë ndoshta një zgjidhje me Entin e Banesave. Insistoj se disa nga familjet vijojnë të jenë brenda, duhet të merrni masa, s’ka asnjë shans të vijohet të qëndrohet aty kur pallati është shpallur i pabanueshëm. Edhe kur nuk i kemi mundësitë do i gjejmë së bashku. Nuk ka ngelur askush pa u trajtuar me qera banese,” tha Balluku.

Ajo shtoi se grupet nga 4 bashkitë duhet të jenë në terren.

"Të angazhohen jo vetëm forcat tona, por edhe lidhjet që ne kemi me organizata jo qeveritare, për t’i dhënë ndihmën e parë këtyre familjeve. Duhet ndërhyrë menjëherë për ndihmë sociale për ta. Instituti i ndërtimit me tre grupe pune do të jetë në terren. Është moment sensitiv, njerëzit janë të shqetësuar dhe në këtë moment vetëm për panik nuk kanë nevojë qytetarët.” -përfundoi Balluku

Prefekti i qarkut, Nexhbedin Shehu bëri të ditur se si pasojë e lëkundjeve nuk ka pasur dëmtime në shkolla apo në infrastrukturën e rëndësishme.

Ndërsa u theksua se për fat të mirë nuk pati jetë të humbura apo qytetarë të lënduar, Shehu u shpreh se grupet e punës kanë dalë në terren në kohë reale.

“Nuk kemi probleme të shëndetit te banorët. Ka pasur tronditje në momentet e para por situata të rënduara nuk kemi pasur. Katër shtabe të emergjencave janë mbledhur dhe nga mbledhjet janë ngritur grupe verifikimi në grupet administrative,” tha prefekti i qarkut Dibër ndër të tjera.

Për çdo ankesë që mund të kenë qytetarët u bë e ditur se do të shkojnë ekipe të posaçme nëpër banesa për të bërë verifikime.

Qytetarët kanë bërë deri më tani 169 ankesa për dëmtime banesash të cilat pritet të verifikohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë