Para

FMN: Shqipëria e fundit në Europë për paketat mbështetëse anti COVID-19

Në raportin më të fundit FMN vlerëson se Shqipëria është e fundit në Europë për mbështetjen që u dha bizneseve dhe qytetarëve të saj për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Mbështetja fnanciare  ishte rreth 1 % e PBB së vendit, më i ulëti mes vendeve në zhvillim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se qeveritë e vendeve të Europës aplikuan mbështetje të pashembullta fiskale që vepruan si stabilizues të mëdhenj automatikë, duke mbajtur nën kontroll gati gjysmën e rënies.

Kurse në masat fiskale të Shqipërisë ka dominuar më shumë rialokomi i shpenzimeve buxhetore.

Në vendet e zhvilluara të Europës masat fiskale ishin mesatarisht sa 6.2 për qind e PBB-ve përkatëse, teksa në vendet në zhvillimin këto masa ishin më të zbehta, duke zënë mesatarisht 3.1% të PBB.

FMN thekson duke argumentuar se në vendet në zhvillim të tilla si Shqipëria paketat e ndihmës ishin më të limituara për shkak të kufizimit të hapësirës nga borxhi i lartë publik.

Në përgjigje të masave mbrojtëse për përballimin e pasojave të pandemisë qeveritë në të gjithë botën, sidomos në Europë akorduan fonde për të mbrojtur vendet e punës, zgjeruan shpenzimet për shëndetësinë, ofruan ndihma direkte duke subvencionuar pagesat për punonjësit që dolën të papunë nga pandemia.

Disa shtete zgjeruan programet e punësimit, duke ndihmuar firmat që mbajnë punëtorët e tyre duke përdorur fondet publike për të paguar deri në 70-80 për qind të pagave bruto për orë të tëra pa punuar, ose duke siguruar lehtësim mbi kostot e punës pa pagë. Pagesat e papunësisë u zgjeruan gjithashtu.

Deri në gusht skemat e mbështetjes së punësimit janë zbatuar në masën 50-80 për qind në varësi të secilit vend.

FMN sugjeron ashtu sikurse edhe më parë gjatë pandemisë për vazhdimin e mbështetjes nga qeveritë  për kategoritë vulnerabël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë