Trajner i Dinamos në Shqipëri, në fillimin e rënies së saj në vitin 2009. Para stërvitjes policia bllokonte kompleksin stërvitor, skuadra kishte një afat kohor shumë të limitur për të kryer stërvitjen dhe fushat nuk ishin në gjendjen e tyre më optimale të mundshme. Kjo ishte pak a shumë gjendja e ekipit që stërviste trajneri Zlatko Daliç, që pas 9 vitesh po kërkon të fitojë Kupën e Botës.
Mund të tingëllojë e pabesueshme, por kroati kështu e ka filluar karrierën e tij, në mënyrën më modeste të mundëshme duke punuar me Dinamon në Shqipëri. Më pas, me largimin nga Shqipëria u end në disa skuadra pak të njohura në Arabi. Por një telefonatë e Davor Shuker, (president i federates kroate të futbollit), do t’ia ndryshonte jetën e 51-vjeçarit.
Sigursisht nuk është rastësi që një skuadër, e cila ka në përbërjen e saj emra si ka Modriç, Manxukiç, Rakitikiç, Perisiç apo Brozoviç të arrijë në këto nivele. Por kur mendon se para 8 muajsh kualifikimi ishte në pikëpyetje arsyeton se në këtë sukses të deritanishëm mund të ketë gisht edhe ai që rri në stol dhe që quhet Zlatko Daliç.
Ai e mori kombëtaren e vendit të tij në një moment delikat, kur rrezikonte pjesëmarrjen në kampionatin botëror, “Rusi 2018”. Më 9 tetor të vitit të kaluar, Daliç udhëhoqi Kroacinë në një fitore 2-0 ndaj Ukrainës duke e kualifikuar në Kupën e Botës. Por të gjitha këto duken sikur kanë ndodhur shekuj më parë, si për Kroacinë edhe për vetë Daliç, që tashmë po shijon suksesin dhe do të tentojë mbrëmjen e së mërkurës që të kualifkohet për në finalen e madhe të “Luzhniki stadium”.
Deri më tani gjithçka ka qenë me Kroacinë dhe Daliç, madje edhe fati në dy raste ka bërë që penalltitë të mbyllen në favorin e ballkanasve, por tashmë për të prekur finalen ka edhe një pengesë serioze, të quajtur Angli.
Nëse Daliç me Kroacinë e tij do ia dal që të paktën të shkojë në finalen e kësaj Kupe Bote, pa dyshim që do të ketë motiv për festë edhe në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.