Politike

Fletë votimi me shkarravina, që kaluan në favor të kandidatit të PS, KAS: Të rinumërohen votat për bashkinë Belsh

Kandidati i PS-së, Arif Tafani fitoi me vetëm 40 vota ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Bedri Qypi. Ashtu si edhe në rastin e Rrogozhinës votat që e nxorrën fitues ishin ato të dala nga kutia e votimit e burgut. Por deputeti i PD Dashnor Sula denoncoi në fundjave se janë disa fletë votimi të parregullta në favor të kandidatit të PS-se që janë konsideruar si të vlefshme nga numëruesit. Nisur nga ankimi i koalicionit të “BF” për rastin në fjalë, KAS shqyrtoi të hënën kërkesën e koalicionit të opozitës për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Belsh dhe miratimin e tabelës përmbledhëse duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave.

Konkretisht sipas përfaqësuesve ligjor të koalicionit, janë rreth 60 fletë votimi që rezultojnë të vlefshme, ndërkohë që duhet të kishte ndodhur e kundërta pasi janë me shënime, me pikëpyetje, e disa të tjera të shkarravitura, por që nga numëruesit i kanë kaluar si vota të vlefshme për PS.

Ata depozituan gjithashtu edhe një video ku sipas  tyre rezultojnë se në kuti ka dy fletë votimi më shumë sesa shkruhet në procesverbalin përfundimtar.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i PS-së tha se nuk mund të mos merret në konsideratë vullneti i votuesit, pavarësisht se si ka votuar.

“... Të kufizosh këtë moment dhe ta detyrosh apo t’ia bësh të pavlefshme vullnetin e qytetarit sepse s’ka bërë me X apo me një + sipas referimit nga KQZ, e vlerësojmë totalisht të pavend. Ky është momenti kur qytetari përcjell pushtetin për kryetarin e Bashkisë. Që këto tregojnë presion, janë pretendime që nuk korrespondojnë me kërkimin. Në vlerësimin  tonë provat duhet të pranohen dhe ia lemë KAS për të vendosur nëse do hapen apo jo”, u shpreh përfaqësuesi i PS.

Në fund të shqyrtimit të kërkesës, KAS vendosi që të rinumërohen fletët e votimit për bashkinë Belsh pas kërkesës së dy anëtareve të KAS Ledio Braho dhe Elvis Çefa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë