Politike

‘Rama deformoi rezultatin’, Berisha përplaset me Ballën, thirrje qytetarëve nga Kuvendi: Bashkojuni protestave

Nga Gazeta Si- Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sërish zgjedhjet duke folur nga foltorja e Kuvendit. Berisha u kërkoi qytetarëve që t’i bashkohen protestave si e vetmja rrugë, sipas tij, "kundër vjedhjes së votës".

“Krahas dërgimit të 6 mijë e ca zarfeve, rritjen e rrogave për 180 mijë punonjës, caktimit të kryetarit të koalicionit opozitar nga qeveria, qindra mln euro të shpërndara nën dorë nga Rama, që derformuan rezultatin, u përdor dhe një mekanizëm tjetër kriminal, monstruoz për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve. U përdorën zgjedhësit fantazmë, apo zgjedhësit që votuan potencialisht mbi 1 herë apo deri në 3 herë në qytete të ndryshme. Zgjedhësit fantazmë që votuan më shumë se një herë, ishin në total 547 mijë të tillë. Ka vetëm një rrugë që Rama mos të blejë me para nën dorë qindra mln euro vota. Që ai mos të përdorë më zgjedhësit fantazmë kundra jush, kjo rrugë është protesta dhe vetëm protesta”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Por kreu i grupi parlamentar i PS, Taulant Balla ironizoi Sali Berishën duke i thënë se këto probleme me matematikën ja ka lënë Lulzim Basha, ndërsa i tha që të japë dorëheqjen pasi nuk e votoi edhe Tropoja.

“U shpreh se ka 574 mijë zgjedhës në Shqipëri që paskan votuar dy herë. I bie sipas tij, që këta zgjedhës të gjithë të kenë votuar dy herë, nga 1 mln e 395 mijë vota që janë numëruar, opozita të ketë marrë më pak se 300 mijë. Ta ka lënë Luli këtë problem llogarish në matematikë. Bën mirë që humbjen e Tropojës ta konsiderosh si përfundimin e karrierës edhe të ikësh një herë e përgjithmonë edhe nga kjo sallë, kur s’të voton vendi jot, ç’të të votojnë më të tjerët”, i tha Balla Berishës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë