John Lynch/Business Insider -Kritikët po e quajnë filmin e ri të regjisorit Alfonso Cuarón –i vlerësuar me çmim “Oscar”, në vitin 2013, për filmin “Gravity” –si një nga më të mirët e të gjithë kohërave, në Netflix. Premiera e filmit, në Festivalin e Filmit në Venecia, u shoqërua me ovacion të gjatë dhe aktualisht ka një vlerësim pozitiv prej 93 përqind në Rotten Tomatoes. “Roma” do të debutojë në Netflix dhe në kinema në fund të vitit. Vlerësimi kritik nga Rotten Tomatoes e vendos filmin pas “Mudbound” të vitit 2017, si i dyti më i vlerësuar ndër filmat origjinalë të Netflix, të të gjithë kohëve.
“Roma” rrëfen historinë e Cleo-së (Yalitza Aparicio), një e re, e cila punon në një familje të klasës së mesme në lagjen Roma, të Meksikës. Duke i nisur një letër të bukur dashurie, gruas që e rriti, Cuarón vizaton fëmijërinë e tij për të krijuar një portret të gjallë dhe emocional të problemeve në familje dhe hierarkisë sociale, mes trazirave politike të viteve 1970.
Në një recensë për “The Hollywood Reporter”, kritiku Tom McCarthy e ka cilësuar filmin “një banjë që të zhyt në disa prej imazheve të bukura e luksoze që keni parë ndonjëherë” dhe e ka etiketuar regjinë e Cuarón –it si “vepra e një kineasti të madh që shfaq kontroll absolut dhe vetëbesim, në atë që bën.”
Cuarón-i ka thënë në një intervistë për “Variety” gjatë kësaj jave se ka gjetur një model shpërndarjeje “shumë harmonik” me Netflix, që do i lejojë “Roma”-s të debutojë në platformën “streaming” si edhe në kinema, në fund të vitit. “Variety” ka raportuar se “Participation Media” ia ka shitur filmin Netflix-it me “një lloj të ri marrëveshjeje hibride shpërndarjeje”, detajet e së cilës nuk janë zbuluar ende.
Të tjerë filma origjinalë të Netflix, si “Roma”, ndaj të cilëve kompania ka parë potencial për Oscar, përfshijnë “Mudbound” ( që mori katër kandidime për Oscar këtë vit). Filmi do të ketë një shfaqje të limituar, në disa kinema të zgjedhura për të respektuar kërkesat e Akademisë, që filmat të shfaqen për të paktën një javë radhazi në kinematë komerciale. Është e paqartë sesa e shtrirë do të jetë shfaqja në kinema për “Roma” , krahasuar me shembujt e kaluar dhe Netflix duhet ende të njoftojë premierën për filmin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.