Kinema

Festivali i Filmit në Sarajevë – shqiptari Alban Ukaj çel ceremoninë zyrtare

Ceremonia zyrtare e edicionit të   24 –t i Festivalit të Filmit në Sarajevë, i cili e ngriti siparin mbrëmjen e 10 gushtit është prezantuar nga aktori me origjinë shqiptare, Alban Ukaj, i cilësuar nga ky festival si një prej aktorëve më të rëndësishëm të brezit të ri. Besimi që ky festival u jep brezave të rinj, që do të udhëheqin kinemanë e së ardhmes, vjen si  shenjë e mbështetjes dhe promovimit të kineastëve të rinj të rajonit.

Festivali i 24-t i Filmit në Sarajevë, 10 gusht 2018

Ukaj, i lindur më 1980-ën, në Prishtinë, ka ndjekur  studimet në Akademinë e Arteve Dramatike në Prishtinë, në klasën e profesor Faruk Begollit, ndërsa më  2001-shin, u shpërngul drejt Sarajevës për  të vijuar  studimet në Akademinë e Arteve Performuese në Sarajevë, ku prej asaj kohe angazhohet në teatrot e Sarajevës, si edhe në prodhimet filmike si “Notre Musique” nga Jean-Luc Godard, “Syri Magjik”, me regji të Kujtim Çashkut,  “Rojtarët e Natës” nga Namik Kabil, “Heshtja e Lornës” nga Jean-Pierre Dardenne dhe Luc Dardenne, film i  vlerësuar në Festivalin e Kanës,“Bota” nga Iris Elezi, i vlerësuar me çmim në Festivalin e Filmit Karlovy Vary dhe “Martesa” nga Blerta Zeqiri, vlerësuar në Festivalin e Filmit të Talinit, si edhe pjesëmarrës në këtë edicion të Festivalit të Sarajevës.

Alban Ukaj në ceremoninë zyrtare që çeli Festivalin e Filmit në Sarajavë

Ukaj  është vlerësuar disa herë si aktori më i mirë në festivalet e teatrit në Bosnjë dhe Hercegovinë, si edhe në rajonin e Ballkanit dhe është anëtar i përhershëm i Ansamblit të Teatrit të Luftës në Sarajevë  (SARTR). Ai ka realizuar filmin e tij të parë me metrazh të shkurtër  “Kali” , ku veç regjisë ka shkruar edhe skenarin, film i cili  është vlerësuar në disa festivale ndërkombëtarë në Europë  dhe Amerikë. Ai është bashkëthemelues i “Kontakt”, shoqatës për promovim dhe eksplorim të arteve performuese në Bosnjë dhe Hercegovinë. Aktualisht Ukaj po punon për realizimin e  filmit të tij të dytë me metrazh të shkurtër.

Gjatë ceremonisë së cceljes së këtij festivali, regjisori  Nuri Bilge Ceylan dhe themeluesi i Fondacionit Hastor, Nijaz Hastor  u vlerësuan me Zemrën e Nderit të çmimeve të Sarajevës.

Ceremonia më pas vijpi  me shfaqjen e filmit “Lufta e Ftohtë”,  të  regjisorit Pawel Pawlikowski, fitues i çmimit ‘Oscar’ dhe po me këtë film, është vlerësuar si regjisori më i mirë në edicionin e   71-të të Festivalit të Filmit në Kanë. Pawlikowski nuk është i vetmi fitues i ‘Oscar’-it që merr pjesë në këtë ngjarje të filmit.  I  pranishëm është edhe kineasti iranian  Asghar Farhadit, dy herë fitues i çmimeve të Akademisë, i cili është në krye të jurisë ndërkombëtare.

Këtë vit, do të shfaqet një shifër rekord prej 266 filmash nga 56 shtete , nga të cilët 52 prej tyre do të kenë premierat botërore, ka bërë të ditur  drejtori i festivalit, Mirsad Purivatra.

Festivali , i fokusuar  në promovimin e autorëve nga Europa Lindore e Juglindore ka forcuar bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit, duke krijuar një platformë pajtimi përmes artit. Festivali i Filmit në Sarajevë  vlerësohet si  konkursi dhe platforma më e madhe e industrisë së filmit, me një shtrirje nga  Vjena në Stamboll.

Juria e FFS, me në krye kineastin iranian Asghar Farhadi

I prezantuar në vitin 1995 si një akt sfide ndaj shtetrrethimit prej 43 muajsh të Sarajevës nga forcat boshnjake-serbe, festivali është shndërruar në  një fener të mbijetesës kulturore  të kryeqytetit boshnjak, duke tërhequr me mijëra pjesëmarrës çdo vit dhe me një ndikim domethënës në ekonominë vendase. Një studim i pavarur nga Olsberg SPI, organizata britanike për konsulencë, ka zbuluar se Festivali i Sarajevës ka gjeneruar  30.8 milionë dollarë për ekonominë e Sarajevës,  vitin e shkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë