Keshilla

Fëmijët me autizëm dhe karantinimi, si të sillemi e të veprojmë

Kjo periudhë është shumë e vështirë, si për ne, ashtu edhe për fëmijët me autizëm, madje sidomos për ta. Një fëmijë me autizëm e ka shpesh të vështirë të kuptojë situatën ku ndodhet dhe prandaj mund të mos krijojë përshtatshmëri të menjëhershme me karantinimin. "Në vetvete, karantinimi nënkupton një kufizim të lirisë, si shkak i një gjendjeje të jashtëzakonshme, por sesa arrin një fëmijë me autizëm, të kuptojë përse ndodhet ne karantinë, është e diskutueshme" thotë për gazeta "Si" Silvana Gjoni, Logopediste dhe terapiste.
Sipas saj, fëmijët me autizëm, kërkojnë vëmendje dhe mbase në këtë kohë, stresi i prindërve ndikon tek ata, dashur pa dashur. Atyre i’u mohohet të shkuarit në terapi dhe gjithë hapësira e tyre kufizohet mes katër mureve. "Kjo i irriton shpesh, por edhe mungesa e rutinës, që për ata është jetësore, e agravon gjendjen. Shumë shpesh, prindërit mund të përballen me fëmijë që bërtasin, qajnë, grinden, hidhen në çdo kënd të dhomës, nuk të kthejnë përgjigje për pyetjet që ju bën", shton ajo. Të gjitha këto janë sfida që shumë prindër përballen, duke i shtuar edhe faktin e prishjes së rutinës se tualetit apo të ngrënit. "Fëmija juaj mund te reshtë së beri shume aktivitete që bënte më përpara, sepse nuk ka trapistin që e udhëzon dhe prindi nuk është i trajnuar për të ofruar këtë shërbim. Por, gjithsesi, në këtë situatë, çdo prind duhet te krijoje përshtatshmërinë e duhur për t’i ofruar fëmijës se tij më të mirën, për të mos e shkëputur nga aktiviteti normal i jetës së përditshme, me aq sa kanë mundësi", shton Gjoni.

Silvana Gjoni

Cilat janë disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen prindërit e fëmijëve me autizëm në këtë kohë karantinimi?
Janë të shumta. Mund të këtë regres të sjelljes së përgjithshme, tantrume, të qara, defiçit në rutinën e tualetit, higjienës, veshjes, të ngrënit, aftësive akademike e kështu me radhe. Prindërit përballen me gjithë këto, por duhet të dine se nuk janë vetëm, sepse ka shume trapiste dhe analiste sjelljeje që janë të aftë dhe të disponueshem t’i ndihmojnë në çdo kohe, mjafton të kenë dëshirën të bëjnë një ndryshim për fëmijët e tyre në këtë periudhe. Gjithashtu, kuptoj edhe prindërit të cilët lodhen shpesh nga sjelljet kundërshtuese të fëmijës, por me e rëndësishmja është durimi dhe dashuria.
Cilat janë disa praktika kryesore për të vazhduar trajtimin e fëmijëve me autizëm edhe në shtëpi?
Shume trapiste ofrojnë teleterapine, pra praktikimin online të metodës terapeutike, jo direkt me fëmijën, por me prindin, i cili udhëzohet përmes komunikimit online për mënyrën sesi te aplikoje një program efektiv terapie. Deri me tani, e aplikuar edhe nga qendra jone, ka rezultuar shume e suksesshme në mbajtjen e aftësive të mësuara deri tani, por edhe në arritjen e aftësive të reja. Me lejoni t’ju them, nuk e paskemi ditur se ka nena kaq të përkushtuara dhe të devotshme, por njëherazi edhe trapiste kaq te zonja, derisa erdhi kjo situate. Me fjale të përmbledhura, teleterapia është një nder metodat e përdorura për këta fëmijë, që te mos pësojnë regres në zhvillimin e tyre global. Prindi është ai qe aplikon terapinë, nën supevizimin e terapistit apo analistit te sjelljes. Këtu i referohemi zakonisht metodës ABA (Analiza e Aplikuar e Sjelljes).

Si e përjetojnë fëmijët me autizëm gjendjen e karantinës?
Si të gjithë ne, mund ta përjetojnë me frike dhe pasiguri. Me ndjesinë se diçka është shkëputur nga rrjedha normale e jetës se tyre, rutina e tyre është ndryshuar dhe nuk po përshtaten dot. Ndryshimi është se këta fëmijë, e kanë të vështirë të kuptojnë arsyen pse ndodh ky izolim dhe përse nuk mund të dalin të luajnë si çdo ditë, te shkojnë në shkolle apo të takojnë terapisten e tyre. Prandaj, ndjesia që ne kemi, tek ata është e shumëfishtë.
Si mund t’u shpjegohet atyre fakti se jemi përballë një armiku që nuk e shohim dhe njohim?
Fillojeni duke vendosur një raport të afërt me fëmijën, bëjini të ditur se jeni gjithmonë pranë tij, zhvilloni edhe një kontakt me video me trapistin/en e fëmijës, që fëmija të kuptojë se terapistja nuk e ka braktisur dhe filloni shpjegimin. Do ju marrë kohe dhe përsëritje, por fëmija do e kuptoje me kalimin e kohës dhe në saje të përsëritjeve qe ju i bëni. Mund t’i thoni: Ne rrimë në shtëpi sepse shkollat janë mbyllur, por ne mund të luajmë edhe në shtëpi. Mund të këndojmë dhe të bëjmë vizatime, të kalojmë kohë bashke. Patjetër, secila prej këtyre kërkon kohë të veçantë që të merret si informacion nga fëmija, por është e nevojshme të behet. Kushtojini rëndësi faktit që do jeni me fëmijën tuaj për një kohe me të gjatë se zakonisht dhe shfrytëzojeni me maksimum këtë. Bëjani të ditur edhe atij këtë gjë. Nuk rekomandohet gjithsesi, të përdorni fjalët virus apo koronavirus, por edhe nëse përdoren, të jenë të mire shpjeguara, që fëmijët te mos i lindin paqartësi. Bëni kujdes me mënyrën sesi i drejtoheni fëmijës lidhur me këtë temë.
Si ndikon në shëndetin mendor të tyre kjo gjendje që po përjetojnë të gjithë?
Patjetër që ata ndikohen, ashtu si çdonjëri prej nesh. Madje, edhe me shume, sepse ne te rriturit i’u transmetojmë atyre ndjesi negative, stresuese, duke qene veten të stresuar. Duhet me patjetër t’ju përcjellim një ndjesi komforti dhe qetësie, gjithashtu edhe shprese se çdo gjë do zgjidhet shume shpejt. Ndikon ne shëndetin e tyre mendor, sepse hapësira e tyre kufizohet dhe ne dukje për ta, pa shkak. Por, janë prindërit, në bashkëpunim me trapistët, të cilët e udhëheqin fëmijën drejt një gjendjeje pozitive dhe qetësie. Gjithashtu, për të shmangur një ndikim negativ tek ata, mundohuni të reduktoni sa me shumë të jete e mundur aksesin ndaj lajmeve në televizor dhe ekranit në përgjithësi. Edhe nëse fëmija juaj nuk lexon shkrimin në TV, patjetër që lexon shprehjet tuaja faciale, kështu qe tregohuni te matur dhe të kujdesshëm.

Çfarë mund të bëj me fëmijën tim përgjatë kësaj kohe?

T’i jepni mbështetje, ta afroni, ta doni, ta udhëzoni, të luani me të. Lojërat, që mund t’i merrni nga terapisti, apo te krijuara nga ju dhe të supervizuara, janë shume produktive për të realizuar një marrëdhënie të shëndetshme dhe ndjesi besimi. Nëse luan me fëmijën, beheni personi i tij i preferuar dhe çdo prind e dëshiron këtë. Prandaj, luani sa më shumë dhe sa më shume kreativitet në lojërat tuaja. Do të ndiheni të dyja palët më mirë dhe fëmija do të krijoje besimin e nevojshëm tek ju, për t’u drejtuar për ndihme apo kënaqësi. Lojërat mund të jenë shumëllojshme, por ka edhe shume ëebsite që ofrojnë akses në shume ide për të luajtur me fëmijët tuaj.

Cilat janë disa nga lojërat që prindi mund të bëje?

Çdo gjë qe ju vjen ne mend, por po ju jap disa shembuj dhe ide, duke shpresuar të jenë të vlefshme:

  • vizatimi
  • ngjyrosja
  • hand crafts( pra modele të ndryshme që mund të krijoni me duart tuaja, se bashku me fëmijën)
  • hapa dollapa
  • gjej thesarin
  • leximi i një libri
  • lojërat e leximit
  • ndërtimi i kullave me kuba
  • hedhja/derdhja e kubave ne kosh
  • gatimi i një keku së bashku
  • përshkimi i rruazave në pe
  • një bisedë e thjeshtë
  • ngri/shkrinjë fortese me çarçafë dhe jastëk
  • numërimi i hapave dhe marrja e një dhurate në fund
  • kërcimi së bashku dhe krijimi një koreografie
  • këndimi i një kënge të caktuar
  • të shikuarit me nje kohe të limituar të një emisioni për fëmijë

Si mund të veproje prindi për rutinën e fëmijës?
Shume fëmijë e kane pjese jetike rutinën e tyre dhe prishja e kësaj rutine është diçka e pakuptueshme për fëmijën dhe e nxit drejt regresit. Por, organizimi i një rutine ditore është një pike kyçe e menaxhimit të kësaj situate. Mund t’ia bëni me dije duke i vizatuar rutinën ditore në një fletë A4 dhe t’ia parashtroni shpesh se çfarë aktiviteti do bëhet tani dhe çfarë do vijojë. Pra, organizojini ditën, sepse asgjë nuk duhet te humbe dhe të nxisë regres.
Fëmija im dëshiron të shohë kukulla gjithë ditën…
Është e kuptueshme që fëmijët mund të kenë dëshirë të orientohen drejt televizorit apo ekraneve te celulareve gjithë ditën, por nuk duhet dhe e them në mënyrë kategorike, nuk duhen ekspozuar ndaj ekraneve. Janë të dëmshme për këta dhe çdo fëmijë. Te shikuarit e një emisioni për fëmijë, duhet të jetë i vetmi ekspozim i shëndetshëm i tyre. Ekrani nuk duhet te konsiderohet aspak si mënyra më e thjeshte për të bëre një fëmijë të qëndrojë ulur, të haje apo te kryejë ndonjë aktivitet tjetër.

*Silvana Gjoni është Logopediste dhe terapiste ABA. Per cdo pyetje mbi programin e fëmijëve me atutizëm mund të kontaktoni emailin e gazetës “Si” [email protected] ose të komunikoni dretpërdrejt me terapisten në [email protected]


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë