Personave që u mungon liria për shkak të veprave të ndryshme që kanë kryer, do të kenë mundësi të rehabilitohen dhe integrohen përmes punës në mjediset e burgjeve ku vuajnë dënimin.
Kjo nismë pilot vjen pas një pune gjashtë mujore bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Shoqatës së Fasonëve Pro Export Albania.
Florian Zekja nga shoqata tregon për gazetën “Si” se programi nuk mund të aplikohet vetëm në burgjet e sigurisë së lartë. Pilotimi do të nisë në burgun e grave me një kampion 25-40 veta ku do të testohen njohuritë dhe dëshira e tyre.
“Ne do të shohim edhe hapësirat në burgun e grave ku mund të krijojmë një fabrikë të vogël. Gratë do të punojnë në rrobaqepsi, punë dorë, presim, do të prodhojnë aksesorë, kuti kartoni, etj, sipas rastit. Ne duam që ato të rehabilitohen dhe integrohen. Jo familja ti ndihmojë ato, që përveçse kanë krijuar barrën e mungesës, po të shtojnë edhe barrën financiare, por ato të ndihmojnë familjen”- shpjegon Zekja.
Ai thotë për gazetën “Si”, se shoqata Pro Export Albania ka menduar të integrojnë në tregun e punësimit në fabrikat fason bashkshortët ose bashkëshortet e të burgosurve. Gjithashtu, ata të burgosur/a që do të integrohen në programin e punësimit në bashëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, kur të dalin nga burgu dhe të fitojnë lirinë do të kenë mundësinë të vijojnë punën në fabrikat fason.
Sipas Zekjas, këto programe në vendet europiane financohen nga BE, por Pro Export thotë se derisa të gjejnë sponsor, do ti kryejnë vetë shpenzimet që kërkon fatura e projektit.
Kjo iniciativë jetësohet në një moment kur biznesi fason është shumë i goditur nga kriza e shkaktuar prej pandemisë për shkak të bllokimit të lëvizjeve në Europë ku këto biznese kanë partnerët e tyre.
Njëkohësisht, bllokimi i lëvizjeve dështoi planet e sipërmarrësve fason për të importuar punonjës nga vendet e treta me krahë të lirë pune.
Programi i punësimit do të vijojë mbi bazat e Memorandumit të Bashkëpunimit të firmosur një ditë më parë (të hënë) dhe ka si qëllim krijimin e mundësive për punësimin e personave të burgosur, në kuadër të garantimit të fitimit, ruajtjes dhe zhvillimit të aftësive për punë dhe njohurive profesionale, pas përfundimit të kryerjes së dënimit.
Ministrja Etilda Gjonaj u shpreh se "finalizojmë një premtim dhe nisim një rrugëtim të ri drejt rritjes së kapacitetit profesional, rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve, një prioritet ky për Qeverinë Shqiptare dhe për Ministrinë e Drejtësisë.”
Ajo shpjegoi se të ardhurat do t’u shkojnë personave që vuajnë dënimin për të rritur trajtimin e tyre financiar dhe në këtë mënyrë “bëjmë të mundur punësimin e tyre gjatë vuajtjes së dënimit, një shtysë kjo pozitive e cila do t'i ndihmojë për rehabilitimin gjatë qëndrimit në IEVP."
Programet e punësimit do të mundësojnë një strukturë të qëndrueshme dhe pa afat për këtë kategori personash.
Ministria e Drejtësisë aktualisht po harton një strategji për zhvillimin e këtyre programeve dhe do të mbështesë DPB-në për të krijuar strukturat e nevojshme për zbatimin e marrëveshjeve të punësimit, për ndërtimin e kapaciteteve në termat e formimit profesional dhe ekonomik, me qëllim krijimin e mundësisë për riintegrimin e mëvonshëm në shoqëri të të dënuarve.
Përfaqësuesi i Shoqatës Pro-Eksport Albania, Saimir Bidaj dhe Kryetari i Shoqatës Edvin Prençe thanë se të gjithë anëtarët e kësaj shoqate do të ofrojnë mundësi reale trajnimi dhe punësimi për personat me liri të kufizuar dhe se e njohin mirë rëndësinë dhe efektin madhor terapeutik që angazhimi në marrëdhënie punë ka tek individët e privuar nga liria, me qëllim rindërtimin e ekuilibrave psiko-emocionalë që i japin ngjyra ekzistencës së tyre personale. Gjithashtu e mirëpresin krijimin e një klime të strukturuar në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si pasojë e angazhimit të të dënuarve në këtë marrëdhënie bashkëpunimi.
Marrëdhëniet e punës rregullohen, sipas dispozitave ligjore në fuqi që rregullojnë përfitimet nga sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe rregullat e sigurimit teknik në punë.
Paga mujore e të burgosurve të punësuar rregullohet sipas Kodit të Punës s.
Subjektet të cilët do të ofrojnë punësimin për të burgosurit, lidhin kontratë individuale të punës me të burgosurit e punësuar, duke përcaktuar të drejtat the detyrimet e palëve, sipas legjislacionit në fuqi për punësimin.
Shoqata Pro-Eksport Albania dorëzoi në DPB një donacion në materiale tekstile, veshje dhe këpucë për personat me liri të kufizuar.
Shoqata Pro-Eksport Albania dhuroi mbi 750 xhinse për femra dhe meshkuj, mijëra maska anticovid, qindra këpucë, veshje, të brendshme, veshje pune, etj, të prodhuara nga fasoneritë anëtare të shoqatës, mallra të cilat tregëtohen të gjitha në tregjet e Italisë dhe Gjermanisë.
Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport Albania, Edvin Prençe u shpreh se të gjitha produktet që do të prodhohen nga personat e privuar nga liria do të tregtohen në tregjet europiane. Ai deklaroi se shoqata do të investohet tek zhvillimi i një strategjie të marketingut dhe komunikimit për të promovuar punësimin e të burgosurve në sistemin e burgjeve, nëpërmjet kapaciteteve të saj të fuqisë punëtore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.