Treg

FAO: Pabarazitë gjinore në ushqim dhe bujqësi po i kushtojnë botës 1 trilion dollarë

Mbi një e treta e grave në botë që punojnë, janë të punësuara në sistemet agroushqimore, si prodhimi i produkteve bujqësore ushqimore dhe joushqimore, si dhe aktivitetet e ndërlidhura nga ruajtja, transporti dhe përpunimi i ushqimit deri tek shpërndarja.

Por në një raport të ri, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (Food and Agriculture Organization, FAO), thotë se pabarazitë gjinore, të tilla si aksesi më i vogël i grave në njohuri dhe burime, dhe një barrë më e lartë e kujdesit të papaguar, përbëjnë një hendek prej 24% në produktivitetin midis grave dhe burrave fermerë, në ferma me madhësi të barabartë.

Gratë e punësuara në sektorin e bujqësisë, paguhen gjithashtu gati 20% më pak se homologët e tyre meshkuj.

“Nëse trajtojmë pabarazitë gjinore endemike, në sistemet agroushqimore dhe fuqizojmë gratë, bota do të bëjë një hap përpara në adresimin e synimeve, për t’i dhënë fund varfërisë dhe për të krijuar një botë pa uri”, tha Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Qu Dongyu.

Sipas FAO, mbyllja e hendekut gjinor në produktivitetin e fermave dhe hendekut të pagave në punësimin në bujqësi, do të “rriste produktin e brendshëm bruto global me gati 1 trilion dollarë dhe do të zvogëlonte numrin e njerëzve, të cilët gjenden në pasiguri ushqimore, me 45 milionë”, në një kohë të rritjes së urisë globale.

Pabarazitë strukturore

Raporti tregon se aksesi i grave për tokën bujqësore, shërbime, kredi dhe teknologji digjitale, mbetet prapa atij të burrave, ndërsa një barrë më e lartë e kujdesit të papaguar, kufizon mundësitë e tyre për arsimim, trajnim dhe punësim. FAO thekson se, normat sociale diskriminuese, përforcojnë barrierat gjinore ndaj njohurive, burimeve dhe rrjeteve sociale – duke i penguar gratë të japin një kontribut të barabartë në sektorin agroushqimor.

“Në shumë vende, ka ende shumë për të bërë për të siguruar, që gratë të kenë tokë në proporcion të barabartë me burrat dhe, që kornizat ligjore të mbrojnë të drejtat e tyre”, thuhet në raport. Autorët e tij e përshkruajnë si “alarmues” ritmin e ngadaltë të ndryshimit, në lidhje me aksesin e grave fermere në pronësinë e bagëtive dhe elementëve thelbësorë, si ujitja dhe plehrat.

Raporti vë në dukje gjithashtu se në sistemet agroushqimore, “rolet e grave priren të jenë të margjinalizuara dhe kushtet e tyre të punës, ka të ngjarë të jenë më të këqija se ato të burrave – të parregullta, informale, me kohë të pjesshme, me aftësi të ulëta ose me punë intensive”.

Nxitje e rritjes, frenim i urisë

Agjencia e ushqimit e OKB-së argumenton se “sfidat për punësimin e plotë dhe të barabartë të grave, në sistemet agroushqimore, pengojnë produktivitetin e tyre dhe mbajnë të pandryshuar nivelin e pagave”.

Sipas raportit, krijimi i kushteve të barabarta për sa i përket produktivitetit të fermave dhe pagave bujqësore, do të shtonte 1% në produktin e brendshëm bruto global, ose pothuajse 1 trilion dollarë, dhe do të ulte pasigurinë ushqimore me 2 pikë përqindje. 45 milionë njerëz do të përfitonin nga ky hap.

Ky është një projeksion i mrekullueshëm, në një moment kur uria globale është në rritje. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (World Food Programme, WFP) vlerëson se më shumë se 345 milionë njerëz në mbarë botën, përballen me një krizë pasigurie ushqimore këtë vit, një rritje prej gati 200 milionësh që nga fillimi i vitit 2020. Nga këta, 43 milionë njerëz janë një hap larg urisë.

Potenciali i pashfrytëzuar

Autorët e raportit tregojnë gjithashtu se projektet bujqësore, që fuqizojnë veçanërisht gratë, kanë përfitime të gjera ekonomike dhe sociale.

Sipas FAO, “nëse gjysma e prodhuesve në shkallë të vogël do të përfitonin nga ndërhyrjet zhvillimore, që fokusohen në fuqizimin e grave, kjo do të rriste ndjeshëm të ardhurat e 58 milionë njerëzve të tjerë dhe do të rriste rezistencën e 235 milionë të tjerëve”.

Shkalla e punësimit të grave në sistemet agroushqimore në disa vende në zhvillim, tregon për ndikimin e mundshëm, që mund të kenë ndërhyrjet për nxitjen e barazisë. Për shembull, në Azinë jugore, 71% e të gjitha grave që punojnë, janë të punësuara në këtë sektor (kundrejt 47% të burrave).

“Bëni që sistemet agroushqimore të funksionojnë për gratë”

FAO thekson se monitorimi dhe përshpejtimi i progresit në barazinë gjinore në sistemet agroushqimore, varet nga “mbledhja dhe përdorimi i të dhënave me cilësi të lartë, të ndara sipas gjinisë, moshës dhe formave të tjera të diferencimit social dhe ekonomik”, i cili aktualisht mungon.

FAO mbështet gjithashtu programet e mbrojtjes sociale, të cilat “kanë treguar se rrisin punësimin dhe qëndrueshmërinë e grave”. Në të vërtetë, studimi i agjencisë së OKB-së nënvizon se “kur ekonomitë tkurren, punët e grave janë të parat që eliminohen”, siç ka qenë rasti gjatë pandemisë COVID-19.

“Gratë kanë punuar gjithmonë në sistemet agroushqimore. Është koha që sistemet agroushqimore të funksionojnë për gratë”, tha z. Qu në parathënien e raportit. 

Burimi: FAO/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë