Sport

Fali Ramadani, agjenti misterioz që lëviz fijet e futbollit dhe lidhjet me Damir Fazliç

Skema të ndryshme për të shmangur taksa, apo për të bërë pastrim parash po përdoren gjerësisht në transferimin e futbollistëve. Këtyre akuza nuk ju ka shpëtuar edhe agjenti me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Fali Ramadani, i cili sezonin e kaluar u bë i njohur me transferimin e bujshëm të Luka Jovic, tek Real Madrid për 60 mln euro. Ramadani, pronari kryesor i Lian Sports është nën hetim në Spanjë, me akuzën e pastrimit të parave, ndërkohë forca të shumta policore kanë zbarkuar në rezidencën e tij luksoze në Calvia. Skuadrat që luftojnë krimin organizuar, ato që merren me hetimet financiare, si Agjencia e Taksave, po bashkëpunojnë me Europol në zbardhjen e kësaj çështjeje.

Luka Jovic

Kjo nuk është hera e parë që, agjenti i famshëm përballet me ligjin. Disa kohë më parë gazeta gjermane “Der Spiegel” ka bërë një hetim të thellë rreth operacioneve të dyshimta të kryera nga Lian Sports, sidomos rastit Jovic. Serbi i dalë nga akademia e Partizanit të Beogradit, në moshën 17-vjeçare transferohet tek Apollon Limassol në Qipro për 1.35 mln euro, kundër vullnetit të lojtarit. Kontrata me ekipin qipriot parashikonte se lojtari do të përfitonte 14,400 euro në sezonin e parë dhe dyfishin në sezonin e dytë. Jovic nuk luajti kurrë për Apollon Limassol, sepse u transferua tek Benfica në Portugali, duke arkëtuar 5.3 mln euro.  Klubi qipriot është akuzuar edhe në të kaluarën që blen kartonin e disa lojtarëve, sidomos në rajonin e Ballkanit, pa i marrë asnjëherë në skuadër dhe më pas i shet tek një klub tjetër në një vlerë shumë herë më të lartë. Kjo diferencë dyshohet se shkon direkt në shtete, apo parajsa fiskale, të tilla si Qipro, Malta dhe ishujt Karaibe.

Transaksionet financiare mbi transferimin

Por kush është Fali Ramadani?

Një ish menaxher i  një zinxhiri restorantesh të vogla në Gjermani, pronari kryesor i Lian Sports është ndër njerëzit më me ndikim në transferimin e lojtarëve. Abdilgafar Ramadani (lindur në vitin 1963) është një agjent maqedonas me origjinë shqiptare i cili aktualisht banon në Mallorca. Ai është këshilltari jozyrtar i disa klubeve, ku ndikimi i tij shtrihet nga Rumania në Gjermani.

“Ai është shumë punëtor dhe ka një rrjet të jashtëzakonshëm. Josh me lehtësi lojtarët, që e respektojnë atë për një arsye: kur premton diçka, ai e realizon. Është shumë efektiv, por nuk është nga ata agjentë që kanë njohuri  të shkëlqyeshme  për futbollin. Mos e pyesni nëse Cristiano Ronaldo luan në të djathtë apo të majtë, pasi kjo gjë nuk i intereson atij. Nga ana tjetër, ai e njeh vlerën e tregut të një lojtari dhe e di se sa mund të përfitojë nga një lojtar i ri “.-kështu e përshkruan gazeta gjermane “der Spiegel”, në investigimin e bërë .

Një nga operacionet e çuditshme të kryera nga Ramadani

Kontradiktat shkojnë paralelisht me agjentin e lindur në qytetin e Tetovës. Në vitin 2003, emri i tij u shfaq gjatë një hetimi të bërë nga prokurorët gjermanë ndaj vëllezërve shqiptarë Burim dhe Bashkim Osmani. Familja Osmani ka qenë shpesh në qendër të debateve të shtypit gjerman për lidhje me nëntokën. Ata morën mbi 70 milion Euro, kredi të pasiguruara nga Volksbank Lauenburg ,në Gjermani. Një pjesë e parave u përdor në një projekt banimi të diskutueshëm në Shkup, me pseudonimin “Muri Kinez”. Vetë Ramadani mori një kredi prej një milion euro nga e njëjta bankë, pavarësisht se ai dhe gruaja e tij, Sabine, kishin deklaruar vetëm 35,000 euro të ardhura vjetore. Sipas mediave maqedonase, Ramadani dhe vëllezërit Osmani ishin “investitorët gjermanë” pas një kompanie të quajtur Lian LBO Engineering LL,  që u përfshi në skandalin e ngritjes e ndërtesës madhështore rezidenciale mbi parkun Gradski. Toka, fillimisht u ble  me një çmim të ulët nga presidenti i klubit Vardar, Borce Riseski, me qëllim ndërtimin e një parkingu për klubin sportiv. Gjatë natës, parkingu  u shndërrua në një ndërtesë pesë-katëshe, dhe Riseski shiti te Lian LBO 20 përqind të projektit, duke motivuar mungesën e fondeve. Ramadani u mor në pyetje nga prokurorët dhe mohoi presionin ndaj zyrtarëve të shtetit për të siguruar lejen e ndërtimit. Çështja u mbyll kur partneri i tij në biznes, Riseski u dënua. Ndërtimi u ndal dhe investitorët u detyruan të ndryshonin projektin. Thuhet se Ramadani mori 25 milion euro nga shitja e aksioneve të tij te biznesmeni gjerman, Siegfried Greve. Ndërtesa aktualisht është në pronësi të biznesmenit Enver Maliqi.

Ramadani ka gjithashtu lidhje në mjedisin politik. Një nga bashkëpunëtorët e tij në dy kompani, është një emër i njohur në Shqipëri, Damir Fazliç. Biznesmeni boshnjak jeton në SHBA dhe pas viteve 2000 u bë i njohur në Shqipëri për lidhjet e tij me Partinë Demokratike.

Damir Fazlic i prezanton Berishës ish-drejtorin e sigurisë së brendshme të SH.B.A, Tom Ridge.

Fali Ramadani, agjenti që urren të fotografohet , nuk ka dhënë kurrë intervista dhe nuk është shfaqur në publik, përveç transferimit të Jovic, ku u shfaq krah futbollistit serb dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perez. Ndër shumë futbollistë, Lian Sports përfaqëson gjithashtu Marcos Alonso (Chelsea), Ivan Perisic (Bayern), Ante Rebic (Milan), Cengiz Ünder (Roma), Maksimovic (Napoli), Nikola Kalinic (Roma), Stevan Jovetic (Mónaco), Samir Handanovic (Inter) dhe Lorey Sane (Manchester City).

Më Shumë