Jete & Stil

Fagët: Viruset e vogla që mund të ndihmojnë në mposhtjen e sëmundjeve të mëdha

Terapia e super baktereve është një “medikament” që bota e ka harruar. Të zbuluara në vitin 1917 nga biologu kanadez-francez Felix d’Herelle, fagot ose më saktë bakteriofagët janë viruse të vogla që jetojnë në mënyrë grabitqare. Në shumë vende të botës ato u zëvendësuan gjatë Luftës së Dytë botërore nga antibiotikët, por në Europën Lindore ato u përdorën për dekada të tëra. Sipas disa shkencëtarëve ato mund të shihen si një plotësues dhe ndoshta një alternative ndaj antibiotikëve, përdorimi i tepërt i të cilëve ka çuar në rritjen e rezistencës antibiotike.
Tobi Nagel, një inxhinier bio-mjekësor në Kaliforni, nisi “Phages for Global Health” (PGH) në vitin 2014 për të ndihmuar vendet në zhvillim të luftojnë rezistencën antibiotike (AMR). Ajo ishte zhgënjyer me pabarazinë në industrinë farmaceutike, në të cilën punoi për 15 vjet dhe tha:
“Kemi 30 vjet deri në më të keqen e kësaj krize. Bakteriofagët mund të bëhen barna në më pak se 10 vjet. Unë isha e zhgënjyer gjithnjë e më shumë nga ilaçet me të cilët po punoja në SHBA, të cilat zakonisht kushtonin 1 miliard dollarë për t'u prodhuar dhe nuk ishin të efektshme për shumicën e njerëzve që jetojnë në vendet e zhvilluara.”
Ndryshe nga antibiotikët, bakteriofagët duhet të përdoren në një mënyrë më të shënjesturar, sepse çdo fag është efektiv vetëm kundër një numri të kufizuar virusesh.
“Në të ardhmen e afërt, fagët do të jenë dytësorë ndaj antibiotikëve pasi ato akoma mund të funksionojnë kundër shumicës së patogjenëve. Fagët do të jenë opsioni i fundit kur nuk do të keni zgjidhje ”, thotë Sivachandran Parimannan, një studiues në universitetin e Qendrës së Excellenceat AIMST në Kedah, Malajzi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rezistenca antibiotike është një kërcënim në rritje për shëndetin global, duke rrezikuar dekada të progresit mjekësor dhe duke shndërruar infeksionet e zakonshme në ato vdekjeprurëse. Një raport i Kombeve të Bashkuara (KB) botuar vitin e kaluar tregonte që vdekjet vjetore nga rezistenca ndaj ilaçeve mund të rriten nëse nuk merren masa.
"Në parim, fagët janë më të lirë dhe më të shpejtë për tu zhvilluar sesa barnat konvencionale, mund të projektohen për të minimizuar rezistencën bakteriale në të ardhmen dhe nuk kanë efekte anësore të raportuara. Ato mund të prodhohen me pajisje relativisht të thjeshta që janë lehtësisht të disponueshme për shkencëtarët në vendet në zhvillim", thotë Nagel
Kërkimet për terapinë e fagëve, të nisura gjatë 10 viteve të fundit në Europë dhe SHBA është ende në fillimet e saj në vendet në zhvillim, ndërkohë Phage for Global Health shpreson të promovojë transferimin e aftësive dhe njohurive. Sipas mjekëve e vetmja dobësi që kanë fagët është se janë më të ngadaltë në procesin e shërimit se sa antibiotikët, përgjithësisht ato mund të përdoren në një mjedis emergjent dhe zakonisht kërkohet kohë për të gjetur fagun e duhur. Ata kanë një spektër të ngushtë dhe janë më pak të qëndrueshëm se ilaçet kimike.
Terapia me fagët ka tendencë të përdoret në një mënyrë të personalizuar që i bën krahasimet të vështira dhe ka të ngjarë që ato të jenë më efikase kundër baktereve të caktuara, ndërsa antibiotikët janë më efikase kundër çdo bakteri apo virusi, kështu që studimet e reja sugjerojnë se është më mirë të kombinohen të dyja. Qendrat e terapisë me fagë siç janë ato që ekzistojnë në Poloni dhe Gjeorgji pretendojnë të kenë një sukses të nivelit 75-85% tek pacientët e sëmurë rëndë. Nevojiten më shumë kërkime për të ditur nëse përdorimi i fagut ka ndonjë efekt negativ në trupin e njeriut, por deri më tani janë raportuar disa efekte anësore të pallogaritshme.

“Ka nevoja specifike në kombet në zhvillim. Edhe infeksionet e zakonshme bakteriale do të kenë llojet e tyre të lidhura me vende të veçanta. Për shembull helmimi nga ushqimi me salmonelë është një problem në të gjithë botën, por secili vend ka të ngjarë të ketë shtame të ndryshme të baktereve dhe për këtë arsye do të ketë nevojë për fage të veçantë, ”thotë Martha Clokie, profesoreshë e mikrobiologjisë në universitetin e Leicester.
Për shkak të mungesës së burimeve teknologjike, financiare dhe njerëzore, ekipet shkencore që punojnë në jugun global shpesh përqendrohen më shumë në shëndetin e kafshëve dhe bimëve, si dhe dekontaminimin e ushqimit.
"Përdorimi i antibiotikëve nga fermerët është masiv dhe ky është një presion i përzgjedhjes për organizmat rezistentë që mund të shkojnë te qeniet njerëzore", thotë Jesca Nakavuma, një mikrobiolog në universitetin Makerere në Kampala.
Ndërsa prodhimi i ilaçeve të bazuara në fag për dekontaminimin e ushqimit është tashmë i mundur vetëm në disa vende, pasi zhvillimi i terapisë me fag për shëndetin e njeriut përballet me pengesa më të mëdha. Mungesa e provave klinike që përmbushin standardet ndërkombëtare do të thotë se jashtë bllokut ish-sovjetik, aksesi në fagë është ose inekzistent ose i kufizuar në përdorim. Shumë vende nuk kanë një kornizë të përshtatshme rregullatore. Në vendet perëndimore, prodhimi i ilaçeve duhet të jetë në përputhje me kriteret e rrepta para se të dalin në treg.
Ndërkohë OBSH nuk e ka përfshirë asnjëherë zyrtarisht terapinë me fag në planet e saj kundër rezistencës së antibiotikëve, por Nagel dhe ekspertët e tjerë në botë shpresojnë se kjo do të ndryshojë nëse provat e reja klinike janë pozitive.
Burimi: The Guardian. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë