Nga hardhucat që ngjiten në ndërtesa te dhelprat që përshtaten me jetën urbane dhe elefantët që lindin pa dhëmbë, kafshët po përballen me një presion të ri evolucionar: një planet i transformuar nga njeriu.
Njerëzit janë bërë një nga forcat më të fuqishme që ndikojnë në evolucionin e specieve. Qytetet, rrugët, ndotja, ndryshimet klimatike, gjuetia dhe përdorimi i barnave kanë krijuar një botë të re, në të cilën kafshët duhet të përshtaten- dhe disa prej tyre po e bëjnë këtë me një shpejtësi të jashtëzakonshme.
Në Porto Riko, për shembull, hardhucat anole që jetojnë në qytete ndryshojnë dukshëm nga ato që jetojnë në pyje.
Ato duket se kanë zhvilluar gjymtyrë më të gjata dhe më shumë lamela në gishtërinj- struktura të holla që i ndihmojnë të kapen pas sipërfaqeve.
Këto karakteristika mund t’u japin avantazh kur ngjiten në qelq, metal dhe sipërfaqe të tjera të lëmuara të ndërtesave. Më e habitshmja është se ndryshime të tilla mund të shfaqen brenda vetëm disa brezash.
Qyteti, një laborator i ri i evolucionit
Qytetet janë një prej ekosistemeve më të rinj të planetit. Ato janë të nxehta, të zhurmshme, të ndriçuara gjatë natës dhe të mbushura me struktura artificiale. Megjithatë, për disa kafshë, ato mund të ofrojnë edhe avantazhe.
Ushqimi mund të jetë më i bollshëm, ndërsa disa grabitqarë natyrorë mungojnë. Për speciet që arrijnë të përshtaten, kjo mund të nënkuptojë më shumë mbijetesë dhe më shumë pasardhës.
Dhelprat e kuqe në Britani janë një shembull i njohur. Popullatat urbane kanë treguar norma më të larta riprodhimi, pjesërisht falë burimeve të bollshme ushqimore që ofrojnë qytetet.
Edhe rakunët e Amerikës së Veriut po tregojnë shenja ndryshimi. Këta “panda të mbeturinave”, siç quhen shpesh, janë bërë mjeshtër të jetës pranë njerëzve. Disa kërkime kanë evidentuar shenja të hershme të një procesi të ngjashëm me zbutjen, përfshirë ndryshime në pamje dhe sjellje.
Në Danimarkë, lepujt urbanë janë vërejtur duke toleruar më mirë praninë dhe shqetësimet njerëzore. Kjo mund të lidhet me mënyrën se si shprehen gjenet e tyre ose me përzgjedhjen natyrore të individëve më tolerantë ndaj qytetit.
Jo çdo përshtatje duhet të fillojë me një ndryshim gjenetik.
Sipas studiuesve, aftësia për të ndryshuar sjelljen në përgjigje të një mjedisi të ri mund të jetë vendimtare. Një kafshë që mëson të gjejë ushqim, të shmangë rrezikun ose të përdorë një burim të ri mund të fitojë kohë për të mbijetuar dhe për t’u riprodhuar.
Ky ndryshim i sjelljes mund të jetë më pas hapi i parë drejt ndryshimeve evolucionare më të qëndrueshme.
Edhe këngët e zogjve po ndryshojnë
Qyteti nuk ndryshon vetëm trupin e kafshëve. Ai ndryshon edhe mënyrën se si ato komunikojnë.
Shumë zogj urbanë kanë përshtatur këngët e tyre për të konkurruar me zhurmën e trafikut. Studime të ndryshme kanë treguar se zogjtë mund të ndryshojnë frekuencën, volumin dhe kohën e këngës në varësi të nivelit të zhurmës.
Një rast veçanërisht interesant është ai i junco-s me sy të errët në Kaliforni.
Në fillim të viteve 1980, një grup këtyre zogjve u vendos gjatë gjithë vitit në kampusin e Universitetit të Kalifornisë, San Diego. Studiuesit patën kështu mundësinë të ndiqnin ndryshimet e tyre përgjatë kohës.
Zogjtë u bënë më pak agresivë dhe humbën një pjesë të puplave të bardha në bisht, të cilat përdoren gjatë shfaqjeve agresive. Ata gjithashtu filluan të shumoheshin më herët, rritën më shumë të vegjël dhe ndryshuan modelet e migrimit.
Një popullatë tjetër urbane në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, nisi të ndërtonte fole në pemë dhe ndërtesa, në vend të tokës ku zakonisht folezonin.
Ndryshime janë vërejtur edhe në trupin e tyre. Disa zogj urbanë kanë krahë më të vegjël, një përshtatje që mund të lidhet me nevojën për manovrim mes ndërtesave, pemëve dhe strukturave të tjera të dendura urbane.
Këto përshtatje mund të jenë veçanërisht të rëndësishme në një kohë kur Amerika e Veriut ka humbur rreth 168 milionë zogj gjatë pesë dekadave.
Kur njeriu bëhet forca e përzgjedhjes natyrore
Ndikimi njerëzor nuk kufizohet te qytetet. Në disa zona të Afrikës, elefantët po lindin më shpesh pa dhëmbë. Arsyeja lidhet me gjuetinë e paligjshme: gjuetarët kanë synuar veçanërisht elefantët me dhëmbë, duke bërë që individët pa dhëmbë të kenë më shumë gjasa të mbijetojnë dhe të riprodhohen.
Në këtë mënyrë, një karakteristikë që dikur mund të kishte qenë disavantazh është shndërruar në avantazh evolucionar në një mjedis ku gjuetia është kërcënim i madh.
Edhe peshqit po përballen me një presion të ngjashëm. Peshkimi intensiv shpesh largon nga popullata individët më të mëdhenj. Me kalimin e kohës, kjo mund të favorizojë peshq më të vegjël, të cilët arrijnë të shmangin kapjen dhe të riprodhohen.
Ndërkohë, peshku killifish i Atlantikut ka treguar një tjetër formë përshtatjeje. Në zona të ndotura, disa popullata kanë evoluar rezistencë ndaj toksinave dhe kimikateve industriale, përmes ndryshimeve gjenetike në mekanizmat biologjikë që reagojnë ndaj këtyre substancave.
Këto shembuj tregojnë se evolucioni nuk është gjithmonë një proces që zhvillohet në mijëra apo miliona vite. Në kushte të caktuara, përzgjedhja natyrore mund të prodhojë ndryshime të dukshme brenda vetëm disa brezash.
Shkencëtarët e quajnë këtë evolucion bashkëkohor
Nga njëra anë, kjo tregon aftësinë mbresëlënëse të natyrës për t’u përshtatur. Nga ana tjetër, është edhe një paralajmërim.
Jo të gjitha speciet janë në gjendje të ndryshojnë mjaftueshëm shpejt. Ndërsa qytetet zgjerohen, klima ndryshon dhe habitatet natyrore zhduken, disa kafshë mund të mos kenë kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur.
Mbretëria e kafshëve po ndryshon për t’i bërë ballë një planeti që ndryshon me ritme të jashtëzakonshme. Pyetja e madhe është nëse evolucioni do të jetë gjithmonë aq i shpejtë sa ndryshimet që shkakton njeriu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje