Mjedis

Blegtorët holandezë kalojnë te kultivimi i orizit si zgjidhje për ngrohjen e klimës

Një eksperiment i pazakontë në Holandë po teston nëse kultivimi i orizit mund të ndihmojë në mbrojtjen e tokave torfike (toka moçalore) dhe në uljen e emetimeve të CO2.

Ngrohja e klimës po sjell ndryshime të pazakonta në bujqësinë holandeze. Në tokat e lagështa ku për shekuj me radhë janë rritur kullota për bagëtinë, fermerët po eksperimentojnë tani me një kulturë që deri vonë dukej e pamundur për Holandën: orizin.

Projekti pilot, pranë Amsterdamit dhe Hagës, shtrihet në rreth 0,6 hektarë dhe synon të prodhojë rreth tri tonë oriz. Studiuesit po testojnë rreth 30 varietete nga vende të ndryshme, përfshirë Japoninë, Kinën, Rusinë dhe Uzbekistanin.

Por qëllimi nuk është vetëm të gjendet një kulturë e re.

Rreth një e dhjeta e Holandës përbëhet nga toka torfike. Për t’i përdorur për bujqësi dhe blegtori, këto toka janë tharë për dekada. Problemi është se tharja e torfës çliron CO2 dhe shkakton uljen e nivelit të tokës, në disa zona me disa centimetra në vit.

Sipas Universitetit të Wageningen-it, tokat torfike kontribuojnë me rreth 2-3 për qind të emetimeve totale të gazeve serrë të Holandës.

Këtu hyn në lojë orizi: ndryshe nga kullotat tradicionale, ai mund të kultivohet në tokë të lagësht, duke ndihmuar në ruajtjen e torfës.

“Orizkultura është një mundësi që kjo pjesë e botës të përshtatet me ndryshimet klimatike”, thotë studiuesi Julian Helfenstein. Sipas tij, mbajtja e tokës së lagësht mund të frenojë degradimin e torfës dhe çlirimin e sasive të mëdha të CO2.

Megjithatë, studiuesit po matin edhe emetimet e metanit dhe CO2 për t’u siguruar se kultivimi i orizit nuk krijon një problem të ri mjedisor.

Fermeri Sander Roeleveld, i cili merr pjesë në projekt, e quan veten “pionier”.

“Qëllimi im është të tregoj se në zonat e lagështa mund të bëhen edhe gjëra të tjera, përveç rritjes së barit”, thotë ai.

Eksperimenti ka zgjuar edhe interes nga restorantet holandeze. Një prej varieteteve që po përshtatet më mirë vjen nga Japonia veriore dhe mund të përdoret për sushi, rizoto apo edhe sake.

“Për të qenë e sinqertë, shija ishte e shkëlqyer”, thotë Guusje van der Vossen, e cila ka provuar orizin e prodhuar në Holandë.

Eksperimenti është ende në fazat e para, por ideja është e qartë: në një klimë që po ndryshon, tokat ku dikur dominonin lopët mund të bëhen pjesë e një bujqësie krejtësisht të re.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë