Treg

Eurostat: Shqipëria kishte rritjen më të lartë të net-qëndrimeve të turistëve në Europë gjysmën e parë të vitit

Nga Gazeta ‘Si’-Për gjysmën e parë të vitit, Shqipëria kishte rritjen më të lartë të net-qëndrimeve të turistëve në Europë.

Kështu dëshmojnë të dhënat e publikuara sot nga Eurostat për të gjitha shtetet e Europës për periudhën janar-qershor. Të dhënat nuk janë të plota vetëm për Turqinë edhe për Kosovën.

Net-qëndrimet në akomodimet turistike(duke përfshirë hotelet, kampingjet dhe kamperat) në 6-mujorin e parë të vitit në Shqipëri u rritën me 44.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën periudhë ishte 12.9%.

Pas Shqipërisë renditet Qipro, me rritje 39.1% të net-qëndrimeve për të njëjtën periudhë, e ndjekur nga Mali i Zi me 37.2% dhe Malta me 30.5%.

Shqipëria për periudhën janar-qershor kishte gjithsej rreth 1.7 milionë net-qëndrime, pothuajse njëlloj sa Mali i ZI (1.79 milionë), ndërkohë që në vitin 2019 Mali i Zi kishte gati dyfishin e net-qëndrimeve të Shqipërisë (1.5 milionë, kundrejt 806 mijë), referuar të dhënave të Eurostat.

Të dhënat e tjera nga Banka e Shqipërisë bënë të ditur para ca ditëve se në 6-muajt e parë të vitit, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total 1.55 miliardë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90 duke u rritur me 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932. Ky numër është rritur me 33 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Turizmi i BE-së në nivelin më të lartë të një dekade në gjysmën e parë të vitit 2023

Industria turistike e Bashkimit Europian po përjeton një rikuperim të fortë nga ndikimi i pandemisë COVID-19, sipas njoftimit të Eurostat.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, numri i netëve të kaluara në strukturat akomoduese turistike arriti nivelin më të lartë në dekadën e fundit, duke sinjalizuar një ringjallje të dukshme në performancën e industrisë në shumë vende.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë kaluar 1 193 milionë netë në struktura akomoduese, duke shënuar një rritje prej afro 11 milionë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 (1182 milionë, +0.9%).

Të gjithë muajt tejkaluan shifrat e një viti më parë, me rritjen më të lartë të shënuar në janar (45%) dhe shkurt (27%).

Sipas të dhënave për secilin vend, të gjitha shtetet anëtare kanë regjistruar një rritje të net-qëndrimeve në krahasim me vitin 2022, me përjashtimin e vetëm të Hungarisë, e cila ka pësuar një rënie të lehtë prej -0.3%.

Qiproja (39.3%), Malta (30.5%) dhe Sllovakia (28.7%) regjistruan rritje më të konsiderueshme të net-qëndrimeve.

Megjithatë, rreth gjysma e vendeve nuk kanë arritur ende shifrat e regjistruara në gjysmën e parë të vitit 2019. Veçanërisht, Letonia (-23,8%), Sllovakia (-16,0%), Hungaria (-12,2%) dhe Lituania (-11,7%).

Në total, turistët e huaj përbënin 545 milionë netë në gjysmën e parë të vitit 2023 ose 46% të të gjithë netëve të qëndrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë