Para

Të ardhurat nga turizmi nivel rekord, mbi 1.5 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit

Nga Gazeta ‘Si’-Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit kanë arritur nivele rekord.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e tyre në gjashtëmujorin e parë arritën 1.55 miliardë euro, shifra më e lartë e regjistruar pas viteve ’90.

Vetëm në harkun e muajve prill-qershor, shpenzimet e turistëve arritën në 930 milionë euro, duke u rritur me gati 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

LEXO EDHE:
Bizneset të kënaqura, turistët nga Perëndimi po shpenzojnë më shumë këtë verë

Sipas të dhënave të BSH-së për shumën e shpenzuar nga ata që udhëtojnë në Shqipëri dhe të INSTAT për numrin e shtetasve të huaj, rezulton që shpenzimi mesatar për një person ka qenë rreth 580 euro për kohën e qëndrimit në Shqipëri.

Në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932, duke u rritur me 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të 2022-shit.

Të dhënat nga INSTAT dëshmojnë se prurjet turistike më të mëdha si ngahera janë nga shqiptarët e Kosovës, me 40% të totalit.

Nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri për 6 muajt e parë të vitit mbi 1.38 milionë vizitorë,  43% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Në vend të dytë janë italianët, me 310 mijë vizitorë nga shteti fqinj duke shënuar rekord që në 6 mujorin e parë. Italianët zinin 9% të totalit.

Shifrat tregojnë se për nga numri Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë respektivisht grupi i tretë dhe i katërt që ndiqen nga shtete si Gjermania, Spanja, Polonia, Zvicra etj.

Sipas operatorëve turistikë, turistët nga perëndimi janë ata që kanë shpenzuar më shumë këtë verë.

Efektin kryesor e ka dhënë ndryshimi i tregut të turistëve që po vizitojnë vendin tonë.

Nga turistët e Europës Lindore, që tipikisht janë pushues që kanë tendencën të shpenzojnë më pak, këtë verë pati një fluks në rritje nga turistët perëndimorë dhe ato latinë.

“Situata e çuditshme që ka ndodhur këtë sezon ndryshe nga vitet e shkuara, është se së pari janë rezervuar hotelet me katër dhe pesë yje dhe më tej janë bërë rezervime për hotelet dhe strukturat akomoduese më ekonomike”, thotë për Gazetasi.al Vasil Bedinaj, kreu i tur-operatorëve të jugut.

"Hotelet që u rezervuan të parat këtë vit ishin ato me katër-pesë yje", deklaron Bedinaj

Ai shpjegon se zakonisht në turizëm, rezervimet bëhen nga poshtë-lart ndërsa këtë vit ka ndodhur e anasjellta për shkak se turistët që vijnë nga Europa Perëndimore janë treg më i pasur.

Rriten edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për gjashtë muajt e parë të vitit shpenzimet e shqiptarëve për udhëtimet jashtë ishin 977 miilionë euro, me një rritje prej 23% në krahasim me janar-qershor 2022.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë 2023, është 3.024.102, duke u rritur me 20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë ishte 794 milionë euro, që shënon edhe shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë