Sport

Europiani i Peshëngritjes/ Qerimaj i treti në Baterinë B, Godelli dëmtohet

Pas Briken Caljas, ishte radha e Erkand Qerimajt dhe Daniel Godellit për të garuar në Europianin e Peshëngritjes, që po zhvillohet në Rusi. Në fakt, vetëm shkodrani ka garuar, kurse Godelli u tërhoq për shkak të një dëmtimi.

Qerimaj ka dalë i treti në Baterinë B në stilin e shkëputjes, që e filloi me 150 kilogramë, më pas ngriti 154 dhe 156 kilogramë. Në shtytje Qerimaj pati sukses vetëm në provën e parë, ku ngriti 180 kilogramë, por dështoi të ngrinte 184 dhe 185 kilogramë. Shkodrani këmbënguli, duke garuar i dëmtuar, ndaj dhe paraqitja e tij mund të konsiderohet e mirë.

Daniel Godelli pësoi një dëmtim që në provën e parë në stilin e shkëputjes, ku tentoi të ngrinte 152 kilogramë. Dëmtimi ishte serioz dhe e detyroi peshëngritësin shqiptar të tërhiqej nga gara.

Deri tani Shqipëria ka fituar tri medalje në Europianin e Rusisë, fillimisht një medalje bronzi nga Evangjeli Veli, dhe më pas një të argjendtë dhe një të bronztë nga Briken Calja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë