Analize

Europa po përgatitet për luftë, por e ka problem të gjejë ushtarë

Nga Alfonso Bianchi- Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Perëndimi i ka dhënë një shtysë të re garës së armatimeve. Qeveritë e vendeve evropiane anëtare të NATO-s, i kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre në mbrojtje. Synimi i deklaruar, është të jemi gati në rastin e një lufte të mundshme, për të cilën shumëkush beson se mund të shpërthejë me Rusinë e Vladimir Putinit.

Por nëse midis qeverive ka një synim gjithnjë e më të fortë për të rritur arsenalin e tyre,në mesin e popullsisë nuk duket se ka një entuziazëm të ngjashëm nga perspektiva e pjesëmarrjes në një konflikt të mundshëm. Në fakt gjithnjë e më shumë kombe, e kanë përherë e më të vështirë të rekrutojnë të gjithë ushtarët që do të nevojiteshin në skenarin e një lufte.

Dhe ata po përpiqen të marrin masa, duke qenë se gjithnjë e më pak të rinj e shohin veten të angazhuar në ushtri. Sepse rrogat nuk konsiderohen të mjaftueshme për një jetë, e cila shpeshherë mund të nënkuptojë të jetuarit në kazerma larg shtëpisë (dhe jo gjithmonë në kushte të përsosura) apo të shkuarit në misione të gjata jashtë vendit.

Problemet me rekrutimet janë të lidhura edhe me plakjen dhe rënien e numrit të popullsisë evropiane. Mosha mesatare në bllok në fillim të vitit 2023 ishte 44 vjeç e gjysmë. Kjo do të thotë se gjysma e popullsisë është afro 45 vjeç e lart, dhe ku më shumë se 1/5 (21.3 për qind) janë mbi 65 vjeç.

Një faktor, i cili mund të jetë vendimtar në rastin e një konflikti hipotetik në Evropë. Sepse në atë moment, siç po e shohim në Ukrainë dhe Rusi, do të kishim nevojë për një mobilizim të gjerë, i cili do të prekte edhe pjesë të popullsisë civile.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, botoi një editorial në disa gazeta përpara samitit të BE-së të javës së kaluar, duke argumentuar se “nëse duam paqe, atëherë duhet të përgatitemi për luftë”, veçanërisht me Rusinë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, po flet tani hapur për mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë në krah të Kievit.

Por Franca, e cila ka pasur një bum në eksportet e armëve që nga shpërthimi i konfliktit, është ndër vendet që nuk duket se mund të gjejë mjaftueshëm ushtarë. Për Parisin, situata ndërlikohet nga fakti se shumë të rinj francezë, edhe pse të gatshëm të rekrutohen, preferojnë më mirë milicitë private mercenare, ku fitojnë shumë më tepër.

Si të mos mjaftonte kjo, në Francë personeli ushtarak qëndron “në armë” mesatarisht 1 vit më pak se sa dikur, duke e tkurrur gjithnjë e më shumë ushtrinë franceze. Për të përmirësuar situatën, Ministri i Forcave të Armatosura, Sébastien Lecornu, prezantoi së fundmi një plan për të inkurajuar personelin të qëndrojë më gjatë në ushtri.

Një nga masat është rritja e pagave dhe pensioneve. Por problemi është se kushtet e shërbimit nuk janë aq tërheqëse. Ushtarët detyrohen të pranojnë jashtë orarit, dhe në rastet e misioneve ndërkombëtare duhet të qëndrojnë disa muaj larg shtëpisë. Dhe kjo nuk pasohet nga periudha të gjata pushimi.

Situata nuk është më e mirë në Britaninë e Madhe, ku ka një mungesë të ndjeshme të rekrutimeve vjetore, me rreth 1 mijë më pak rekrutë të rinj (sa 2 batalione këmbësorie). Për këtë arsye, qeveria është detyruar t’ia transferojë rekrutimin një kompanie private.

Siç raporton gazeta britanike “The Guardian”, shifrat e fundit tregojnë se 5.790 njerëz janë larguar nga forcat e armatosura vetëm gjatë vitit 2023. Objektivat e rekrutimit të marinës dhe forcave ajrore, nuk janë plotësuar dot që nga viti 2010. Personeli i Marinës Mbretërore është 5 për qind nën objektivin e vendosur në vitin 2015. Ai i RAF (forcës ajrore) është 9 për qind më pak nga parashikimi.

Ushtria tokësore është e vetmja ku situata duket më e mirë, por kjo vetëm sepse objektivi i saj është reduktuar në 73 mijë trupa në vitin 2021, numri më i vogël që nga viti i largët 1714. Rritjet e pagave nuk konsiderohen në përputhje me koston në rritje të jetesës, dhe një pjesë e madhe e banesave ushtarake konsiderohen nën standardin e duhur.

Pak më shumë se një vit më parë, ushtrisë iu desh të kërkonte falje për gjendjen e keqe të tyre, dhe gati 1/3 e tyre kishin nevojë për riparime. Rrjedhimisht vitin e kaluar nuk pati qarkullim të mjaftueshëm të burimeve njerëzore, dhe për pasojë 5800 persona të tjerë u larguan nga forcat e armatosura, duke krijuar kështu një deficit.

Pak ditë më parë, një raport vjetor i paraqitur në parlamentin gjerman, tregoi se gjatë vitit të kaluar rreth 1.537 ushtarë u larguan nga Bundeswehr, duke e reduktuar këtë të fundit në 181.514 trupa. Ndërkohë planet e qeverisë, synojnë që numri i tyre të arrijë në 203 mijë deri në vitin 2031.

Po ashtu Berlini po mendon edhe për rritjen e pensioneve. Në Poloni, qeveria e re njoftoi një rritje të pagave me rreth 20 për qind në fillim të këtij viti, në një përpjekje për të parandaluar largimin e të rinjve nga ushtria. Paga minimale mujore për një ushtar ka shkuar nga 4.960 zloty (1.150 euro) në 6 mijë zloty (gati 1.400 euro).

Në kundërpërgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia, forcat e armatosura të ish-vendit komunist janë zgjeruar nga 95.000 në vitin 2015, në mbi 215.000 këtë vit. Në këtë mënyrë, Varshava është duke ndërtuar ushtrinë më të fuqishme të kontinentit.

Nën këtë klimë të tensionuar, vende si Kroacia po mendojnë të rikthejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, teksa shtete të tjera, si Danimarka, planifikojnë ta shtrijnë atë edhe tek gratë. Masa po merr edhe Italia. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, po punon për krijimin e një njësie ndihmëse prej rreth 10 mijë trupash.

Kjo njësi rezervë, e cila do të rekrutohet dhe më pas do të qëndrojë e paangazhuar zyrtarisht, por e trajnuar rregullisht, mund të përbëhet nga ish-ushtarë apo njerëz me karakteristika të caktuara. Ajo parashikohet të përdoret vetëm për të ofruar mbështetje logjistike, dhe jo për t’u përfshirë në luftime, duke liruar kështu forca të tjera që ndoshta do të përdoren në luftë.

Edhe në këtë rast, synimi do të ishte ngushtimi i hendekut për të cilin ankohen vazhdimisht Forcat e Armatosura sa i përket mungesës së personelit. Aktualisht ushtria italiane ka rreth 165 mijë trupa të angazhuara në forcat tokësore, forcat ajrore dhe marina detare.

Kjo shifër, është vetëm një pjesë minimale e trupave që ka në dispozicion një vend si Rusia, që mund të mbështetet tek 1 milion e 300 mijë trupa të rregullta plus 2 milionë rezervistë. Vetëm përmes një dekreti të firmosur në dhjetor të vitit të kaluar, Putin urdhëroi zgjerimin e ushtrisë me 170 mijë trupa shtesë, pra më shumë se e gjithë ushtria italiane e marrë së bashku.

Burimi: Europe Today/ Përshtati Gazeta Si

Shënim: Alfonso Bianchi është gazetar i Europe Today. Më parë ai ka punuar për gazeta të tilla si Corriere della Sera, La Stampa etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë