Analize

Europa pa Amerikën!

Lufta e Iranit u ka dhënë udhëheqësve europianë një shtysë të re për të planifikuar vetëmbrojtje.

Nga Gazeta ‘Si’– Në ditët e para të përballjes ushtarake me Iranin, administrata e Donald Trump u dërgoi aleatëve europianë një mesazh të qartë dhe të pazakontë: Shtetet e Bashkuara do ta menaxhonin vetë luftën.

Uashingtoni jo vetëm që nuk i paralajmëroi partnerët e NATO-s për operacionin e përbashkët me Izraelin, por as nuk kërkoi mendimin apo mbështetjen e tyre për objektivat strategjike të konfliktit.

Në vend të një koordinimi të zakonshëm transatlantik, zyrtarët amerikanë u sugjeruan europianëve të përqendroheshin te siguria e tyre, veçanërisht në krahun lindor të NATO-s, aty ku kërcënimi nga Rusia mbetet i lartë.

Sipas burimeve gjermane, Pentagoni i bëri të qartë Berlinit se SHBA do të merrej me Lindjen e Mesme, ndërsa Europa duhet të siguronte frontin e vet. Në atë moment, planifikuesit amerikanë shfaqnin një vetëbesim të madh për suksesin e shpejtë të operacionit.

Megjithatë, ky vetëbesim rezultoi jetëshkurtër.

Me kalimin e javëve, ndërsa lufta nuk po sillte rezultatet e pritura, retorika e presidentit Trump ndryshoi ndjeshëm.

Ai nisi të akuzonte aleatët europianë për mungesë kontributi dhe mbështetjeje, duke i quajtur madje “frikacakë” për mosangazhimin e tyre në hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Nga një qasje “ne e kemi nën kontroll”, administrata kaloi në një ton kritik dhe përçarës ndaj partnerëve tradicionalë.

Në të njëjtën kohë, brenda Pentagonit ndodhën zhvillime që reflektuan këtë ndryshim kursi. Drejtori i politikave për NATO-n, Mark Jones, një figurë me mbi dy dekada eksperiencë në çështjet euroatlantike, u zhvendos papritur nga posti i tij.

Ai konsiderohej si tepër pro-NATO dhe në kundërshtim me qasjen skeptike të administratës ndaj aleancës. Largimi i tij u pa si një goditje për koordinimin me Europën, pikërisht në një moment kur marrëdhëniet transatlantike po hynin në një fazë të re tensioni.

Kriza u thellua më tej kur konflikti në Lindjen e Mesme hyri në një ngërç të rrezikshëm. Irani arriti të bllokojë efektivisht Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për rreth 20% të furnizimit global me naftë dhe gaz të lëngshëm. Pasojat ishin të menjëhershme: çmimet e energjisë u rritën ndjeshëm, ndërsa ekonomitë europiane- ende të brishta nga lufta në Ukrainë-u përballën me një tjetër goditje.

Për më tepër, vazhdimi i luftës ekspozoi kufizimet e kapaciteteve ushtarake amerikane. SHBA filloi të shterojë rezervat e disa armëve kyçe, duke sjellë vonesa në furnizimet për aleatët europianë. Kjo krijoi një efekt zinxhir në industri të ndryshme, nga plastika te tekstilet dhe lodrat, ndërsa inflacioni dhe kriza energjetike u thelluan. Në fund të marsit, Sllovenia u bë vendi i parë europian që vendosi kufizime për karburantin, një masë që më pas u ndoq edhe nga vende të tjera.

Pavarësisht se po përballen me pasoja të rënda, vendet europiane kanë shumë pak ndikim në zhvillimet e konfliktit. Një koalicion i udhëhequr nga Europa ka diskutuar mundësinë për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, por liderët kanë vendosur të mos ndërhyjnë ushtarakisht pa një armëpushim të qëndrueshëm- një skenar që mbetet ende i largët.

Ndërkohë, tensionet në terren vazhdojnë, me kërcënime nga Irani ndaj anijeve dhe forcave amerikane.

Në planin politik, përplasjet mes SHBA-së dhe Europës janë bërë gjithnjë e më të hapura. Kancelari gjerman Friedrich Merz shkaktoi reagim të fortë në Uashington kur deklaroi se Irani kishte “poshtëruar” Shtetet e Bashkuara.

Trump reagoi menjëherë me tone të ashpra, duke e kundërshtuar publikisht dhe duke kërcënuar me reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Gjermani.

Pak ditë më vonë, Pentagoni njoftoi tërheqjen e rreth 5.000 trupave nga Gjermania, nga afro 40.000 që janë të stacionuar atje. Edhe pse masa është kryesisht simbolike, ajo dërgon një sinjal të fortë politik dhe mund të ndikojë negativisht në stërvitjet e përbashkëta dhe në besimin mes aleatëve. Një reduktim i tillë, pa kompensim nga Europa, rrezikon të dobësojë efektin parandalues të NATO-s-një zhvillim që shihet si i favorshëm për Rusinë.

Në fakt, ky është një skenar për të cilin Europa, dhe sidomos Gjermania, ka kohë që përgatitet. Që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949, SHBA ka kërkuar vazhdimisht që vendet europiane të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Pas agresionit rus në vitin 2022 dhe rikthimit të Trump në pushtet në 2024, kjo kërkesë është marrë më seriozisht se kurrë.

Gjermania, dikur e kritikuar për investime të pamjaftueshme në mbrojtje, ka rritur ndjeshëm buxhetin ushtarak, duke investuar në armatime, tanke, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe kapacitete kibernetike. Synimi është që deri në vitin 2039 të bëhet forca më e fuqishme konvencionale në Europë.

Megjithatë, liderët europianë nuk synojnë një shkëputje të plotë nga SHBA. Ata preferojnë një tranzicion të koordinuar, ku Europa merr më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, ndërsa vazhdon të mbështetet te ombrella bërthamore amerikane.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka theksuar nevojën për një “hartë rruge” që shmang boshllëqet e rrezikshme në kapacitete gjatë këtij tranzicioni.

Problemi kryesor mbetet paqartësia e politikës amerikane. Mes vendimeve të papritura, mesazheve kontradiktore dhe reagimeve të forta personale nga presidenti, partnerët europianë e kanë gjithnjë e më të vështirë të parashikojnë kursin e Uashingtonit.

Kjo situatë po i shtyn ata të ndërtojnë një autonomi më të madhe strategjike- jo vetëm për t’u përballur me kërcënimet e jashtme, por edhe për të menaxhuar pasigurinë që vjen nga vetë aleanca me SHBA-në./ The Atlantic


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë