Analize

Europa nuk do të rikthejë Perden e Hekurt

Bashkë me Estoninë edhe Finlanda ka qenë pjesë e thirrjeve për të hequr vizat e rusëve në BE. Aq sa mbështetje ka marrë në disa shtete, aq edhe kritika që thonë se Europa po rikthen “Perden e Hekurt”.

Akuza të tilla janë të padrejta. Ndërkohë që ka argumente legjitime kundër anulimit të vizave për turistët rusë, përshkrimi si një ide nga Lufta e Ftohtë zhvendos fokusin nga problemet reale në këto shtete dhe në marrëdhëniet me Rusinë.

Debati në Finlandë është një shembull i mirë praktik dhe simbolik. Pavarësisht pezullimit të një marrëveshjeje të mëparshme për lehtësimin e vizave me Rusinë (që në fakt e bëri më të lehtë për rusët marrjen e vizave të Zonës Shengen), ministrat e jashtëm të BE-së nuk vendosën një ndalim të plotë në një takim në Pragë.

Finlanda ka qenë pjesë e Perandorisë Ruse dhe u pushtua nga sovjetikët në 1939-n, por nuk u drejtua asnjëherë nga ajo në fakt. Ajo shpiku “finlandizimin”, neutralitetin e imponuar politik nga fqinji i saj i fuqishëm. Finlandezët kanë pasur një qasje tjetër ndaj rusëve dhe Rusisë, nga ajo e fqinjëve të tyre baltikë që u aneksuan me forcë nga BS. Në Finlandë bëhej gjithmonë dallimi midis një drejtuesi autoritar si Putin dhe rusëve, qytetarëve të thjeshtë. Por pushtimi i Ukrainës ka ndryshuar sjelljen.

Më 15 korrik, pikërisht në kohën e sezonit të udhëtimeve verore, Rusia hoqi kufizimet e udhëtimit të Covid-19 që kishin ndaluar kalimet në kufirin finlandez-rus gjatë pandemisë.

Deri në fund të korrikut, numri i rusëve që kalonin kufirin ishte rritur në rreth 6.000 në ditë, me shumicën në rrugë për në destinacionet e pushimeve diku tjetër në Europë. Aeroportet Helsinki-Vantaa dhe Lappeenranta janë të lehta për t'u arritur nga Shën Petersburgu me makinë private, autobus ose shërbim transporti. Fluturimi nga Finlanda është shumë më e përshtatshme se rruga alternative përmes Turqisë  dhe kjo rrugë është përdorur gjithashtu nga disidentët që kërkojnë shpëtimin më të shpejtë nga regjimi i Putinit.

Rihapja e kufirit shkaktoi një reagim të fortë në Finlandë. Tani, shumica e finlandezëve mbështesin ndalimin e vizave turistike për rusët dhe mendojnë se rusët e zakonshëm të mund të pushojnë në Europë ndërsa ushtarët rusë vrasin ukrainas është e gabuar. Kjo prodhoi thirrjen për kufizime të vizave turistike dhe masa të tjera për të frenuar fluksin e turistëve, duke lënë të hapura kanalet e tjera të lëvizjes.

Në viti 2019, Finlanda nxori 800 mijë viza për rusët, 3.500 të tilla në një ditë. Këtë vit ka një limit prej 1.000 dhe shkuan në 100 në shtator.

Finlanda do t'u japë përparësi formave të tjera të lëvizshmërisë për ata me lidhje familjare, punë ose viza studentore. Afërsisht 100.000 rusë me leje të shumëfishta afatgjata do të jenë ende në gjendje të hyjnë, ashtu si ata që mbajnë viza Shengen nga shtetet e tjera, përveç nëse ndërmerren veprime të mëtejshme për të kompensuar mungesën e një ndalimi në nivel BE.

Finlanda po përballet me shumë përgjegjësi në konfliktin me fqinji e saj. Përgjegjësia e parë e qeverisë atje është siguria kombëtare, që mund të rrezikohet nga hyrje-daljet e shumta, kjo sepse Rusia përdor të infiltruar si turistë. Finlanda ka një popullsi prej 5.5 mln vetësh dhe i mungon kapaciteti për të kryer kontrolle të rrepta kufitare të stilit amerikan për çdo individ që mban vizë.

Kufiri Finlandë-Rus është një anë e zonës Shengen dhe BE-së që sjell përgjegjësi edhe më të mëdha për sigurinë dhe detyrimet humanitare edhe për azilkërkuesit.  Kufiri do të jetë shumë shpejt pjesë e NATO-s.

Siç tha ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, vendi nuk mund të bëhet një pikë tranziti për ata që duan të shkojnë në Europë. Javën e fundit të korrikut, 21.5 mijë rusë hynë në Finalndë. Kjo është një tjetër arsye e fortë pse Finlanda kërkon anulimin e vizave për rusët.

Vendimi i fundit nga Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia për të ndaluar hyrjen e turistëve rusë edhe nëse ata kanë viza të vlefshme do të përkeqësojë më tej situatën në kufirin finlandez. Siç konfirmohet në Pragë, ata janë brenda të drejtave të tyre për ta bërë këtë sipas nenit 6.1(e) të Kodit të Kufijve të Shengenit, i cili lejon këtë hap nëse udhëtarët konsiderohen se përbëjnë një kërcënim për "sigurinë kombëtare" ose "marrëdhëniet ndërkombëtare" të çdo shtet anëtar. Ndërkohë që shtetet e sipërpërmendura e shohin këtë në këtë mënyrë, Finlanda nuk e bën – tani për tani – dhe u largua nga ndërmarrja e këtij hapi, që do të thotë se akoma më shumë turistë do të shkojnë në këtë drejtim.

Për vendet e tjera që kryesojnë thirrjet për ndalimin e vizave, ky hap është një vazhdim i një linje më të ashpër kundër një kërcënimi rus. Estonezët, lituanezët, letonezët, polakët dhe çekët e kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thotë nënshtrim nga një regjim represiv në Moskë dhe çfarë ndjesie është të jesh pas një perde të hekurt. As mbështetja e tyre për Ukrainën dhe as avokimi i tyre për ndalimin e vizave nuk janë të lehta.

Do të ishte joshëse të vërehet se, si ata që hodhën poshtë thirrjet për një qëndrim më të ashpër kundër Moskës si rusofobia, kundërshtarët e ndalimit të vizave që e krahasojnë atë me Perden e Hekurt priren të vijnë nga Europa Perëndimore ose nga Rusia. Por kjo do të përforconte një logjikë të gabuar dhe të rrezikshme.

Perdja e Hekurt u tërhoq nga Sovjetikët nga Baltiku në Adriatik, por ajo nuk e ndau Perëndimin nga Bashkimi Sovjetik. Ajo ndau atë që njihet si Europa Lindore dhe Perëndimore. Koncepti është i qartë: ndarja dhe diferencimi diktojnë mendësinë,.

Zjarret për këtë ndarje u ndezën dhe më shumë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron tha se vendet e Europës “lindore” janë më luftënxitëse apo më luftarake. Kjo fjali anashkaloi qëndrimet e njëjta të vendeve nga Europa e Veriut p.sh ose rehatinë e Hungarisë kundrejt Rusisë dhe riktheu përçarje të tjera.

Përdorimi i metaforës së Perdes së Hekurt ose mbështetja në përkufizimet e hershme të Lindjes dhe Perëndimit tani vetëm rrezikon të ringjallë konceptet e të shkuarës. Në një kohë kur uniteti i është urgjentisht i nevojshëm për situatën midis Rusisë dhe Ukrainës, determinizmi i lehtë historik dhe gjeografik dhe ndarjet e supozuara midis lindorëve rusofoë dhe perëndimorëve delirantë nuk i ndihmojnë askujt përveç Kremlinit.

Historia është e rëndësishme, por jo përcaktuese. Është inkurajuese të shikosh mbështetje për ndalimin e vizave nga vende si Holanda apo Danimarka, që e kuptojnë problemin e aleatëve të tyre, por edhe për Ukrainën.

Këmbëngulja e ministrave gjermanë që disa pajisje ushtarake të prodhuara nga perëndimi nuk mund t'i dërgohen Ukrainës, ndërsa ato të prodhuara në Lindje munden, mbetet sa e pashpjegueshme aq edhe e padobishme.

Kjo tregon se europianet duhet të debatojnë mbi ndalimin e vizave, furnizimet me armë dhe kundërpërgjigje të tjera ndaj Rusisë, por të heqin dorë nga metaforat e vjetërsuara që dobësojnë unitetin kundër revanshizmit të Rusisë.

Siç thoshte filozoi Jean-Paul Sartre:

“Perdja e Hekurt është vetëm një pasqyrë, ku gjysma e botës reflekton gjysmën tjetër. Çdo gozhdë që rrotullohet këtu, korrespondon me një kthesë atje. Si këtu edhe atje, ne të gjithë jemi edhe gozhduesit edhe të gozhduarit.”/ForeignPolicy


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë