Nga Gazeta ‘Si’- Qeveritë europiane po e shohin me shqetësim rritjen e tensioneve, nga frika se Vladimir Putin mund ta konsiderojë këtë periudhë si momentin më të përshtatshëm për të testuar vendosmërinë e Perëndimit.
Sipas zyrtarëve të mbrojtjes dhe politikanëve europianë, një “dritare mundësie” mund të jetë hapur për Kremlinin: një periudhë disa-vjeçare ku Donald Trump është ende në pushtet në SHBA dhe Bashkimi Europian nuk ka përfunduar ende forcimin e kapaciteteve të veta ushtarake.
Kjo situatë, e kombinuar me tensionet në marrëdhëniet transatlantike, mund të krijojë një perceptim dobësie që Rusia mund të përpiqet ta shfrytëzojë.
Megjithatë, realiteti është më kompleks.
Lufta në Ukrainë ka treguar se Rusia nuk është aq e fortë sa pretendohej më parë. Forcat e saj janë të angazhuara rëndë, kanë pësuar humbje të konsiderueshme dhe përballen me kufizime logjistike dhe ekonomike. Pikërisht për këtë arsye, shumë ekspertë nuk presin një sulm të drejtpërdrejtë dhe të madh ndaj një vendi të NATO-s, pasi kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme dhe potencialisht katastrofike për Rusinë.
Në vend të kësaj, skenari më i mundshëm është ai i veprimeve të kufizuara, të kujdesshme dhe shpesh të paqarta.
Rusia mund të ndërmarrë operacione që nuk e kalojnë qartë vijën e kuqe të një sulmi të hapur- duke krijuar konfuzion nëse aktivizohet apo jo neni 5 i NATO-s.
Ky nen është thelbi i aleancës: një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Por nëse një incident është i paqartë-p.sh. një sulm kibernetik, sabotim, apo një operacion me dronë, aleatët mund të ndahen në interpretim.
Kjo strategji e “zonës gri” është veçanërisht e rrezikshme sepse synon të përçajë, jo të përballet drejtpërdrejt.

Gabrielius Landsbergis, ish-ministri i jashtëm i Lituanisë, paralajmëron se Putini mund të përpiqet të hapë një front tjetër më të vogël për të shmangur një përfundim të pafavorshëm në Ukrainë, duke e zhvendosur fokusin e konfliktit.
Një tjetër dimension i rëndësishëm është koha. Edhe pse vendet europiane kanë rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake pas vitit 2022, ndërtimi i një kapaciteti real mbrojtës kërkon vite. Objektivi i BE-së është që deri në vitin 2030 të jetë në gjendje të përballojë vetë kërcënimet kryesore. Deri atëherë, Europa mbetet pjesërisht e varur nga SHBA.
Këtu hyn në lojë politika amerikane.
Sipas disa zyrtarëve, nëse Donald Trump përballet me presione të brendshme- si rezultate të dobëta në zgjedhjet e mesmandatit, ai mund të ashpërsojë qëndrimin ndaj NATO-s dhe Europës, duke reduktuar mbështetjen për Ukrainën. Vendime si tërheqja e trupave amerikane nga Europa përforcojnë këtë pasiguri dhe mund të interpretohen nga Moska si shenjë dobësie ose mungesë uniteti.
Në këtë kontekst, edhe një veprim i vogël nga Rusia mund të ketë ndikim të madh psikologjik. Qëllimi mund të mos jetë fitimi ushtarak, por krijimi i frikës dhe pasigurisë që dobëson mbështetjen për Ukrainën dhe përçarjen e aleatëve.
Format e mundshme të një përshkallëzimi janë të ndryshme: operacione me dronë kundër objektivave strategjikë, incidente në Detin Baltik, aktivitete në Arktik ose në ishuj të vegjël me rëndësi strategjike, përdorimi i “flotës në hije” për operacione të fshehta.
Këto veprime do të kishin një avantazh të madh për Rusinë: nuk kërkojnë një pushtim klasik me trupa dhe mund të mohohen lehtësisht ose të paraqiten si incidente të paqarta.
Nga ana tjetër, Europa nuk është e bashkuar plotësisht në vlerësimin e rrezikut.
Vende si Finlanda dhe Lituania janë më alarmuese dhe kërkojnë rritje të menjëhershme të gatishmërisë ushtarake. Ndërsa vende të tjera dhe vetë strukturat e NATO-s janë më të kujdesshme, duke argumentuar se alarmizmi i tepërt mund të ndihmojë propagandën ruse.
Megjithatë, rreziku më i madh është një ndjenjë e rreme sigurie. Nëse kërcënimi nënvlerësohet, vendet mund të mos investojnë mjaftueshëm në mbrojtje duke krijuar pikërisht kushtet që Rusia mund të shfrytëzojë.
Edhe liderët ukrainas kanë paralajmëruar për rrezik të zgjerimit të konfliktit.
Volodymyr Zelenskyy ka sugjeruar se një nga vendet baltike mund të jetë objektiv i mundshëm, për shkak të mbështetjes së tyre për Ukrainën.
Megjithatë, jo të gjithë bien dakord me këtë skenar.
Zyrtarë të NATO-s dhe liderë si Alar Karis theksojnë se Rusia aktualisht është shumë e angazhuar në Ukrainë për të hapur një front të dytë të madh. Një luftë në dy fronte do të ishte një rrezik i madh strategjik për Kremlinin.
Tabloja mbetet e paqartë dhe e tensionuar. Nga njëra anë, Rusia është e dobësuar ushtarakisht; nga ana tjetër, pikërisht kjo dobësi mund ta shtyjë drejt veprimeve më të paparashikueshme.
Siç e përmbledh situatën Karis: askush nuk e priste luftën në Ukrainë dhe për këtë arsye, Europa duhet të mbetet vigjilente, e përgatitur dhe e bashkuar./ Politico
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje