Mendim

Erdogan thellon përçarjet e Turqisë me Gjermaninë!

Vizita shtetërore e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Gjermani mendohej të shënonte një fillim të ri të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Berlinit, të tensionuara për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Por turi i Erdogan në Gjermani, i cili filloi të enjten dhe mbaron të shtunën vonë, tregoi edhe njëherë sesa të thella janë përçarjet midis Gjermanisë dhe Turqisë. Pa përfunduar ende dita e parë e vizitës së tij në Berlin, Erdogani hoqi dorë nga qasja miqësore dhe u hodh në sulm. Angela Merkel, ndërkohë, e gjeti veten duke luftuar për të mbrojtur qeverinë e saj kundër akuzave se po ndihmonte presidentin për të penguar lirinë e shtypit.

Ndalimi i disa shtetasve gjermanë nga ana e Turqisë për arsye politike e përndoqi edhe presidentin turk përgjatë gjithë vizitës. Kritikët paralajmëruan se Erdogani do ta përdorte udhëtimin si mjet propagandues për të nxjerrë në pah ndikimin e tij në skenën botërore dhe të devijonte vëmendjen nga kriza ekonomike që kanë shkaktuar politikat e tij në shtëpi. Merkel kishte vendosur të priste gjithsesi udhëheqësin turk, duke argumentuar se vizita mund t’i hapte rrugën normalizimit të marrëdhënieve. Megjithatë, për të gjithë ishte e qartë se udhëtimi i Erdoganit do të ishte i mbushur me gracka diplomatike.

Pas mbërritjes në hotelin e tij pranë Portës së Brandenburgut, Erdoani përshëndeti mbështetësit, duke ngritur lart katër gishtat e dorës së majtë, i konsideruar nga shumë kritikë si një gjest islamik. Në selinë e presidencës në Berlinin qendror, Erdoani u prit nderime të mëdha ushtarake, por presidenti Frank-Valter Steinmeier dhe gruaja e tij dukeshin mjaft të vrenjtur, duke qëndruar  pranë Erdoganit dhe zonjës së parë të Turqisë për foton zyrtare. Zyra e Steinmeier e përshkroi takimin me presidentin turk si "serioz dhe të përqendruar". Ndalesa tjetër e Erdoganit ishte parlamenti, ku Merkel e priti me mjaft dashamirësi. Por kjo atmosferë pozitive nuk zgjati shumë.

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, Zonja e Parë Elke Buedenbender , Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Zonja e Parë Ermine 

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin turk, Merkel u përpoq të theksonte pozitivitetin dhe sfidat në marrëdhëniet me Ankaranë.

"Ne kemi shumë gjëra që na lidhin," tha ajo duke veçuar lidhjet kulturore midis dy vendeve, që janë rritur falë diasporës turke që jeton në Gjermani. Merkel vuri gjithashtu në dukje "dallimet e thella" midis dy vendeve mbi sundimin e ligjit dhe arrestimin e shtetasve gjermanë, duke shprehur shpresën se problemet mund të zgjidheshin.

Por fokusi i konferencës së shkurtër për shtyp u zhvendos papritur tek trajtimi çnjerëzor i gazetarëve në Turqi, shumë prej të cilëve gjenden tanimë pas hekurave.  Disa filluan të pyesnin nëse Berlini po e ndihmonte Erdoganin të frikësojë gazetarët gjatë vizitës së tij në Gjermani. Gazetarët që mbuluan konferencën për shtyp iu nënshtruan një regjimi të rreptë sigurie që përshkruar si "skandaloz" nga reporterët gjermanë. Një gazetar i AFP-së deklaroi se gjatë një kontrolli sigurie, një zyrtar turk e kishte kapur prej xhakete, duke kërkuar të mësonte se çfarë pyetjesh kishte për qëllim t'i drejtonte Erdoganit gjatë konferencës për shtyp.

Më pas, në mes të konferencës për shtyp, personeli i sigurimit shoqëroi një gazetar turk që jetonte në Gjermani, për shkak se kishte veshur një bluzë që bënte thirrje për  lirinë e shtypit në Turqi. Zëdhënësi i Merkelit mbrojti dëbimin e gazetarit duke thënë se kancelarja nuk lejonte "demonstrata" politike në konferencat e lajmeve. Ai nuk shpjegoi pse qeveria nuk kërkoi mbështetje për lirinë e shtypit, një vlerë universale në shoqëritë demokratike, e përcaktuar edhe në kushtetutën e Gjermanisë.

Një roje sigurie largon gazetarin Yirgit Ertugral pasi u ul në radhën e parë duke veshur një bluzë që lexonte: "Liri shtypi për gazetarët në Turqi"

Incidenti ndodhi pikërisht kur Erdogan ishte në mes të një monologu të gjatë duke shpjeguar përse Turqia kishte arrestuar gazetarët dhe zyrtarët që i konsideronte armiqtë e shtetit. Ai nënqeshi pas dëbimit të gazetarit dhe pastaj ai dhe Merkel rifilluan konferencën për shtyp. Para këtij skandali, Erdogan kishte kërcënuar të anulonte pjesëmarrjen në konferencë, nëse Can Dündar, një gazetar i shquar turk që jeton në Berlin, merrte pjesë. Erdogan akuzon Dündar se është një "agjent" që ka vjedhur sekretet shtetërore dhe i ka kërkuar disa herë Gjermanisë ekstradimin e tij. Në këto kushte, Dündar, i cili mohon akuzat, nuk pranoi të merrte pjesë.

"Arsyeja më e rëndësishme pse vendosa të mos merrja pjesë në konferencën për shtyp ishte se Erdogani do ta përdorte praninë time si justifikim për të mos iu nënshtruar pyetjeve kritike të kolegëve gjermanë", tha Dündar në rrjetet sociale.

I pyetur rreth rrethanave që rrethojnë vendimin e Dündar, Merkel theksoi se ishte vendimi i gazetarit për të mos u paraqitur. Por në fund, ishte kancelaria gjermane ajo që mbrojti Erdogan nga pyetjet e vështira duke e mbyllur konferencën për shtyp përpara se udhëheqësi turk t’i përgjigjej pyetjes së një gazetari nëse i kishte kërkuar falje kancelares për akuzën se qeveria e saj vazhdon t’u përmbahet "praktikave naziste"

Por “pika me nxehtë” e vizitës së Erdoganit në Berlin erdhi të premten vonë gjatë një darke shtetërore të organizuar nga Steinmeier.

Protestuesit marrin pjesë në një marshim të organizuar nga grupet pro-kurde kundër vizitës së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Berlin

Pak para darkës, mijëra protestues morën pjesë në një marshim të quajtur "Erdogani nuk është i mirëpritur”. Më shumë se 3.000 policë kishin rrethuar sheshin qendror të Berlinit për të ruajtur rendin. Më shumë se gjysma e 300 të ftuarve në darkën shtetërore nuk pranuan të shkonin, përfshirë edhe Merkelin. Zyra e saj vuri në dukje se ajo rrallëherë merr pjesë në evenimente të tilla. Gjatë darkës Steinmeier ngriti sërish çështjen e lirisë së shtypit dhe gjendjen e vështirë të gazetarëve në Turqi, duke bërë Erdogan të shpërthente  në sulm. Ai akuzoi Gjermaninë se kishte strehuar "terroristët", duke iu referuar në mënyrë të veçantë anëtarëve të Partisë separatiste të Punëtorëve Kurdë, disa prej të cilëve kishin marrë pjesë në demonstratën e mbajtur më parë gjatë ditës. Zemërimi i tij nuk kurseu as Dündar, redaktorin e njohur turk për të cilin ai tha se gjermanët mbanin rreth "në një tabaka argjendi".

Më vonë u raportua se mes zyrtarëve që morën pjesë në darkën shtetërore ishte edhe Cem Özdemir, një politikan i shquar gjerman me prejardhje turke. Gjatë darkës, ai kishte thënë Erdoganit në turqisht se i vinte keq për vendimin e presidentit turk për të braktisur vlerat demokratike. Erdogani ndenji në heshtje.

Në mbyllje të turit të i tij tre-ditor në Gjermani presidenti turk inauguroi një xhami të madhe në Këln qendror, pavarësisht një sërë polemikash dhe protestash. Erdogani përdori hapjen e xhamisë për të paralajmëruar kundër lidhjes së terrorizmit dhe islamit. Xhamia e re, e cila ka kapacitetin për 1,100 adhurues dhe është financuar nga një grup i lidhur ngushtë me qeverinë turke dhe me një kosto prej 30 milionë eurosh, është ndërtuar për Bashkimin Turko-Islamik një organizatë që vepron nëpër gjithë Gjermaninë. Organizata ka më shumë se 70 për qind të myslimanëve në Gjermani në mesin e anëtarëve të saj.

Diaspora turke

Por përse Erdogan inauguron një xhami të tillë një vend i huaj dhe sovran? Dhe përse Gjermania  përfshihet gjithnjë në polemika sa herë që bëhet fjalë për Turqinë? Përgjigja është diaspora e madhe turke që jeton në Gjermani.

Rreth katër milionë njerëz qytetarë që jetojnë në Gjermani janë me origjinë turke.  Kjo diasporë u kthye në “mollë sherri” para referendumit të 16 prillit, nëpërmjet të cilit Recep Tajip Erdogan i dhuroi vetes  fuqi të tjera kushtetuese. Erdogan donte të dërgonte politikanët turq në Gjermani për të marrë përkrahjen e turqve që jetojnë atje, por që ruajnë të drejtën për të votuar në vendin e tyre  Qeveria gjermane ndaloi njëra pas tjetrës këto tubime. Kjo bëri që Erdogan të akuzojë gjermanët për metodat "naziste", deklarata që shkaktuan jo pak zemërim në Gjermani.

Diaspora turke i ka rrënjët e saj në Gjermaninë Perëndimore, në vitet e pasluftës. Biznese si Volksëagen, Siemens dhe apo Bosch kishin nevojë për fuqi punëtorë të lirë dhe me kualifikime të ulëta për të punuar në fabrika. Kështu ata rekrutuan qëllimisht punëtorë nga zonat e varfra rurale të Turqisë. Madje shumë prej tyre nuk mund të lexonin ose të shkruanin.

Sidoqoftë, turqit vazhdonin të vinin. Në vitin 1964 qeveria i lejoi punëtorët të sillnin edhe familjet e tyre. Shumë turq vendosën të qëndronin në Gjermani për një jetë më të mirë. Gjermania Perëndimore ndaloi programin e punësimit në vitin 1973,  kohë në të cilën strehonte plot 700,000 turq. Sot ata kanë tendencë për të marrin paga më të ulëta se gjermanët, dhe fëmijët e tyre kanë më pak gjasa të ndjekin universitetin. Shumë praktikojnë islamin në xhami të financuara nga një organizatë e drejtuar nga qeveria turke, e cila dërgon gjithashtu imamët e saj nga Turqia. Rreth një e treta e 3.000 xhamive të Gjermanisë janë pjesë e këtij rrjeti dhe kritikët i shohin ato si armë të propagandës së Erdoganit.

Por përçarjet fetare brenda Turqisë ekzistojnë gjithashtu edhe në mesin e diasporës gjermane. Në Gjermani ka edhe shumë shkolla turke që janë besnike ndaj predikuesit Fethullah Gylen (i akuzuar nga  Erdogan për orkestrimin e grushtin e shtetit).

Shumë turq në Gjermani natyrisht, janë bërë shtetas gjermanë. Por ata kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet turke. Kjo shpjegon pse Ankaraja e sheh Gjermaninë si një zonë kyçe zgjedhore. Me një diasporë kaq të madhe dhe me ndikim kaq të gjerë, Gjermania i duhet vazhdimisht Turqisë dhe politikave kontradiktore të presidentit Erdogan.

Burimet: "Bild", "Politico", 



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë