Politike

Epokë e re për shërbimin e Jashtëm / Nga Gradat, detyrimi për t’i raportuar Ramës, zgjatja e mandatit të ambasadorit e deri tek ngritja e Akademisë (Projektligji)

Nga Gazeta Si -Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nxjerrë për konsultim publik këtë muaj (në periudhë pushimesh) projektligjin 'Per Sherbimin e Jashtem' Një draft krejtësisht i ri që shfuqizon ligjin e vitit 2015

Pse duhej një ligj krejt i ri?

Ministria e Jashtme sqaron se ky draft erdhi si domosdoshmëri për rregullimin e disa problematikave të hasura nga aplikimi i ligjit të vjetër për shërbimin e jashtëm. Cilat ishin sipas ministrise?

Raportet me institucionet kushtetuese, qendrore dhe vendore në fushën e marrëdhënieve me jashtë, procesi i emërimit dhe mbarimit të mandatit të kreut të misionit diplomatik dhe postit konsullor si dhe personeli diplomatik e konsullor.

Ndryshimet me gradat

Në draftin e ri vërehet një ridimensionim i strukturës së gradave diplomatike që sipas ministrisë, lindi si nevojë e krijimit të një hierarkie më racionale.

Është futur gjithashtu për herë të parë përllogaritja për efekt të marrjes së gradës diplomatike personale të diplomatëve të karrierës të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë emëruar në misionet diplomatike dhe konsullore jashtë sistemit të karrierës diplomatike apo punojnë në organizatat ndërkombëtare.

Përcaktohen vecmas gjithashtu detyrat e zv-ministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm ndërsa preken ndryshime në mandatin e ambasadorit.  

Mandati i ambasadorit

Sipas projektligjit, Ambasadorët e Shqipërisë nuk do të kenë më mandat 3 vjeçar, por do të qëndrojnë në krye të misioneve diplomatike për 4 vite.

Ndryshe nga ligji i vjetër, kreu i misionit diplomatik nuk mund të ushtrojë më shumë se dy mandate të njëpasnjëshëm në misione diplomatike dhe poste konsullore.

Ndryshboin edhe rruga e emërimit. Ambasadori i ri, ndryshe nga ligji i vjetër dekretohet nga Presidenti dhe pastaj  shkon në seancë dëgjimore në komisionin e Jashtëm parlamentar.

Akademia Diplomatike  

Për herë të parë futet si koncept ligjor krijimi i strukturës së Akademisë Diplomatike që ka si detyrë të parë formimin profesional, i cili përfshin trajnimin e diplomatëve të rinj, si dhe trajnimin e të gjithë anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm.

Akademia do të zhvillojë edhe kurse për mësimin dhe perfeksionimin e njohurive të gjuhëve të huaja, si dhe kurse përgatitore kualifikuese për gradat diplomatike.

Akademia Diplomatike organizohet dhe funksionon si institucion varësie i Ministrisë, me personalitet juridik dhe buxhet të vetin.

Me propozim të Ministrit, Këshilli i Ministrave miraton rregullat për organizimin, funksionimin dhe financimin e Akademisë Diplomatike.

Bashkëpunimi me kryeministrin

Futet gjithashtu me ligj bashkëpunimi i detyrueshëm me kryeministrin.

Sipas projektligjit, ministri i paraqet Kryeministrit propozime për çështje që lidhen me përcaktimin dhe zbatimin e politikës së jashtme.

Ministri i raporton gjithashtu Kryeministrit mbi mënyrën e bashkëveprimit ndërinstitucional në funksion të realizimit të politikës së jashtme

Rregulla të reja për të emëruarit jashtë diplomacisë

Në raste të veçanta, bazuar në interesat e politikës së jashtme të Shqipërisë, Ministri i propozon Kryeministrit kandidatura për kre të misionit diplomatik jashtë sistemit të karrierës diplomatike, personalitete të shquara në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të së drejtës, ekonomisë, kulturës, shkencës apo të shoqërisë civile, me lidhje ose marrëdhënie dobiprurëse me shtetin pritës.

Ndryshe nga ligji i vjetër janë hequr disa detyrime që duhet të kishte i emeruari nga jashtë sistemit dhe janë vendosur disa regulla të reja që lidhen kryesisht me pastërtinë e figures. Mjafton që kandidati  të mos bëjë pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike;b) të mos kenë qenë person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, anëtarë, bashkëpunëtorë, ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilët figurojnë si të tillë në dokumentet e ishSigurimit të Shtetit, para 2 korrikut 1991, si dhe të sigurojë një vërtetim që njeh një gjuhe të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë