Interviste

Epoka post-covid, sociologu: Sjelljet ndryshojnë, por njeriu do të mbetet qenie sociale

Pas daljes nga izolimi i parë i pandemisë, politikanët na ofronin një pamje të re ku shtrëngimi i duarve në takime zyrtare ishte zëvendësuar shpejt me një trokitje bërrylash dhe pas valës së dytë të shpërthimit të covid-19 duket se janë bërë edhe më të distancuara – duke respektuar edhe protokollet e masave – me një përkulje dhe një dorë në zemër. Kështu e përcolli presidenti Meta ambasadorin e ri të OSBE-së, në shkallët e institucionit, ndërsa më herët në zyrën e tij ishin mjaftuar me një trokitje të grushteve.

Ekspertë të të gjitha fushave parashikojnë, qysh prej marsit, se bota në epokën e pandemisë, por edhe ajo e etiketuar si post-covidiane, nuk do të jetë kjo në të cilën jetojmë sot.

Ndërsa infektimet me koronavirus shtohen në të gjithë botën e bashkë me të edhe numri i vdekjeve, disa shtete i janë rikthyer izolimit, ndërsa të tjera ashpërsojnë masat si në Shqipëri, ku veç orës policore u ndaluan grumbullimet me më shumë se dhjetë persona, duke nisur nga ato për motive politike e deri tek ato fisnore si përkujtimet mortore apo dasmat.

T’u kërkosh mesdhetarëve e ca më tepër, ballkanasve, të heqin dorë nga disa lidhje shoqërore e kontakte fizike si shtrëngimi i duarve apo puthjet në faqe, duket mision më i vështirë se ai në vendet perëndimore, por megjithatë duket se të gjithë janë ndërgjegjësuar për rrezikun dhe po u dorëzohen mënyrave të reja të ndërveprimit social.

Për sociologun Gëzim Tushi masat e vendosura  kundër përhapjes së koronavirusit shkojnë konform parimeve të shëndetit. “ Janë të nevojshme, të domosdoshme e të pashmangshme dhe,  do të ishte naivitet,  injorancë, padituri, nëse do t’u kundërvihemi në emër të disa parimeve eterike që kanë të bëjnë me shkelje të  të drejtave të njeriut, me cenimin e sovranitetit të njeriut, me kufizimin e hapësirës së lirisë, etj., etj.”, thotë Tushi, duke pranuar se disa liri dhe të drejta janë të cenuara dhe këto masa rritin autoritetin e qeverisë.

“Duket sikur ka një paradoks, një kontradiktë  konceptuale  mes këtyre dy anëve:  lirive të qytetarit dhe lirive  të shtetit. Në të vërtetë nuk është kështu;  duhet të bindemi e të pranojmë që janë masa konform nevojave të shëndetit”, shton sociologu duke theksuar situatën e jashtëzakonshme, ravijëzuar nga frikëra e pasiguri të mëdha përballë një armiku që ende nuk njihet i plotë dhe ende nuk është gjetur një rrugë për ta frenuar, me gjithë lajmet e mira që vijnë nga fronti farmaceutik me gjetjen e dy vaksinave 90 dhe 95 përqind efikase.

Sociologu Gëzim Tushi

Sipas Tushit, masat në dukje mekanike, si ato për të reduktuar grumbullimet, takimet, lidhjet sociale, për të prekur kohezioni social, format tradicionale të komunikimit dhe lidhjes mes njerëzve, personale dhe ndërpersonale, familjare e jashtëfamiljare, që kanë të bëjnë me dasmat, vakitë, tubimet politike,  janë për të garantuar shëndetin individual dhe publik.

“Janë dy rreziqe në një: rreziku që  individi të infektohet nga mungesa e kujdesit dhe nga grumbullimet e panevojshme nga njëra anë dhe ai të bëhet burim  për të cenuar shëndetin publik”, thotë Tushi për Gazeta Si.

Duke i vënë në peshore, duket se e drejta e shëndetit prevalon mbi të drejtat dhe liritë e njeriut.“Mbi këto parime, jo vetëm që rrezikon shëndetin individual që është pronë private e tij, por bëhet rrezik i madh social për përhapjen e epidemisë”. Duket se Covid-19 ka gjetur aleat tek grumbullimet e mëdha, kontaktet fizike, takimet, ndërsa ekspertët e shëndetit pranojnë se virusi përhapet përmes spërklave dhe kontakteve fizike.

“Kur shkakun e  dimë, pse nuk duhet ta shmangim pasojën?”, pyet sociologu. Ndonëse shkencëtarët e sjelljes njerëzore i gjurmojnë përshëndetjet me kontakt fizik tek evolucioni dhe gjejnë tek ato shkaqe përtej etiketave të mirësjelljes, studimet gjithashtu zbulojnë se thjesht mendimi i sëmundjes mund të ndikojë tek qëndrimet dhe ndërveprimet tona me të tjerët. Për shembull, njerëzit kanë më pak të ngjarë të ekspozojnë sjellje ekstroverte kur janë më të vetëdijshëm për rrezikun e infeksionit.

Fatkeqësisht, siç po zbulojmë tani, ekziston një pikë e dobët e  kontakteve fizike . Pavarësisht se sa i besojmë dikujt, një ndërveprim nga afër rrezikon transferimin e patogjenëve. Në fakt, kërcënimi i sëmundjes duket se ka ndikuar në përshëndetjet e miratuara nga shumë kultura shumë më përpara se të vinte Covid-19.  Trokitjet e grushteve u shfaqën në vitet ’60, ndërsa përplasja e bërrylave në vitet ’80 e që duket se do të bëhen më të zakonshme, tani që pandemia covid-19 ka rritur ndërgjegjësimin tonë për  transmetimin e mundshëm të sëmundjes  përmes  përshëndetjeve më intime.

Por sa do të ndikojnë këto masa të distancimit fizik në psiken njerëzore dhe cilat do të jenë pasojat që do të lërë në shoqëritë njerëzore koronavirusi edhe pasi të jetë mposhtur përmes vaksinave? “Pa diskutim të gjitha gjërat do të ndryshojnë.  Periudha  post-covidiane  do t’i bëjë njerëzit të mos procedojnë si më parë. Së pari do të ndryshojë sistemi i vlerave tradicionale që kemi pasur. Jo vetëm tek ne, por në nivel global”, thotë sociologu Gëzim Tushi duke pranuar se në shoqëritë ballkanike si e jona koraca e  konservatorizmit është më e fortë.

Virusi ka, sipas  Tushit, efekte imediate si edhe të perspektivës. Të parat lidhen me frikën dhe pasigurinë, ndërsa virusi bëhet ekstensiv dhe intensiv.“ Kjo  lloj frike dhe pasigurie duhet të kthehet në instrument të shëndetshëm.  Është  injorancë të thuash se nuk ke frikë e nuk të zë covid, ku kanë humbur jetën më shumë se 1 milionë e gjysmë njerëz”, vijon sociologu i cili thotë me bindje se koronavirusi do të ndryshojë paradigmate komunikimit ndërpersonal, “që do të thotë se njeriu do të bëhet pak më shumë egoist, individualist, vetmitar, me kontakte të kufizuara”.

Megjithatë, qetëson sociologu, njeriu do të mbetet qenie sociale edhe në periudhën post-covidiane, pasi virusi të mposhtet. “Derisa të ekzistojë mbi tokë njeriu do të jetë qenie sociale, por  do të reduktojë lidhjet e  tepërta, lidhjet e panevojshme, lidhjet e dëmshme, për dukje, për bravura të jashtme, për efekte militanteske e politike apo për efekte sociale, për të treguar rëndësinë që ka  në një moment të caktuar njeriu që bën dasmë  apo kur bëjmë përkujtimet e riteve mortore ...Të gjitha do të ndryshojnë dhe njerëzit kanë nisur të binden për këto ndryshime”, parasheh sociologu, duke vijuar se ndryshimet ashtu siç është diskutuar shumë gjatë këtij viti do të prekin edhe presione, që Tushi i etiketon si “të lëkurës njerëzore”.

Sociologu thotë se do  të ndryshojë profesioni i mjekut, i mësuesit, i sociologut, do të zgjerohet tele-puna, një pjesë do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia. Sistemi arsimor,  shkolla, një ndër institucionet më konservatore, tradicionale,  më të pandryshueshme që ka pasur gjithnjë fikse klasën, auditorin, mësuesin e pedagogun, do të ndryshojë.  Një pjesë do të bëhen online, institucionet e sistemit bankar shëndetësor, do të zgjerohet tele-ndihma mjekësore.  “Siç  e kemi parë,  kemi filluar të komunikojmë me mjekun e familjes pa pasur kontakt fizik. Përballë kemi një revolucion të vërtetë, përmbysje të koncepteve,  së pari te mënyrat të të jetuarit, sistemet e vlerave dhe sjelljes sociale”.

Tashmë e ardhmja e filmave futuristë, utopikë e distopikë duket se është ante-portas me një shoqëri njerëzore që po kthehet në tele-shoqëri.

“Jemi të detyruar t’i pranojmë këto sfida të mëdha.  Sociologët  e kanë parashikuar se ky shekull do të ketë ngjarje me efekte të menjëhershme. Mjaft  të kujtojmë tërmetin e  26 nëntorit, shpërthimin e virusit dhe kthimin shumë shpejt në pandemi, por ne nuk e dimë se ç’kemi përpara. Të  sigurt kemi vetëm atë që kemi kaluar”, thotë ai.

Me përvojën e covid-19, njerëzimit duket se po përgatitet për një të ardhme që nuk i shmang rreziqet e përhapjeve të viruseve, pandemive të reja, sëmundjeve epidemiologjike, virusale e bakteriale.

“Në këtë kontekst, për t’u mbrojtur nga duhen dy lloj digash: së pari diga individuale. Shëndeti është pronë private, personale dhe njeriu duhet të bëhet i përgjegjshëm për ta mbrojtur, por për këtë  duhet të dish çmimin e tij. Nga ana tjetër duhet të përforcojmë digat sociale, që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit  publik”.

Këtu, është i mendimit sociologu, hyjnë masat  që duhet të marrin politikat qeveritare, shteti, politikat mjekësore, institucionet e përkujdesit social dhe shëndetësor, që së bashku duhet krijojnë një front të madh, të rëndësishëm,  të sigurt për mbrojtjen e shëndetit publik. “Këto dy diga që kanë të bëjnë me kujdesin personal dhe  me kujdesin shtetëror dhe të institucioneve socio-sanitare janë absolutisht të domosdoshme për të ardhmen”.

Historia njerëzore ka njohur pandemi, që kanë fshirë popullata të tëra nga rruzulli e megjithatë nevoja për kontakt fizik duket se ka mbizotëruar mbi të gjitha sfidat e shëndetit.

Perandori Tiberius, i cili mbretëroi nga viti 14 deri në 37 pas Krishtit, ndaloi praktikën e puthjeve në faqe – një përshëndetje mes të barabartëve në perandorinë romake -  në pritjet e oborrit,  meqenëse besohej se përhapte një infeksion të rrezikshëm të fytyrës. Ndalimi nuk zgjati shumë; puthja e faqeve ka mbetur veçanërisht e popullarizuar në të gjithë Europën Jugore.

A do të ikin edhe ndryshimet e sjelljeve që imponoi covid-19, bashkë me mposhtjen e tij dhe shënimin e një tjetër fitoreje të njerëzimit mbi sëmundjet infektive apo ky virus i ri ishte porta që u çel për të sjellë një epokë të re të shoqërisë njerëzore?

Prognozat precize në kushte të tilla, sipas sociologut, janë të vështira. “S’mund të bëj orakullin e Delfit për të dhënë konkluzione në instancë të fundit sa dhe si do të ndryshojë, personalisht gjykoj se ndryshimet janë të pashmangshme”.

Një pjesë, sipas Tushit, do të jenë ndryshime të menjëhershme të cilat kanë nisur të ndodhin para syve tanë. “Kemi filluar t’i reduktojmë dukshëm kontaktet fizike me njerëzit e fisit, të gjakut, të komunitetit, të fqinjësisë... të gjitha këto barriera janë të rëndësishëm. Nuk e di sa të thela do të jenë ndryshimet e mëtejshme, por i bindur jam se asgjë nuk do të jetë siç ka qenë”.

Nëse ndryshimet do të ndodhin për mirë apo për keq, kjo do të jetë një çështje që do të diskutohet sërish përmes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë njerëzore. Sociologët bien dakord në një pikë kur pranojnë se pas covid, njeriu do të bëhet më vetmitar, i izoluar, më egoist, më individualist,  më i lidhur me interesat personale,  më asocial dhe më pak i komunikueshëm me të tjerët. Por këto sipas Tushit, lidhen me parimet e shëndetit. “Dhe kam idenë se mbi parimet e shëndetit, asnjë parim tjetër nuk ka vlerë”.  

Sot, sociologët flasin për pandeminë e nostalgjisë, që evokon një kohë kur grumbullimet, takimet, prekjet e përqafimet nuk ishin të ndaluara. “Të kesh nostalgji si kemi vajtur  në fshat tek kushërinjtë, si kemi ndenjur një muaj atje, si kemi bërë dasmë me nga 300 veta, si tek funerali i gjyshes erdhën 80 vetura, ... të gjitha këto nuk do të jenë më. Megjithatë asnjë frikë nuk duhet të kemi;  njeriu do të mbetet qenie sociale.

Tusha thotë se pas periudhës së covid do të zgjerohet ajo që sociologët e quajnë “pavëmendja civile”, që në shoqërinë shqiptare sipas sociologut nuk ka qenë në masat e duhura. “Futim hundët  në punët e tjetrit, nuk dimë të mbajmë radhën, i afrohemi tjetrit pa ruajtur distancën private të tij dhe këto i kemi në traditën tonë për të treguar se jemi popull i ngrohtë,  komunikativ  e që e duam shumë njëri-tjetrin”.

Ndryshimet, thotë sociologu për Gazeta Si,  janë  të pashmangshme dhe do të ndodhin, ndërsa  shkalla , gjerësia, dhe intensiteti  është për t’u diskutuar mes komunitetit të sociologëve dhe ekspertëve të sjelljes njerëzore.

“Në  këtë pikëpamje detyra e observatorit dhe panoptikonit sociologjik është të përpiqet të shohë çfarë po vjen, çfarë është prapa ‘malit’ që po i afrohet shoqërisë sonë, që të jetë e përputhshme me këto ndryshime”, thotë Tushi.

Ndërsa në vendet me ekonomi të përparuara dhe shoqëritë perëndimore  individualizmi nuk është diçka e re, ndërsa individët bëhen gjithnjë e më vetmitarë, në shoqërinë shqiptare lidhjet komunitare e fisnore vijojnë të mbahen e megjithëse në kohë pandemie njerëzit vijojnë të mblidhen në ceremoni mortore e dasma, duke sfiduar ligjet, qoftë edhe fshehur.

“Çdo popull ka zakonet dhe mënyrat e veta të sjelljes.  Këto  kode zakonore janë shumë të rëndësishme dhe kanë të bëjnë me statusin e  kulturës dhe qytetërimin e një kombi. Nordikët kanë kanë qenë të ftohtë para se të vinte covid, anglosaksonët kanë ditur të ruajnë distancat e hapësirës private dhe e kanë respektuar, ne nuk e kemi pasur”, thotë sociologu, ndërsa shton se shoqërisë shqiptare i bie për hise të kalojë përmes një revolucioni të dyfishtë.

“Së pari me zakonet e trashëguara dhe kablloja e zakoneve është shumë i trashë.  Kemi  zakone që janë të padobishme, të pavlefshme, kundër produktive , kundër shëndetit dhe padyshim që duhet të ndryshojnë”.Të  ngulmosh në ruajtjen e këtyre zakoneve, që Tushi i etiketon si të ndryshkuara, të kalçifikuara e të dala nga përdorimi, do të thotë të jesh kundër jetës.

“Gjërat do të ndryshojnë, por nuk mendoj se do të bëhemi anglosaksonë apo nordikë me një të rënë të lapsit apo me një intervistë të dhënë prej meje në telefon.  Do  kohë dhe koha është në favor të këtyre ndryshimeve”, përfundon sociologu. Koha për këto ndryshime duket se është më e volitshme se kurrë, ku jeta dhe shëndeti peshon më shumë se çdo zakon tjetër i shoqërisë, sado i lashtë apo identifikues kulturor të jetë ai./ Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë