Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e premte me nënshkrimin e një marrëveshjeje, e cila autorizon kompaninë italiane të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës, ENI, që të kërkojë dhe nxjerrë “arin e zi” nga zona e Dumresë, në Qarkun e Elbasanit.
Në fjalën e mbajtur, Kryeministri e interpretoi këtë marrëveshje si lajm të shkëlqyer që veç të ardhurave financiare që do të sjellë, do të trajnojë edhe studentët shqiptarë të Fakultetit të Gjeologji-Minierës.
“Në Dumre ka një rezervë të pritshme të konsiderueshme, sikurse zbulimi në Shpirag është një nxitje më shumë për të vijuar me eksplorimet. Bëhet fjalë për një tjetër investim të huaj që vendos një flamur me shumë peshë në hartën e investimeve të huaja në Shqipëri, e përtej vlerës monetare do sjellë edhe vlerën e madhe të dijes e të bashkëpunimit që do rrisë cilësisht gjithë hapësirën që mbulon ky sektor”, tha ai.
Blloku i Dumresë është një nga 13 zonat përmes të cilave qeveria ka ndarë territorin e vendit për llogari të kërkim-nxjerrjes së naftës dhe gazit. Ndarja është propozuar në 2015 si pjesë e strategjisë së Qeverisë për të zhvilluar këtë sektor. Por, a ka vend për entuziazëm?
Distanca prej pak kilometrash në veri të strukturës së Shpiragut, ku edhe “Petromanas” gjeti naftë, por edhe afërsia me fushën naftëmbajtëse të Kuçovës kanë bërë që prej vitesh të besohet se nëntoka e Dumresë ruan rezerva të konsiderueshme nafte. Studimet e para janë bërë nga Albpetrol që në vitet 1970-1980. Ato pasuan kërkimet nga kompani të huaja pas rënies së komunizmit.
Por, vetëm në shtator të 2010, kompania “Sky Petroleum”, që u tha se ishte amerikane, deklaroi se kishte arritur që të zbulojë vendburime me 875 milionë fuçi naftë. Kërkimet e kësaj kompanie ishin ndërmarrë pas një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare të asaj kohe. “Sky Petroleum” doli në përfundimin se disa blloqe janë të pasura me naftë.
U tha se kompania amerikane kishte kontraktuar një shoqëri të njohur konsulence në fushën e karburanteve, “McKinsey”, e cila pas një studimi të blloqeve 4 dhe 5 në Dumre, vlerëson se ka një pasuri nafte që shkon në rreth 875 milionë fuçi, vlera e së cilës mund të arrijë deri në 3 miliardë dollarë në treg.
Kompania kishte firmosur një marrëveshje koncesioni me Ministrinë e Ekonomisë në atë kohë, kundrejt planit për zhvillimin e zonës përmes investimeve dhe nxjerrjes së naftës. Por për shkak të thellësisë në të cilën ishte gjetur nafta, raporti i “Sky Petroleum” vlerëson me 24 për qind suksesin në nxjerrjen në sipërfaqe të naftës, që përkthehej në rezerva të mundshme prej 220 milionë fuçish.
“Sky Petroleum” mori të drejtat ekskluzive, sipas Kontratës së Ndarjes së Prodhimit në zonën e Dumresë. Përveç të drejtave të shfrytëzimit për kërkim për një mandat 7-vjeçar, me tre periudha shfrytëzimi dhe me zbulimin e naftëës dhe gazit të tregtueshëm, marrëveshja i garantonte zhvillimin dhe prodhimin për një periudhë 25-vjeçare, me të drejtë zgjatjeje nga ana e kompanisë.
Por çfarë ndodhi? Zbulimi i trumbetuar me bujë në atë kohë u harrua shpejt, ndërsa kompania “Sky Petroleum” u zhduk pa lënë gjurmë. Në 2015, ende pa i përfunduar mandati 7-vjeçar i ekskluzivitetit të kësaj kompanie, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore njofton se e drejta për kërkim-nxjerrjen e naftës në zonën e Dumresë i ishte besuar kompanisë izraelite “Navitas”, me një kapital 5 miliardë dollarë.
Marrëveshja mbeti vetëm në letër. Gazeta “Si” konfirmon përmes burimeve të saj se në terren kompania në fjalë nuk nisi asnjëherë punimet. Këto janë dy rastet më të bujshme të dështimit me sukses të marrëveshjeve të bujshme mes qeverisë shqiptare, por jo të vetme. Gazeta “Si” ka konfirmuar se pas rënies së komunizmit janë të paktën 8 kompani që janë interesuar për kërkimin dhe nxjerrjen e naftës në Dumre, mes të cilave dhe “Bankers Petroleum”, që aktualisht vepron në Patos-Marinzë.
Sot, thuajse 10 vite nga zbulimi i kompanisë “Sky Petroleum”, qeveria nënshkruan një tjetër marrëveshje që i jep një tjetër kompanie bllokun e Dumresë. A ka vend për entuziazëm? Kjo mbetet për t'u parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.