Lajme

Engjëjt e Arben Kumbaros – Homoseksualë, fetarë dhe politikë 

“Njerëzit ngritën sytë nga qielli duke kërkuar ndihmë së larti dhe Engjëlli i Historisë u shfaq në horizont me sytë e ngulitur, gojën e hapur dhe flatrat e shpalosura, ndërsa katastrofat njerëzore u shpërndanë para këmbëve të tij”, shkruan filozofi Ëalter Benjamin në esenë  “Teza mbi Filozofinë e Historisë”.  Engjëj që trazojnë historinë, politikën, religjionin, identitetin gjinor, por edhe atë kulturor zbresin në Tiranë, përmes regjisorit Arben Kumbaro, i cili sjell premierë absolute veprën e dramaturgut të njohur amerikan Tony Kushner.

“Engjëjt e Amerikës” është një shfaqje provokative, deri në kufijtë e të pamendueshmes, ka zbuluar më herët regjisori, i cili i kthehet teatrit, pas “Vrasja e Maratit”, më 2015-ën. “Jam përpjekur ta shtrij në maksimum këtë projekt për të  bërë një surprizë në këtë realitet  kulturor  dhe për të parë me  kuriozitet reagimin nga publiku. Mesazhi i veprës është toleranca, paqja dashuria njerëzore”, do të thoshte regjisori përpara premierës në skenën e “ArTurbina”, mbrëmjen e 27 dhe 28 prillit. Dramaturgun, veprën e të cilit e quan si ‘kapela Sistinë e dramaturgjisë moderne’ e ka njohur personalisht në vitin 1995, ndërsa  vendosi ta sjellë në skenën shqiptare.

Genti Deçka, në "Engjëjt e Amerikës"

“Poet i madh i teatrit,  me rrënjë tek estetika brehtiane, i cili  do i ngelet artit dhe letërsisë dhe desha ta sjell në një vend që aspiron aq shumë Perëndimin,  nga një mendje aq e mençur që e kritikon shumë Perëndimin’, ka thënë regjisori. “Engjëjt e Amerikës” është një dramë e shkruar në dy pjesë. E para titullohet “Afrimi i mijëvjeçarit” dhe trajton ngjarje që zhvillohen në fund të viteve ’80, ndërsa pjesa e dytë titullohet “Perestrojka”.  Dramaturgu ka zgjedhur sfondin homoseksual për të zbërthyer tematika më të thella të zhvillimeve politike, jo vetëm të Amerikës, por edhe ato botërore, në një periudhë të rëndësishme të historisë si vitet ’90, që u shënjuan me rënien e komunizmit,  Perden e Hekurt dhe shembjen e Murit të Berlinit.

“Vitet ‘90 ishin të rëndësishme për të gjithë botën. Edhe për ne. Me rënien e Murit të Berlinit, rënien e komunizmit dhe të Perdes së Hekurt, shoqëria njerëzore  u vu në kërkim të armikut të ri, duke e kërkuar brenda vetes, tek i ndryshmi në lëkurë,  tek i ndryshmi në fe, i ndryshmi në gjini”,  thotë Kumbaro, që e sheh këtë histori në dukje si një dramë homoseksuale, të flasë rreth  të ndryshmit dhe mungesës së tolerancës, një problem i  shoqërisë shqiptare, ende sot.

Donald Shehu dhe Laert Vasili

Pjesa e parë e dramës, “Afrimi i Mijëvjeçarit” e pari premierën në maj të 1991-shit, ndjekur nga pjesa e dytë, “Perestrojka”, që e pati premierën nëntorin e vitit tjetër. Të dy pjesët “Engjëjt e Amerikës” rrëfejnë historinë e një grupi njerëzish që përpiqen t’i japin kuptim botës në Nju Jorkun e fund viteve ’80. Drama fokusohet tek historitë e dy çifteve të trazuar, një homoseksual dhe një heteroseksual: “përpunuesi i fjalëve” Louis Ironson dhe dashnori i tij  Prior Walter, avokati mormon  Joe Pitt dhe e shoqja Harper.

Helidon Fino

Priori është një performues me Aids, të cilin dashnori i tij hebre, Louis-i e braktisi  e për t’u  lidhur me Joe, një mormon dhe politikan republikan. Harper, bashkëshortja e Joe-it, ka një krizë nervore dhe Hannah, e ëma e Joe-it, vjen nga Salt Lake City për të ndihmuar çiftin Historitë e tyre ndryshojnë nga ajo e Roy Cohn ( një rikrijim i trilluar i avokatit famëkeq amerikan që vdiq nga Aids më 1986-n) dhe përpjekjet e tij për të qëndruar i fshehur ndërsa përpiqet të gjejë një lloj shpëtimi personal tek vlerat e tij. 

Indrit Çobani

Belizeja është një infermier afro-amerikan, dikur një transvestit, që kujdeset si për Prior-in ashtu edhe për shokun e tij dhe ish-dashnorin Roy Cohn në spital. Pjesa më e madhe e “Afrimi i Mijëvjeçarit” i është kushtuar prezantimit të subjektit dhe tipareve kryesore të personazheve dhe situatave personale. Tezat kryesore të veprës i prezantohen publikut në Aktin e Tretë dhe në “Perestrojka”. Vepra mund të shihet edhe  si një meditim se ç’do të thotë të jetosh dhe të vdesësh nga Aids, apo diçka tjetër, në një shoqëri që do ta dijë  gjithnjë e më pak rreth jetës së njeriut dhe dinjitetit baziksi edhe një kritikë publike e administratës së drejtuar nga Ronald Regan, me  një shpërfillje të dukshme për krizën e Aids, mbi korrupsionin e hapur politik.

Helidon Fiino dhe Indrit Çobani

“Dhe vitet ‘90 janë vitet kur shpërtheu në mënyrë tragjike epidemia e AIDS,  tragjedi e madhe sidomos në Amerikë. U krijua një opinion nga media, që të gjithë homoseksualët përçuan Sidën dhe nëse ishe me Sida ishte homoseksual”, thotë Kumbaro, i cili  në këtë ekstrakt të veprës së Kushner ka sjellë një kastë aktorësh si  Genti Deçka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Laert Vasili, Donald Shehu, Indrit Çobani,Ina Gjonçi, Luli Bitri dhe Vasjan Lami. Për shkak të gjuhës eksplicite,  teatri njofton se shfaqja është e papërshtatshme për shikuesit nën moshën 16 vjeçare.

Suksesi i Engjëjve të Amerikës paraqet një pikë të vërtetë kthese në dramaturgjinë amerikane. Përmes situatave specifike, që  personazhet  u nënshtrohen si tek “Afrimi i Mijëvjeçarit” ashtu edhe tek “Perestrojka” dramaturgu ekspozon vizionin e tij brehtian dhe neo-hegelian të ngjarjeve aktuale. Kushner riciklon lirshëm mitet tradicionale amerikanë dhe elementët e kulturës amerikane dhe i fut ato në rindërtimin e identitetit – qoftë ai gjinor, racor apo politik – që janë boshtet e vërtetë të dramave të tij.

Donald Shehu dhe Laert Vasili

Duke i bërë personazhet homoseksuale udhëheqës të dramës dhe duke përfshirë elementë të dukshëm fetare nga një stil letrar apokaliptik, diskutime mbi  politikat e Reganit mbi Aids-in dhe imazhe reminishente historike, “Engjëjt e Amerikës” bëhet  një rishikim i periudhës së re kombëtare. “Nuk vdesim më në vdekje të fshehta. Bota vetëm shtyn përpara. Ne do të jemi qytetarë. Koha ka mbërritur”,  shkruan Tony Kushner,  në pjesën e dytë  të dramës.

Shumica e kritikëve ende përpiqen të bien dakord si ta etiketojnë veprën me dy pjesë të Kushner. Për disa është thjesht një dramë epike apo dramë politike, të tjerë e  klasifikojnë si dramë homoseksuale apo një dramë për Aids dhe të tjerë akoma, e etiketojnë si dramë fetare apo hebraike. Por në një pikë bien të gjithë dakord: Engjëjt e Amerikës është në dramë serioze dhe shumë  kritikuar, komentuar dhe  më e vlerësuara  me çmime në skenën amerikane, që prej viteve 50.

Ina Gjonçi

Anthony Kushner, i lindur më 16 korrik 1956, është një nga dramaturgët dhe skenaristët amerikanë më të vlerësuar të kohës sonë. Vepra “Engjëjt e Amerikës” është fituese e çmimit ‘Pulitzer’, ‘Tony Award’, ‘Drama Desk’ dhe më  2013 ai u nderua nga Presidenti Barack Obama me medaljen “National Medal of Arts”.

Skenë nga "Engjëjt e Amerikës", pjesa e dytë "Perestrojka"

“Vepra flet për raportin me Zotin, politikën, të majtën e të djathtën.  Merret me historinë e hebrenjve, shtylla e politikës  së re amerikane, me historinë e mormonëve, palestinezëve, ndryshimet radikale në Europën Lindore, me dramat sociale, integrimin në shoqërinë amerikane, me drejtësinë amerikane”, është shprehur Kumbaro, që e sheh si një tekst universal që i flet çdo shoqërie. “Sipas Kushner,  edhe Perëndimi pati një perestrojka kulturore”.

Drama e Kushner  është komplekse dhe e vështirë të kategorizohet nga një këndvështrim: si një shfaqje, një vepër letrare, një refleksion politik apo fetar, një fenomen kulturor apo një dokument historik. Engjëjt e Amerikës është një vepër dramatike që u  jep një përgjigje mijëra amerikanëve, që kanë  jetuar një realitet të ashpër dhe kanë pyetur se ç’domethënie kishte të ishe pjesë e një komuniteti në një kohë të vështirë,  siç ishte epoka e Reganit.

Vasjan Lami

Dramaturgu i vuri dramës nëntitullin “Një Fantazi gay mbi Temat Kombëtare), si një fantazi muzikore, ku kompozitori i lë dorë të lirë imagjinatës. Kështu Kushner i bën skenat të kapërcejnë apo mbivendosen, në një mënyrë kontrapunkte, i bën personazhet të lëvizin brenda dhe jashtë dialogëve të njëhershëm me njëri-tjetrin dhe ndryshon menjëherë sfond,  nga zyrat tek shtëpitë, nga spitali në një Antarktidë imagjinare, Central Park apo Brooklyn. Toni i dramës lëviz mes komedisë, humorit të zi dhe të mbinatyrshmes.

Luiza Xhuvani

Megjithëse e pranon se e ka pasur të pamundur ta sjellë të plotë sagën,  nga ana teknike dhe aktoriale, por ka përqendruar një ekstrat të saj, regjisori Kumbaro thotë se i ka qëndruar besnik konceptit brehtian të dramaturgut, ku një aktor interpreton disa personazhe. Luiza Xhuvani, zbulon ai interpreton tre personazhe.

“Engjëjt e Amerikës” ka pasur sukses dhe si serial televiziv i HBO, duke u vlerësuar me  pasi 11 çmime Emmy, ku interpretojnë aktorë si Al Pacino dhe Meryl Streep. Vitin e kaluar, pas 25 vitesh, shfaqja u ngjit në skenën e “Broadway”-it dhe korri të njëjtin sukses.Edhe pse shfaqja përfshin elementë të mbinatyrshmes, regjisori Kumbaro e quan mbi të gjitha një shfaqje njerëzore, që përmes provokimit synon të përçojë mesazhe tolerance dhe dashurie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë