Njerez

Emigrantët e kthyer gjejnë të njëjtën Shqipëri që lanë

Ka shpesh dhe mjaftueshëm raportime, studime, shifra, retorikë politike për shkaqet e emigrimit të pandalshëm të fuqisë punëtore. Çdo familje shqiptare e ka të njohur të paktën një rast. Arsyet e largimit mund t’i hamendësojmë edhe pa nevojën e vrojtimeve shkencore. Ndaj pyetja që sot dhemb më shumë është a mund të zvogëlohet deri sa të jetë i menaxhueshëm dëmi që shkakton ky fenomen që s’mund të ndalet? Për të parë perspektivën “Gazeta Si” propozon një këndvështrim tjetër. Atë të parë nga sytë e emigrantëve të kthyer në atdhe: Dy gjëra vumë re: pavarësisht kohës që rrjedh, ndryshimet janë aq të ngadalta dhe arsyet e largimit që ende gëlojnë në realitetin janë të njëjta. Shanset që emigracioni të mbetet në të njëjtat kuota janë po njësoj.

Nga Gazeta 'Si' - Shqiptarët që kanë jetuar jashtë disa vite dhe po kthehen në Shqipëri, nuk vërejnë kurrfarë ndryshimi.

Sipas anketës së INSTAT mbi migracionin, Shqipëria për ta ka mbetur në vendnumëro.

Anketa e cila e shpjegon kthimin në Shqipëri vetëm nga qasja e azilkërkuesve, shifrat e të cilëve arritën kulmin në 2015-n me rreth 67 mijë, thekson se shumica prej tyre që janë rikthyer, zor se kanë gjetur ndryshime.

Papunësia ose puna në sektorin informal (50% e tyre) është një ndër faktorët kryesorë që i ka nxitur shqiptarët që të kërkojnë azil. Por në momentin e rikthimit në Shqipëri, shumica e tyre kanë pohuar se kjo mbetet po sfidë.

Sipas anketës, thuajse 36% e popullsisë të rikthyer janë të papunë, shpesh, afatgjatë.

Nga ata që punojnë, 34 për qind bëjnë punë të pakualifikuar në sektorin joformal, që është e keqpaguar, rastësore dhe e pasigurt.

Të kthyerit janë regjistruar në zyrat e punësimit për të gjetur punë, por rezultatet sipas tyre kanë qenë mjaft shkurajuese, për shkak të mungesës së vendeve ekzistuese dhe të reja të punës.

Shumica e tyre gjithashtu kanë shprehur pakënaqësi për sjelljen e keqe në shërbimin civil dhe burokracisë, konkretisht në zyrat e punës, gjë që zinte rreth 5% të arsyeve për t’u larguar.

Ndërkohë, të tjerë të cilët kanë dashur të ngrenë biznese të vogla, kryesisht në shërbime dhe infrastrukturë, nuk e kanë bërë dot për shkak të mungesës së financimit përmes kredisë.

Kujdesi shëndetësor që zinte 10% të arsyeve për largim, sipas shqiptarëve të rikthyer, lë po aq për të dëshiruar.

Nëse në vendet e migracionit përfitonin kujdes të duhur shëndetësor, ata shprehen se në Shqipëri përballen me dy sfida.

E para është marrja e kujdesit shëndetësor. Disa të kthyer që janë të papunë ose punojnë në sektorin informal nuk kanë kartë shëndeti ose nuk kanë të drejtë të marrin shërbime shëndetësore falas.

Ndërsa e dyta është cilësia e shërbimeve të kujdesit shëndetësor pasi ata tregojnë se ka raste kur mjekët nuk janë në gjendje që të përcaktojnë diagnozat.

30% e largimeve janë bërë për arsim duke përfshirë këtu mundësi më të shumta në kërkim shkencor dhe universitete më të avancuara(8% studentë) por dhe gjithëpërfshirjen dhe bullizmin.

Por problemet në këtë fushë, janë evidentuar sërish pas kthimit në Shqipëri sipas anketës. Më të prekurit mbetën anëtarët e komunitetit rom.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë