Trend

Audiodrama ” Babai im”-Ema Andrea: Një formë arti që duhet të vazhdojë

Prej pak ditësh në formatin Podcast po transmetohet online, për herë të parë në Shqipëri audiodrama “Babai im”, që këtë të premte do të vijë me serinë e saj të katërt. Shumë aktorë janë përfshirë në këtë projekt, e mes tyre dhe Ema Andrea, që mund të quhet pa diskutim pionieria e çdo kohe që përqafon çdo të re në fushën e artit. Ndjehet entuziaste për këtë audiodramë të parë e uron që kjo praktikë të vazhdojë si një mundësi shumë e mirë për ta afruar publikun me teatrin në mënyrën më të lehtë e argëtuese të mundshme. Uron që në Shqipëri të ketë sa më shumë mundësi teknologjike që sa të jetë gjallë të mund të komunikojë artistiko-teknologjikisht me publikun, e që kështu arti të mund të bëhet më i fortë se lehtësia e papërballueshme e “Instagram”-it. Shpreson që arti të vazhdojë të trajtojë e të nxisë reagime të forta për çështje të mëdha sociale, siç është dhe abuzimi ndaj gruas prej burrave të pushtetshëm, temë që trajton pikërisht dhe “Babai im”.

“Babai im” është një projekt i ri, që sjell në treg një format të ri të teatrit, audiodramën. Jemi në kohën e zhvillimeve teknologjike ku gjithçka është pothuajse online, tashmë edhe teatri. A ju duket interesante, a ju volit ju si artiste ky format?

Autorë, dramaturgë e shkrimtarë të ndryshëm në botë kanë shkruar në kohë të ndryshme vepra dramaturgjike apo poetike për radio, që tashmë po përcillen dhe në formatin online. Jam tejet entuziaste që po hyn edhe në Shqipëri audiodrama e uroj të vazhdojë edhe në projekte të tjera. Sot edhe letërsia shkon te lexuesi përmes librave audio. Zhvillimi teknologjik të hap dritare të reja në komunikimin me publikun, mjaft të jesh gati profesionalisht e mendjehapur. Pooor teatri i gjallë ka vërtetuar në historinë e tij që nuk vdes kurrë. Të dashurit e teatrit do të kthehen në poltrona e ata që nuk e njohin do të grishen të shkojnë në teatër prej radios apo audios online, podcastit. Mendoj se çdo formë e re sjell vetëm intensitet e zhvillim të marrëdhënies art-publik.

A mund të konsiderohet ky format një mundësi e re që u jepet artistëve për të pasur një arenë më shumë, më të kapshme nga të rinjtë, edhe pa pasur nevojë të shkojnë në një teatër? Mjafton një klikim dhe teatrin e kanë kudo e kurdo me vete…

Natyrisht që është një tjetër hapësirë apo arenë, për aktorët e drejtuesit. Publiku, ndryshe nga teatri i gjallë, percepton vetëm përmes dëgjimit. Aktorët përmes zërit e efektet e tjera duhet t’i krijojnë publikut hapësirë sa më të gjerë për të imagjinuar, për të të ndjekur deri në fund. Për mua është eksperiencë shumë e bukur dhe natyrisht një hapësirë më shumë për të punuar e për të qenë pranë publikut.

Në kastin e aktorëve janë shumë të rinj, me të cilët ti je gjithmonë e hapur të bashkëpunosh, apo jo?

As i ndaj ndonjëherë partnerët prej moshës. As sot e asnjëherë. Partnerët e mirë për mua janë ata që duan atë që bëjnë.

Te “Babai im” trajtohet çështja e abuzimit ndaj grave, të një burri me pushtet. Sa aktuale ju duket me realitetin shqiptar kjo histori?

Aktuale e historike më duket kjo temë. Gruaja jo vetëm në Shqipëri ka jetuar nën presionin e burrit të pushtetshëm e rrjedhimisht të dobët. Por nëse bota ka filluar të reagojë, në vendin tonë bëhet thjesht zhurmë përballë skandaleve.

A mendon se këto janë kauza që nuk duhet të reshtin së trajtuari jo vetëm nga media, por dhe nga arti, teatri në këtë rast?

Po, arti këtë mision ka. Në Shqipëri arti duhet ta ketë detyrë të trajtojë të tilla kauza, të provokojë fort publikun që të reflektojë e të reagojë, t’i japë forcë e kurajë atyre që nuk e kanë të mundur. Çdo vepër e fortë artistike ka pasur dhe do të ketë ndikim shumë më të fortë se çdo vendim qeverish apo fjalim politikanësh. Ndaj politika e ka frikë artin e përpiqet ta trajtojë artistin si të pafuqishëm, ta mbajë varur ekonomikisht e rrjedhimisht ta dobësojë sepse e dinë forcën e veprës artistike.

Ju jeni Marjana te “Babai im”, në pozicionin e Drejtoreshës së Marrëdhënieve me Publikun në biznesin e Fatmir Haxhiut, mjekut e biznesmenit që akuzohet se ka abuzuar me vartëset e tij. Prej detyrës që keni duhet t’i mbuloni, fshihni, zhdukni lajmet negative që dëmtojnë imazhin e kompanisë. Si të rri nën lëkurë kjo lloj Marjane?

Rolet që nuk më ngjajnë më pëlqejnë tepër. Marjana është karakteri që hasim çdo ditë fatkeqësisht, në media, në zyra, në institucione… Janë ato natyra për të cilët ne shpesh themi “Po si ja dalin more Zot!? E fatkeqësisht, shpeshherë, tipa si Marjana quhen “tipa të aftë” në shoqërinë tonë. Ndërsa për Marjanat në pushtet nuk flitet hapur sepse për këta të fundit ligji nuk është i barabartë, fatkeqësisht.

A do të doje që projekte të tilla, Podcast, të vijonin edhe me audio drama të tjera?

Po, po, natyrisht uroj të dalë ndonjë tjetër mundësi teknologjike që sa jam gjallë të mund të komunikoj… artistiko-teknologjikisht që kështu arti të mund të bëhet më i fortë se lehtësia e papërballueshme e “Instagram”-it.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më Shumë