Jete & Stil

Ekspertja e gjuhës së trupit tregon 3 shenjat kryesore të sjelljeve ‘agresive pasive’ dhe ‘fëminore’

Nga Erica Dhawan* - Të gjithëve na është dashur të përballemi me agresivitetin pasiv në një moment. Shefi mund të ketë ngritur një vetull mospërfillëse kur ju po flisnit, ose një mik ju ka larguar nga biseda ndërkohë që po flisnit në një grup në WhatsApp.

Por limitet shpesh janë të paqarta. Sigurisht që kam luftuar me këtë vetë, kjo është arsyeja pse kalova pjesën më të madhe të karrierës sime në Harvard duke studiuar gjuhën e trupit dhe komunikimin.

Unë gjithmonë rekomandoj ti merrni të gjitha me qetësi, në vend se të reagoni ashpër apo të jeni armiqësor. Këtu janë tre shenja të sjelljes pasive agresive ose fëminore dhe si të përgjigjeni në mënyrë efektive:

1. Shkurtimet ekstreme

Ju i dërgoni shefit tuaj një email duke e pyetur: "A duhet të vazhdojmë dhe të planifikojmë një takim me këtë klient të mundshëm?"  dhe ai jep një përgjigje të prerë, me një fjalë si "po", "mirë" ose "OK".

Disa njerëz thjesht preferojnë të japin përgjigje të shkurtra dhe të qarta. Por nëse vëreni se kryesisht po reagojnë në këtë mënyrë ndaj jush dhe jo ndaj të tjerëve, atëherë ky nivel i shkurtimit mund të jetë një tregues i agresivitetit pasiv.

Si të përgjigjeni:

Bëni pyetje sqaruese: “Faleminderit! Në cilën ditë dhe orë do që ta lë takimin?”, ose "A ka person tjetër që duhet të ftoj?"

Ruani gjakftohtësinë. Mos bini pre e paragjykimeve. Qëndroni të përqendruar në temën që po diskutoni dhe shmangni veprimet në mbrojtje.

Përdorni humorin: Humori është një mënyrë e shkëlqyer për të shpërndarë tensionin.

Nëse janë situata që përsëriten, flisni me shefin tuaj qetë. Tregojini se keni vënë re një sjellje të tillë dhe pyeteni nëse është e vërtetë dhe nëse po, pyeteni pse.

2. Përgjigje të ngadalta

Një agresivitet pasiv tregohet edhe kur dikush përgjigjet vonë në mesazhe apo email.

Të qenit pjesë e këtyre veprimeve mund të shkaktojë atë që unë e quaj "ankth i kohës", një shqetësim i fortë që ndiejmë kur e gjejmë veten duke pyetur për të gjitha kuptimet e mundshme pas përgjigjeve të ngadalta.

Fatkeqësisht, nuk ka rregulla të rrepta për të ditur me siguri nëse dikush po e përdor heshtjen si një gjë të qëllimshme, apo nëse është thjesht një anashkalim.

Si të përgjigjeni:

Mos nxitoni në përfundime. Përveç nëse është kritike që të merrni një përgjigje sa më shpejt që të jetë e mundur, mbani mend se nuk e dini kurrë se çfarë po kalon dikush. Ndoshta kanë shumë punë ose po merren me çështje personale.

Dërgojini një mesazh në formë kujtese. Disa njerëz me të vërtetë harrojnë, kështu që një mesazh për ti kujtuar mund të jetë i dobishëm.

“E di që je shumë i zënë. Por kur të kesh kohë, do të doja të bisedoja për këtë", do të ishte mesazhi perfekt.

Kalo në një mënyrë tjetër komunikimi: Nëse përsëri nuk keni një përgjigje, përpiquni të gjeni një numër kontakti ose të kaloni nga zyra e personit në fjalë.

3. Ndryshimi nga gjuha joformale në atë zyrtare

Nëse po dërgoni mesazhe dhe email me dikë dhe ai ndryshon tonin e tij nga joformal në formal nga askund, mund të nënkuptojë se ai po përpiqet të ushtrojë presion.

Një situatë e ngjashme mund të jetë një mik i cili papritmas është shumë i ftohtë ose i tërhequr me mesazhe apo edhe në telefon. Për shembull, nga “Shumë mirë, kjo tingëllon si diçka argëtuese”, në “Në rregull, nejse”.

Si të përgjigjeni:

Mos supozoni automatikisht se ata janë të zemëruar me ju: Është e lehtë të nxitosh në përfundimin se po të veçojnë, por shpesh nuk është kështu. Në fakt, sjellja e tyre mund të mos ketë asnjë lidhje me ju.

Kontaktoni me telefon, bëni një bisedë me video ose personalisht: Mund të jetë e vështirë të deshifrosh se si ndihet vërtet dikush përmes komunikimit dixhital. Flisni qetë dhe shpjegoni burimin e ankthit tuaj. Mos u kërkoni falje dhe mos bëni akuza. Thjesht jini të sinqertë dhe kërkoni sqarime. Kjo do t'ju ndihmojë të krijoni besim dhe lidhje, pa marrë parasysh distancën.

*Erica Dhawan është një studiuese e Harvardit, folëse dhe autore e "Gjuha dixhitale e trupit: Si të ndërtoni besim dhe lidhje, pa marrë parasysh distancën". Ajo është gjithashtu themeluese dhe CEO e Cotential, një kompani që ka ndihmuar liderët të shfrytëzojnë aftësitë e bashkëpunimit.

Burimi: CNBC. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë