Pas lajmeve për një vatër të Hantavirusit në një anije në Atlantik, ku 3 persona kanë ndërruar jetë dhe 2 të tjerë janë sëmurë, infektologu Ivan Gentile thotë se mundësitë për një pandemi janë pothuajse zero.
Gentile, profesor në Universitetin e Napolit “Federico II”, thekson se nuk ka arsye për alarm.
Sipas tij, Hantavirusi nuk transmetohet lehtë nga njeriu te njeriu dhe rastet e infeksionit mbeten të rralla, të lidhura kryesisht me ekspozime në mjedise specifike dhe jo me përhapje masive si në rastin e Covid-19.
“Duhet të jemi të qartë: rreziku i përhapjes në shkallë të gjerë, siç ndodhi me Covid-in, është praktikisht zero. Po flasim për një sëmundje me transmetim nga njeriu te njeriu shumë të rrallë, pothuajse ekstreme. Nuk jemi përballë një emergjence globale, por me një patologji të lidhur me kushte shumë specifike”, thotë Ivan Gentile.
Ai shpjegon se Hantaviruset janë viruse me ARN që kanë si rezervuar natyror brejtësit.
Te kafshët infeksioni shpesh është pa simptoma, por njeriu mund të infektohet duke thithur pluhura të kontaminuara nga urina, feçet ose pështyma e kafshëve të infektuara. Rreziku lidhet kryesisht me mjedise rurale, magazina, banesa të izoluara ose ambiente të mbyllura prej kohësh ku mund të kenë qenë brejtës.
Ndërkohë ekzistojnë dy forma kryesore- ethet hemorragjike, që në Europë shpesh prekin veshkat, dhe sindroma pulmonare, që mund të shkaktojë insuficiencë akute respiratore.
Kohët e fundit është rikthyer në vëmendje edhe vdekja e bashkëshortes së aktorit Gene Hackman, e lidhur me një sindromë pulmonare të kontraktuar ndoshta në ambient shtëpiak.
Megjithatë një anije kroçiere duket ambient ideal për një vatër. Pse nuk duhet të frikësohemi nga përhapja mes pasagjerëve?
Mjeku thotë se anijet janë ambiente komplekse për shkak të dendësisë së njerëzve, por Hantavirusi nuk transmetohet lehtë nga njeriu te njeriu. Është shumë më e mundshme që një infeksion të ndodhë para imbarkimit ose nga ekspozimi direkt ndaj ambienteve të kontaminuara të anijes, si magazinat apo zonat e ruajtjes së mallrave.
“Rreziku për pasagjerin e zakonshëm mbetet minimal”.
Si mbrohen portet nga hyrja e mundshme e virusit përmes udhëtarëve?
Mjeku thotë se meqë inkubacioni mund të jetë i gjatë, një hyrje ‘e heshtur’ përmes udhëtarëve është e mundur. Megjithatë, parandalimi i vërtetë bëhet me kontroll sanitar në porte, monitorim i mallrave, kontrolli dhe menaxhimi i mbetjeve.
Duke mos pasur vaksina apo antivirale specifike, mjeku thotë se strategjia më e mirë është mbikëqyrja ndërkombëtare.
“Nuk duhet ta ulim kurrë vigjilencën, as në periudha ‘paqeje’ të dukshme. Të mbajmë të ngritur survejimin virologjik nuk e eliminon rrezikun, por e bën atë të pranueshëm”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje