Shkencë

Eksperimenti ekstrem: Të jetosh për 40 ditë në një shpellë, pa dritë dielli, telefona e orë

Pesëmbëdhjetë vullnetarë francezë midis moshës 27 dhe 50 vjeç, jetuan për 40 ditë në shpellën Lombrives, në jug-perëndim të Francës, pa telefona, orë dhe pa rreze dielli, me një temperaturë konstante prej 10 gradë dhe lagështi 100%.

Objektivi: eksplorimi në kufijtë e përshtatjes njerëzore ndaj izolimit dhe për të kuptuar se si një situatë e tillë ekstreme mund të ndikojë në sensin e kohës.

Eksperimenti, i quajtur “Deep Time”, përfundoi të shtunën, kur tetë burrat dhe shtatë gratë dolën, shumë të zbehtë nga nëntoka me syze dielli speciale për të mbrojtur sytë e tyre pas një kohe të gjatë të kaluar në errësirë.

Projekti prej 1.2 milion dollarësh, u drejtua nga “Human Adaption Institute” (Instituti i Përshtatjes Njerëzore).

Jeta në shpellë

Marina Lançon (në mes), del nga shpella e Lombrives në Francë me 14 persona të tjerë pas 40 ditësh nën tokë

Gjatë qëndrimit të tyre në shpellë, vullnetarët guximtarë, fjetën në çadra dhe prodhuan energji elektrike duke pedaluar në një biçikletë. Uji vinte nga një pus i thellë 44 metra. Asnjë kontakt me botën e jashtme, asnjë informacion të përditësuar mbi pandeminë ose komunikime me miqtë dhe familjen.

Meqenëse nuk kishte dritë dielli, ekipi ndoqi orën e tyre biologjike për të vendosur kur të flinin, të hanin ose të kryenin aktivitete të tjera të përditshme. Siç pritej, ata të gjithë shpejt e humbën sensin e kohës.

Një vullnetar, u tha gazetarëve se ai mendonte që kishin vetëm 23 ditë nga hyrja në shpellë. Pothuajse të gjithë ishin dakord që koha dukej se kalonte më ngadalë.

Pjesëmarrësit në eksperiment, në kontaktin e parë me diellin pas 40 ditësh

Një mësues i matematikës, Johan Francois, i tha BBC se ai vrapoi 10 kilometra në shpellë për të ruajtur gjendjen fizike, duke thënë se kishte probleme grastrointenstinale.

Të tjerët, megjithatë, nuk menduan si ai: dy të tretat e grupit, thanë se do të qëndronin në shpellë më gjatë. "Për një herë në jetën tonë, është sikur mund të kishim bërë një pushim", - i tha “The Guardian” Marina Lançon, një nga shtatë gratë që morën pjesë në eksperiment.

“Nuk e ndjeja nxitimin për të bërë asgjë dhe unë do të kisha qëndruar në shpellë edhe disa ditë për të përfunduar aktivitetet e filluara. Por ishte e mrekullueshme të kthehesha jashtë dhe të dëgjoja zogjtë duke kënduar përsëri".

Takimi me “smartphone” është shtyrë për disa ditë "për të shmangur një kthim në botën reale që është shumë brutale", - shtoi Lançon.

Pse ky eksperiment

Grupi i vullnetarëve gjatë qëndrimit në shpellë

Shkencëtarët që organizuan projektin, shpjeguan se eksperimenti do t'i ndihmojë ata të kuptojnë se si njerëzit mund t'u përshtaten kushteve të jetesës ekstreme.

Aktivitetet e trurit dhe funksionet njohëse të vullnetarëve, u analizuan para se grupi të hynte në shpellë dhe pastaj do të vazhdohet me studime krahasuese.

Shkencëtarët monitoruan modelet e gjumit, ndërveprimet shoqërore dhe reagimet e sjelljes të 15 anëtarëve të ekipit, duke përdorur sensorë.

Një nga këta të fundit, ishte një termometër i vogël brenda një kapsule që pjesëmarrësit e gëlltisnin si pilulë: ai maste temperaturën e trupit dhe transmetonte të dhënat në një kompjuter, derisa nxirrej natyrshëm nga organizmi. Ky është një kërkim i një rëndësie të veçantë në këtë periudhë pandemike, në të cilën miliona njerëz kanë jetuar të izoluar.

Vullnetarët francezë pas përmbushjes me sukses të eksiperimentit

“Anëtarët e ekipit ndoqën orët e tyre biologjike për të ditur se kur të zgjohen, të flenë dhe të hanë. Ata i numëruan ditët e tyre jo në orë, por në cikle gjumi, - komentuan shkencëtarët. - E ardhmja jonë, si qenie njerëzore do të evoluojë", - tha drejtori i projektit, eksploruesi franko-zviceran Christian Clot, gjithashtu i pranishëm në shpellë. "Ne duhet të mësojmë të kuptojmë më mirë se si truri ynë është në gjendje të gjejë zgjidhje të reja, në çdo situatë”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë