Në fillim Kukësi, më pas Luftëtari, pastaj Partizani dhe në fund Laçi, të katërta skuadrat shqiptare kanë dështuar njëra pas tjetrës në ndeshjet e para të Kupave të Europës.
Ky sezon e gjen futbollin shqiptar të pa përfaqësuar në arenën ndërkombëtare nga kampionia e vendit, Skënderbeu. Korçarët vijojnë të kenë probleme me UEFA-n dhe për pasojë vendin e tyre në Ligën e Kampionëve e ka zënë Kukësi, duke dhënë mundësinë gjithashtu edhe Partizanit të luaj në Ligën e Europës, pasi u rendit në vendin e pestë.
Por të katërta këto ekipe përveç Kukësit, nuk kanë shumë eksperiencë në Europë dhe kanë zhgënjyer totalisht në ndeshjet e tyre të para. Nënkampionët e vendit, Kukësi mund të thuhet se kanë qenë zhgënjimi më i madh, pasi përballë një skuadre modeste si F.C Valeta, u ndal në barazim dhe tashmë rrezikon seriozisht kalimin për më tej.
Por një humbje 5-0 që në ndeshjen e parë dhe për më tepër ndaj një kundërshtari jo aq shumë të madh si Ventspils, nuk mund të falet lehtë për Luftëtarin. Gjirokastritët në paraqitjen e tyre të parë në Kupat e Europës kanë qenë një zgjënjim total, duke mos treguar asgjë nga ajo skuadër që ishim mësuar të shikonim në kampionat. Tashmë me këtë disfatë të rëndë, ndeshja e kthimit në “Elbasan Arena” mbetet thjesht një formalitet, pasi gjasat për t’u kualifikuar janë shumë të pakta.
Pak më mirë ka bërë Partizani. Përballë një skuadre shumë të fortë, si Maribor, “Partizani i ri” me Skënder Gegën në stol ka treguar rritje niveli në lojën e tij. Por edhe pse luante mirë, Partizani nuk e ka evituar humbjen minimale 0-1 me sllovenët dhe tashmë gjasat për kualifikim janë shumë të pakta, pasi ndeshja e kthimit është në transfertë.
Ajo që duket se është paraqitur më mirë nga skuadrat shqiptare në këto ndeshje të para në Kupat e Europës është Laçi. Ekipi kurbinas është mundur në shifrat 2-1 nga Anorthosis. Rezultati mund të konsiderohet pozitiv, pasi goli në fushën kundërshtare i jep mundësinë Laçit që me një fitore minimale 1-0 në shtëpi të kualifkohet në raundin tjetër dhe për më tepër ndaj një ekipi shumë të konsoliduar si qiprotët e Anorthosis.
Edhe ekipet e tjera shqiptare në Kosovë, Drita dhe Prishtina nuk mund të krenohen me paraqitjet e tyre, por gjithësesi për to justifikim mund të merret fakti që janë në hapat e parë në arenën ndërkombëtare. Edhe Shkupi është mundur 2-0 në ndeshjen e tij të parë në Ligën e Kampionëve. Sakaq në dallim nga kjo gjendje e errët e të gjitha skuadrave shqiptare, Shkëndija e Tetovës vijon të shkëlqejë. Kampionët e Maqedonisë kanë marrë një fitore shumë të thellë 5-0 në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve me uellsianët e New Saints.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.